Futboll Kombëtarja Sport

VENDIME TENDECIOZE/ Selmani apo Kastrati? Rasti që tregon se Panucci ia fut kot…

Nuk kanë fund problemet për kombëtaren kuqezi, në prag të ndeshjes zyrtare me Skocinë dhe asaj miqësore me Uellsin. Pas “refuzimit” të Loret Sadikut, në grumbullim nuk mundi të vijë mbrojtësi Ivan Balliu, sepse nuk e lejoi klubi i tij në Francë. Nga dëmtimi që pësoi me klubin e tij në Danimarkë u hoq nga lista “in extremis” edhe Ylber Ramadani. Por, trajneri Christian Panucci ka pasur edhe dy “firo” të fundit, të cilat i ka verifikuar në ditën e parë të grumbullimit në Durrës.

Ermir Lenjani dhe Alban Hoxha nuk mund të luajnë, ndaj janë lejuar të largohen për në klubet e tyre, ku do të vijojnë fazën e riaftësimit. Në vend të portierit të Partizanit është thirrur për emergjencë Elhan Kastrati, i cili luan në Itali, me Pescara (Seria B). Një gjë e tillë ndodhi edhe për ndeshjen e fundit kundër Izraelit, ne Beer Sheva, por atëherë ky “kapërcim pindarik” në hierarki u justifikua me faktin se Selmani ishte i dëmtuar.

Pra, portieri titullar i ekipit Shpresa nuk mund ta zëvendësonte Hoxhën, asokohe. Mirëpo, injorimi i portierit të Laçit sërish, në një kohë që është titullar i padiskutueshëm me kurbinasit, po shkëlqen me ta, gëzon shëndet të plotë, dëshmon për katrahurën që ekziston në kombëtaren tonë, nën drejtimin e Panuccit. Lojtarë që vijnë e ikin, pa lënë asnjë gjurmë me fanellën kuqezi, që prezantohen si prurje të fuqishme nga trajneri në fillim, por më pas denigrohen edhe publikisht, sikurse bëri dje italiani me Kamer Qakën, janë pasqyra më e mirë e rastësisë së gjërave, që predominojnë kombëtaren tonë.

Për të mos rendur më tej, pas zërave që thonë se menaxherët dhe aspekte të tjera interferojnë bollshëm në ftesat e trajnerit kuqezi. Le të mbetemi më konkretë, në përqasjen Selmani-Kastrati. Sipas hierarkisë, i pari duhet të thirrej në kombëtaren e madhe, në vend të Hoxhës, sepse është titullar te Shqipëria U-21. Pra, e ka kaluar një “filtër” sportiv, duke e lënë pas vetes të dytin, Kastratin. Nëse Panucci e përmbys situatën, kjo ka dy shpjegime: kolegu i tij, Alban Bushi nuk vlen, nuk merret në konsideratë në atë që bën, ose zgjedhjet e tij janë të dyshimta.

Një përgjigje për këtë duhet dhënë nga vetë Panucci, por edhe nga sektori përkatës i ekipeve kombëtare në FSHF. Ndryshe, kësaj pune i thonë “njëri i bie thumbit e tjetri patkoit”. Për secilin nga dy portierët e ekipit Shpresa (Kastrati nuk është grumbulluar së fundi fare), që kemi në diskutim, po publikojmë statistikat përkatëse me klubet respektive, sepse roli dhe pesha që kanë te Shqipëria U-21 është i qartë për gjithkënd.

Elhan Kastrati, 21 vjeç, luan te Pescara, në Seria B. Në këtë sezon, ish-portieri i Teutës është aktivizuar vetëm në një ndeshje, 90 minuta, në fitoren 2-1 ndaj Livornos, e cila daton më 2 shtator 2018. Në 11 ndeshje të tjera ka ngrohur stolin.

Gentian Selmani, 20 vjeç, aktivizohet me Laçin, në Kategorinë Superiore. Ai ka minutazh të plotë në 13 ndeshje kampionati me bardhezinjtë. Ka bërë paraqitje mbresëlënëse, duke merituar vendin e tretë në klasifikimin aktual të kampionatit shqiptar, bashkë me të tijtë.

Pra, nëse të dy i vendosim në një peshore të çfarëdolloji, shihet qartë se nga anon e drejta dhe meritokracia. Por, si duket, vetëm për këtë gjë nuk mund të flitet në këtë rast, po jo të vetmin, në vendimmarrjen e Panuccit. Referencat sportive mungojnë, të tjerat i “bëjnë naftën” vetë kombëtares dhe objektivave të saj…

Related posts

Kritika ndaj SHQIPTARËVE të Maqedonisë, në festimin e golit kërcyen “shqip” (VIDEO)

Isa.Autor

EKSKLUZIVE/ Elvis Plori: Mbijetesa e vështirë por jo e pamundur, LARGOHEM për të mirën e KASTRIOTIT

Isa.Autor

Guardiola e pranon: Manchester City është si adoleshent në Champions League

Delo.autor

Leave a Comment