Futboll Shqipëri Sport

LUFTA PËR MBIJETESË/ Fukuj rikthen Kamzën te fitorja, zhytet më tej Luftëtari

Me kalimin e javëve të kampionatit, tabela e renditjes është duke marrë formën e saj. Tashmë në njëfarë mënyre janë përcaktuar ekipet, që luftojnë për europën dhe titullin, dhe ato skuadra që do të diskutojnë mbijetesën. Pikërisht për këtë të fundit janë përballur sot Kamza dhe Luftëtari, në një ndeshje që nisi 30 minuta më herët për shkak të kushteve klimaterike, që u mbyll me fitoren 1-0 për vendasit.

Pjesa e parë nis me ritëm të ulët, skuadrat më shumë se sa për të shënuar, ruajnë prapavijën dhe portën. Megjithatë, terreni i rënduar për shkak të reshjeve të një dite më parë dhe zhvillimit të takimit Kukësi-Skënderbeu dy ditë më parë, bëri që loja të ishte shumë e ngadaltë dhe e kushtëzuar.

Pak aksione sulmuese, më tepër qarkullim loje në mesfushë, ndërkohë që spikat në disa raste ekipi i Ernest Gjokës që kërkon rrjetën me Martinenën dhe Plakun, por pa sukses. Pas minutës së njëzetë Kamza fillon të ketë epërsi në kontrollin e topit dhe rastet e krijuara

Zhbllokimi i sfidës nuk vonon, me Masato Fukuin, që shndërron në gol me kokë një gjuajtje të Plakut nga goditja e këndit në minutën e 34 të takimit. Ky ishte rasti i dytë që i jepej Fukuit për të shënuar gol duke mos gabuar, pasi më herët në të njëjtin pozicion humbi një tjetër mundësi për të zhbllokuar sfidën.

Në minutën e 37 dëmtohet Oriad Beqiri, pas një përplasje me Shkurtajn. Futbollisti i Kamzës e ka të pamundur të vazhdojë lojën, pasi del nga fusha me barrelë. Në vend të tij futet Ermir Rezi, ndërkohë që Beqiri niset për në spital. Pak minuta më vonë dëmtohet dhe Frashëri, por ky i fundit ngrihet dhe vijon lojën pa problem. Pjesa e parë nuk ka ndryshim rezultati, me Kamzën që ruan avantazhin 1-0.

Pjesa e dytë nis ashtu si përfundoi e para, me pak ritëm dhe më shumë kujdes në aspektin mbrojtës. Gjoka kryen zëvendësimin e dytë, Mehmeti futet në fushë ndërkohë që del Teqja në minutën e 58, ndërsa në krahun tjetër është Mezani që hedhë në fushë Rapon dhe nxjerrë Ymerajn.

Tre minuta më vonë Mezani sërish kryen një tjetër zëvendësim, Demo i lë vendin Radoviç, ndërsa ndryshimet nisin të japin frute. Rapo rrit presionin ndaj kundërshtarit, duke prodhuar më shumë aksione sulmues. Loja zhvendoset në gjysmëfushën e Kamzës, ndërkohë që terreni i rënduar nis të krijojë shumë probleme për lojtarët vendas.

Dhjetë minuta para fundit, Roloviç futet në fushë në vend të Martinenës. Kamza ndihet nën presionin e kundërshtarit, me Rapon që qarkullon dhe së bashku me Shkurtajn mundohet të krijojë raste.

Roloviç ka një mundësi të shkëlqyer dy minuta nga fundi për të shënuar golin e sigurisë, por gjuajtja e tij shkon jashtë shtyllës së portierit Ruçi. Ndërkohë që një kundërsulm i shpejtë i miqve për pak sa nuk ndëshkon Kamzën në minutën e 90. Por gjithçka përfundon me topin që largohet nga Arrabal, që ndodhej në vijën fundore të portës. Minutat shtesë nuk sjellin asgjë, me Kamzën që fiton me golin e Fukuj të shënuar në pjesën e parë.

Me këtë fitore Kamza shkon në kuotën e 12 pikëve, 1 më pak se Luftëtari që ndodhet në vendin e tetë në renditje. Sfida e radhës për Luftëtarin është ajo kundër Skënderbeut ndërsa për Kamzën ajo kundër Flamurtarit.

Related posts

Presidenti Ilir Meta pret kampionin e Europës, mbështetje peshëngritjes!

Sadik.Autor

ÇFARË KUNDRASULMI/ Koke shkruan historinë me golin pas 87 sekondave

Isa.Autor

FUTBOLL/ Ermir Lenjani, gol në fitoren 7-2 të Sionit ndaj Thunit

Q.Autor

Leave a Comment