Moise Kean, sulmuesi i Juventus-it dhe kombëtares italiane, ka folur rreth karrierës së tij dhe rreth marrëdhënies së veçantë me Mario Balotelli-n.
Shpesh i krahasuar me “Super Mario-n”, 18-vjeçari foli për “RMC Sport” për idhullin e tij, që duket se është njëkohësisht edhe këshilltari i tij më i mirë.
Krahasimi me sulmuesin e Nice, ish-lojtar i Inter-it dhe Milan-it, ndodh shpesh. Jo saktësisht për pozicionin, por në aspektin fizik dhe talentin e madh. Kean e komentoi kështu krahasimin me Balotelli-n: “Ishte idhulli im, por vetëm nga mënyra se si luante. Është një djalë i mirë, më ka dhënë shumë këshilla, sepse nuk do që unë të kaloj të njëjtën gjë që ka kaluar ai”.
Tani tek Juventus-i, është dikush tjetër që mund ta ndihmojë shumë, Cristiano Ronaldo: “CR7? E shihja vetëm në Play Station… të luaj me të më ka ndihmuar shumë, kam mësuar shumë prej tij si dhe nga kampionët e tjerë që luajnë tek Juventus “.
E ardhmja e tij është ende e pasigurt. Kean, i cili në të shkuarën ka qenë i huazuar te Verona, dëshiron të gjejë hapësirën e tij në skuadër, por me kampionë si Dybala, Ronaldo, Mandzukic është shumë e vështirë: “A do të largohem në janar? Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk e di dhe nuk mund të them akoma diçka. Është klubi ai që do të vendosë. Ata do të bëjnë vlerësimet e tyre dhe më pas do të shohim”.
Pavarësisht se Allegri konfirmoi se lojtari nuk do të largohet nga Torino në janarit, talenti i Kean duhet të dalë në pah përfundimisht dhe për ta bërë këtë duhet të luajë.
