Futboll Premier League Sport

21 FITORET RADHAZI/ Manchester City është për rekord “Guinness”, ja 3 skuadrat që kanë bërë më mirë…

Mançester Siti e dërgoi në 21 numrin e fitoreve radhazi në të gjitha kompeticionet këtë sezon me suksesin 4-1 ndaj Uolvesit të martën, e cila duket se vulosi titullin e tretë të Premier Ligës në katër vitet e fundit për skuadrën e Pep Guardiolës. Në 3 janar, skuadra renditej në vend të pestë në Premier Ligë, por tani i drejtohet derbit të Mançesterit me një diferencë, e cila mund të mbyllë përfundimisht llogaritë për titullin kampion që këtë të diel.

Në Europë, vetëm 4 ekipe kanë një seri më të gjatë fitoresh sesa kjo e “Qytetarëve” dhe triumfi ndaj Junajtidit të dielën në “Etihad” do barazonte rekordin e Realit të Madridit (22 fitore vendosur në vitin 2014 me Karlo Ançelotin në stol). Ajaksi e ka mbajtur këtë rekord për 44 vite me 26 fitore radhazi në sezonin 1971-72, derisa skuadra uellsiane e Nju Saints fitoi 27 ndeshje radhazi në vitin 2016-të, i cili njihet sot edhe si rekordi botëror “Guinness”.

Por, përpara se të shkojë deri atje, më parë Siti duhet të parakalojë Realin (22 fitore) dhe më pas Bajernin e Mynihut (23 fitore vendosur vitin e shkuar). Për të gjetur herën e fundit që Mançester Siti nuk ka fituar një ndeshje, duhet të kthehemi më 15 dhjetor, në barazimin 1-1 me Uest Bromuiçin.

Pep Guardiola pranon se skuadra e tij ka shanse për të fituar “poker” trofesh këtë sezon: “Ka edhe 33 pikë për të luajtur. Nesër (dje) kundërshtarët tanë do të luajnë dhe ne kemi një apo dy ndeshje pushim dhe pastaj do të përgatitemi për Mançester Junajtidin në shtëpi.

Jemi në një pozicion me të vërtetë të mirë. Nuk prisja të ishim këtu 2-3 muaj më parë, por ne duhet të jemi të qetë dhe luajmë siç bëmë me Uolvesin. Për rekordin do të flasim në të ardhmen. Gjatë dimrit kalendari në Angli është një ferr dhe në këtë periudhë ne bëmë diçka të pabesueshme. Është më shumë sesa e shkëlqyer. Lojtarët kanë të gjithë komplimentet e mia, por kurorën e ka Liverpuli. Për të fituar Premier Ligën do na duhen ato pikë”.

Katër herë fituesit e Premier Ligës janë me një dorë tek titulli, kanë një këmbë në çerekfinalen e Ligës së Kampioneve (kanë fituar 2-0 ndeshjen e vajtjes me Gladbahun), janë në çerekfinalen e Kupës FA, por edhe në finalen e Kupës së Ligës kundër Totenhemit në prill.

Por, edhe nëse Mançester Siti rishkruan historinë e librave të rekordeve ato nuk përkthehen gjithsesi në trofe dhe Guardiola e di mirë se ky sezon bëhet më i suksesshmi i karrierës së tij si trajner, vetëm nëse sjell në “Etihad” përveç Premier Ligës, edhe atë trofe që i mungon prej kohëve të tij te Barcelona, Champions-it. Ai refuzon t’i dërgojë mendimet e tij kaq larg dhe përpiqet që ta mbajë skuadrën me këmbë në tokë, me fjalinë tashmë shabllon pas çdo fitoreje: “Ne mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës…”

Related posts

PAS DASMËS MADHËSHTORE/ Ramos merr dhuratën më “qesharake” në Egjipt! (FOTO)

Delo.autor

LIVE/ Jepet çmimi i parë në ceremoninë e “Topit të Artë”, lojtari më i mirë i ri shpallet…

Isa.Autor

“ITALIA ËSHTË NJË SKUADËR QË KA…”/ Trajneri Southgate: Ka vetëm një mënyrë për të luajtur finalet

Delo.autor

Leave a Comment