Futboll Kategoria Superiore Sport

NDESHJA ME PARTIZANIN/ Daja: Mungesat janë problem, Cale quhet përforcim i janarit

Trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, është shfaqur para mediave duke pasur në krah Idriz Bathën, për të cilin ndeshja e së premtes kundër Partizanit është mjaft e veçantë, sepse përballet me klubin ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës.

Për trajnerin kuqezi është momenti për të kërkuar fitoren, përtej forcës së kundërshtarit, por Daja nuk e fsheh se mungesa e Siljanovskit është e rëndësishme dhe e vështirë për t’u mbuluar, pa harruar që do të mungojë edhe Danilo Alves.

RIVALI KRYESUES – “Kemi një përballje me Partizanin kryesues, është një ekip që ka treguar stabilitet në rezultate e lojë dhe do të jetë shumë e vështirë. Megjithatë, të dyja palët kërkojmë pikët e plota, ata për kreun dhe ne për të rikuperuar, ndaj do të duhet qëndrueshmëri taktike dhe psikologjike për të arritur fitoren”.

MUNGESAT – “Mungojnë Siljanovski dhe Danilo Alves. Siljanovski ka qenë gjithë i pranishëm deri tani, ndërsa Alves ka pasur një prezantim më të kufizuar, për shkak të ardhjes me vonesë në Shqipëri. Kemi punuar shumë për të zëvendësuar si duhet sidomos Siljanovskin, sepse nuk kemi një lojtar që e dublon. Edhe në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut treguam se nuk ishim inferiorë, ndaj jemi optimistë se do të luajmë një ndeshje të mirë, por me synim kryesor rezultatin”.

ELTON CALE – “Do ta quaja një përforcim të janarit, sepse vetëm pak ndeshje kanë mbetur deri në mbylljen e pjesës së parë të kampionatit. Është lojtar cilësor dhe me eksperiencë, por ka 4 muaj pa luajtur dhe duhet parë në fushë”.

TIFOZËT – “Jemi të bindur që janë vlerë e shtuar për skuadrën, sidomos në fushën tonë, por duhet një menaxhim i mirë i situatës dhe atmosferës, sepse në ndeshje të rëndësishme dhe me shumë tifozë skuadra është vënë nën presion psikologjik. Ndeshja luhet për tifozët, duhet të përfitojmë nga mbështetja e tyre”.

BATHA SI “ISH”

Mesfushori Idriz Batha nuk është ndalur gjatë te fakti që përballet me të shkuarën e tij, duke e konsideruar ndeshje normale atë kundër Partizanit, që sipas tij duhet fituar, sidomos për tifozët.

SFIDA NDAJ SË SHKUARËS – “Ndeshje e rëndësishme, për mua prioritet është fitorja. Është e bukur të luash kundër ekipit ku ke kaluar një pjesë të madhe të karrierës. Shpresoj të jetë një ndeshje e bukur dhe të kënaqim tifozët. Edhe Kotobelli është një ‘ish’, ndeshje të tilla ndodhin në Shqipëri, sepse lojtarët lëvizin shpesh dhe nuk ka asgjë të veçantë. Ne shpresojmë të kënaqim tifozët dhe shikuesit me një ndeshje të bukur”.

PRESIONI – “Ndeshje të tilla nuk kanë presion, por vetëm mobilizim. Luhen vetëm për t’u fituar, nuk na shqetëson asgjë tjetër”.

Related posts

Kjo është nota e Napolit për sezonin e Elseid Hysajt

Sadik.Autor

SKANDALI I PËRDHUNIMIT/ Modelja SEKSI luan “kartën” e të afërmit të CR7, na u fut në DHOMË dhe…

Isa.Autor

“ISHA SHUMË I ACARUAR NË FUND TË NDESHJES”/ Haaland: Ja pse reagova ashtu pas barazimit ndaj Koln

Delo.autor

Leave a Comment