Futboll Sport

MERKATO E DIMIRIT/ 10 blerjet më të shtrenjta të janarit, Goditje të zgjuara apo të nxituara?

Po afron merkatoja e janarit dhe si zakonisht priten goditje të rëndësishme, me disa prej klubeve të mëdhenj që kërkojnë përforcime pas zhgënjimit në pjesën e parë të sezonit.

Një muaj kohë për të gjetur lojtarin e duhur, një muaj “festë” për mediat dhe shpresë për tifozët, që presin ndonjë emër të madh. Nuk është se lëvizjet e janarit rezultojnë të goditura në përgjithësi, aq më shumë që lojtarët më të mirë nuk janë kurrë në shitje në mes të sezonit, por mjafton të kujtohet që Liverpool e bleu Van Dijk janarin e këtij viti, për të kuptuar se edhe në “merkaton e vogël” mund të bëhen goditje fantastike.

Ja 10 goditjet më të shtrenjta të merkatos së janarit, bazuar në shifrat e publikuara nga Transfermarkt.

10 – ANDY CARROLL, LIVERPOOL: 41 milionë euro

Renditja e 10 transferimeve më të shtrenjta në merkaton e janarit nis me një blerje të dështuar. Liverpool shpenzoi një thes me para në vitin 2011 për të zëvendësuar Fernando Torres, por Andy Carroll shënoi vetëm 6 gola në 44 ndeshje dhe më pas iku tek West Ham-i. Në Liverpool askush nuk e kujton me nostalgji.

9 – JACKSON MARTINEZ, GUANGZHOU: 42 milionë euro

Në qershor 2015 Atletico Madrid bleu nga Porto sulmuesin Jackson Martinez, për 35 milionë euro. U duk blerje e madhe, sepse sulmuesin e donte me çdo kusht edhe Milani, por realisht ishte thjesht një biznes gjigant dhe një vit më vonë Atletico e shiti sulmuesin kolumbian te Guangzhou Evergrande për 42 milionë euro. Në fushë një dështim, në bilanc një sukses për Atleticon.

8 – JUAN MATA, MANCHESTER UNITED: 44.7 milionë euro

Chelsea e bleu për 26 milionë euro nga Valencia në 2011, por Jose Mourinho e konsideroi të panevojshëm dhe ia shiti Manchester United për thuajse 45 milionë euro në janar 2014. Më pas Mou shkoi në Manchester dhe e kuptoi se Mata ishte lojtar me vlerë, duke e bërë pjesë të rëndësishme të ekipit të tij. Tani Mourinho është larguar, Mata është ende në Old Trafford.

7 – ALEX TEIXEIRA, JIANGSU: 50 milionë euro

Si mund të kushtojë 50 milionë euro një sulmues i cili gjithë karrierën e vet e ka kaluar mes Vasco-s dhe Shakhtar Donetsk? Alex Teixeira është personazhi i çuditshëm për të cilin Jiangsu Suning shpenzoi një mal me para në vitin 2016, duke i dhënë edhe 10 milionë euro pagë sezonale. 32 gola në 3 vjet në Kinë, asnjë trofe dhe dy finale të humbura aty.

6 – FERNANDO TORRES: 58.5 milionë euro

Kur Andy Carroll shkoi te Liverpool, ndodhi për shkak se El Niño Torres u largua për te Chelsea, që në janar 2011 pagoi 58.5 milionë euro për ta “rrëmbyer”. Në Liverpool Torres ishte mbret, në Londër nuk bëri asgjë të veçantë dhe rezultoi një dështim total.

5 – OSCAR, SHANGHAI SIPG: 60 milionë euro

Sërish Chelsea në lojë, sepse në vitin 2016 klubi londinez shiti për 60 milionë euro mesfushorin e vet Oscar. Braziliani përfundoi në Kinë, duke firmosur një kontratë ëndrrash në Shanghai.

4 – PIERRE-EMERICK AUBAMEYANG, ARSENAL: 63.75 milionë euro

Në vendin e katërt të blerjeve më të shtrenjta në janar është Aubameyang, sulmuesi gabonez për të cilin Arsenali shpenzoi shumë, me kërkesë të trajnerit Arsene Wenger, i cili ishte nën presion për faktin se skuadra ishte e mbushur me të rinj që shiteshin sapo vinte oferta e parë joshëse. Bilanci deri tani nuk është i qetë, Aubameyang shëno me rregullsi impresionuese, por Arsenali nuk është në nivelin e Liverpool dhe Manchester City-t.

3 – AYMERIC LAPORTE, MANCHESTER CITY: 65 milionë euro

Në vendin e tretë një mbrojtës, Laporte, ai për të cilin Manchester City pagoi klauzolën e prishjes së kontratës, sepse Guardiola e dëshironte me çdo kusht, si pjesë e planit për të ndërtuar një dyshe ëndrrash me Stones në qendër të mbrojtjes.

2 – VIRGIL VAN DIJK, LIVERPOOL: 78.8 milionë euro

Në vendin e dytë mbrojtësi më i shtrenjtë në histori. Thuajse 80 milionë euro derdhur në arkën e Southampton-it, shpenzimi ia ka vlejtur plotësisht. Fizikisht i frikshëm, teknika perfekte, cilësi në çdo ndeshje dhe karakter, çfarë duhet më shumë!

1 – PHILIPPE COUTINHO, BARCELONA: 130 milionë euro

Në vendin e parë të blerjeve të janarit qëndron Philippe Coutinho, i paguar 130 milionë euro nga Barcelona në janar 2018, pikërisht kur Liverpool bleu Van Dijk. Barça kërkonte një lojtar klasi për të harruar Neymar-in dhe Dembele nuk rezultoi goditja që pritej, ndaj klubi blaugrana i ktheu sërish sytë nga Coutinho, fiksimi i verës së vitit 2017. Nuk mund të thuhet ende me bindje të plotë që Coutinho i ka justifikuar paratë e shpenzuara, por sapo Barça të fitojë Champions (nëse ia del mbanë), me siguri Neymar do harrohet dhe Coutinho do ngjitet në hierarki.

Related posts

I TRETI NË SPANJË/ Simeone është një hap larg etiketimit “LEGJENDA 250”

Delo.autor

NË PRAG TË NDESHJES NDAJ UDINESES/ Allegri zbulon planet: Të martën do të…

Delo.autor

“NDAJ FIORENTINËS TREGUAM KARAKTER”/ Sulmuesi Morata: Dua të qëndroj këtu, por futbolli është…

Delo.autor

Leave a Comment