Futboll Seria A Sport

LIPPI ANALIZON FUTBOLLIN ITALIAN/ Nga ringjallja e “Axurrëve” te “qershia mbi tortë” e Juves

Marcello Lippi, ish-trajneri i Italisë dhe Juventus, ka dhënë një intervistë për “Quotidiano Sportivo” nga Abu Dabi. Ai po zhvillon përgatitjet e fundit me kombëtaren e tij, Kinën, në prag të debutimit në Kupën e Azisë të hënën kundër Kirgistanit. Do të jenë ndeshjet e tij të fundit në drejtim të përfaqësueses aziatike, sepse Marcello ka vendosur të mos e rinovojë kontratën që është drejt skadencës.

Por ai nuk harron t’i hedhë një sy futbollit italian, që do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij. Juventus pritet të jetë protagoniste në Itali dhe Europë, Napoli dhe Inter po bëjnë sforcime të mëdha, por janë akoma larg bardhezinjve, kombëtarja e Mancini-t do të kthehet shumë shpejt në nivele të larta. Këto janë bindjet e Lippi-t, një njeri që kërkon gjithmonë të vihet në provë dhe t’i japë diçka të rëndësishme futbollit ndërkombëtar. Ai që ka fituar gjithçka.

– Marcello, t’i marrim gjërat me radhë. Kupa e Azisë është e vështirë: përveç Krigistanit keni në grup edhe Korenë e Jugut dhe Filipinet e Eeriksson. 

“Po përgatitemi me një kujdes të madh për këtë kompeticion që fillon të hënën. E dimë se konkurrenca është e fortë, por duam të shkojmë sa më larg të jetë e mundur. Objektivi është të arrijmë në çerekfinale ku ka shumë mundësi të përballemi me Iran-in, që është një nga favoritet me Australinë, Japoninë dhe Korenë”.

– Më pas do të kthehesh në shtëpi, në Viareggion tënde, por nuk shpreson të qëndrosh për një kohë të gjatë.

“Pas shtatë viteve, aventura në Kinë ka ardhur në fund. Federata donte të ma zgjaste kontratën deri në Botërorin e Katarit, por unë nuk kam dëshirë. Do të kalojë një verë të bukur dhe më pas do të shohim. Nuk do të punoj më në Itali ose në një klub. Do të duhet një projekt dyvjeçar interesant dhe stimulues nga një kombëtare jo shumë larg shtëpisë për të më bindur. Përndryshe do të pushoj”.

– Marcello, le të bëjmë parashikimet për ekipet e mëdha të Serisë A?

“Ta nisim nga Juventus. Kjo ecuri e jashtëzakonshme nuk më befason. Ashtu siç nuk më befason fakti se Ronaldo është përshtatur shumë mirë. Po flasim për një nga më të mirët në  botë, nëse jo më i miri. Një profesionist shembullor, i cili ka shkuar te një ekip që luan me sytë mbyllur. Mungon qershia mbi tortë, që është Champions League. E di mirë sa shumë e duan atje. Triumfi me bardhezinjtë në 1996-ën mbetet një nga kujtimet më të bukur të jetës sime, ashtu si Botërori i 2006-ës”.

– A do të jetë ky viti i duhur? 

“Deri në sezonin e kaluar, atyre që më pyesnin se kush ishin favoritët për ta fituar Champions-in, unë i jam përgjigjur duke thënë Real Madrid, Barcelona, Manchester City, Bayern Munich dhe duke shtuar se një shkallë më poshtë ishte Juventus dhe PSG. Tani them se Juventus është pjesë e favoriteve. Mundësitë për të fituar Champions-in për një trajner të përgatitur si Massimiliano Allegri dhe për grupin e tij janë të mëdha”.

– Ndërkohë, kampionati nuk do të kët shumë histori. 

“E vlerësoj shumë punën që po bën Carlo Ancelotti me Napoli-n, sepse ka çuar përpara filozofinë e Sarri-t, duke i dhënë skuadrës pak nga filozofia e tij. Por rruga për të ngushtuar diferencat me Juventus-in është akoma e gjatë. Ashtu si për Inter-in”.

– Por që ka marrë Marotta-n.

“Është një nga më të mirët në rolin e tij dhe do të kërkojë të bëjë një punë të madhe te një klub prestigjioz”.

– Milan është një zhgënjim, apo jo?

“Jo, nuk është një zhgënjim. Klubi po bën mirë në një kontekst të vështirë për shkak të limiteve që i ka vendosur UEFA. Edhe Gattuso më ka pëlqyer shumë për bazat që ka krijuar. Më pas ka ardhur kriza e rezultateve për shkak të dëmtimeve të shumta. Puna e madhe e bërë nga Rino në nivelin teknik dhe moral nuk mund të vihet në diskutim. Milan do të kthehet shumë shpejt në nivelet e mëparshme. Rastin e parë do ta ketë në Superkupën e Italisë kundër Juventus-it”.

– Viti 2018-të është mbyllur me  shumë polemika në Itali për shkak të VAR-it. Çfarë mendimi ka Lippi në lidhje me këtë?

“VAR është një instrument i rëndësishëm, përdorimi i të cilit shpresoj që të bëhet edhe në  shumë vende dhe kompeticione të tjera. Por bilanci ka qenë më pozitiv sezonin e kaluar. Kam parë disa interpretime që nuk i kam kuptuar. Duhet më shumë qartësi”.

– 2018-a pa Botëror e Italisë është mbyllur me disa përmirësime inkurajuese për 2019-ën. Jeni dakord me këtë vlerësim?

“Italia e Mancinit më pëlqen. Roberto bën mirë që i beson të rinjve, i nxit klubet që t’i japin atyre më hapësirë. Të njëjtën filozofi kam ndjekur edhe unë për Kinën time. Shembulli Zaniolo është i dukshëm në Itali. Pasi Mancini e ka grumbulluar, ai ka gjetur me të drejtë më shumë hapësira te Roma. Më pas janë Chiesa, Barella, Pellegrini, Cristante, lojtarë që premtojnë shumë. Lojtarët cilësor nuk mungojnë, por duhen ndihmuar. Rezultatet do të vijnë edhe për Italinë. Jam i sigurt”.

Related posts

COPPA ITALIA/ Juventus shkon në finale. Pas Champions dhe Europa League, Inter jashtë Kupe

Delo.autor

YLLI GIROUD “HERO” ME DOPIETË/ Milan mposht me “POKER” Cagliarin në “San Siro”

Delo.autor

Milan kërkon përforcime në mesfushë, ‘piketohet’ futbollisti i Manchester United

Q.Autor

Leave a Comment