Futboll Kategoria Superiore Sport

LLOGARI TË GABUARA/ Skënderbeu në krizë me blerjet e janarit sepse…

Sikur të mos mjaftonte kriza e rezultateve që i pushtoi në fundin e 2018-ës dhe “makthi” i dëmtimeve që i shoqëroi në nisje të 2019-ës, Skënderbeut i del një tjetër hall.

Edhe pse afrimet e bëra në merkato qetësuan jo pak Orges Shehin dhe shtuan alternativat në mesfushë, duket se klubi nuk i ka bërë fort mirë llogaritë. Me ndeshjen kundër Partizanit që është në prag, trajneri ka filluar që ta shqetësohet prej numrit të lartë të lojtarëve të huaj që ka në organikë.

Nëse në pjesën e parë të sezonit luanin si ekstrakomunitarë Radas, Sambou, Demte, Guedj, Guindo dhe Oto Xhon, tashmë listës i shtohen edhe dy të tjerë. Bëhet fjalë për blerjet e janarit. Serbi Elmir Asani dhe kosovari Shqiprim Taipi nuk disponojnë pasaporta të Kosovës.

Që të dy kanë vetëm atë serbe. Dhe, sipas rregullit të vendosur nga FSHF-ja, vetëm lojtarët që vijnë nga Maqedonia dhe Kosova dhe që kanë pasaporta të këtyre shteteve mund të llogariten si “komunitarë” në fushë. Kur dihet që në fushë lejohen vetëm 4 të huaj, stafin teknik e ka zënë realisht dhimbja e kokës. Plot 8 të huaj në dispozicion i kanë futur stresin durrsakut të stolit korçar.

EMERGJENCA – Bardhekuqtë janë duke menduar një zgjidhje emergjente. Burime pranë klubit bëjnë me dije se kampionët në fuqi kanë nisur të përshpejtojë procedurat e aplikimit të dy futbollistëve të porsaardhur në ekip për t’u pajisur me pasaportën kosovare.

E megjithatë, ky është vetëm plani i klubi, pasi aq lehtësisht nuk mund të sigurohen. Gjithsesi, nëse përgjigjja do të ishte pozitive, kjo do të bënte që të dy lojtarët të mos konsideroheshin më të huaj, por të kishin mundësi të luanin pa asnjë problem nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi. Një gjë e tillë kërkon një kohë gati 30 ditë, çka të bën të mendosh se bardhekuqtë do të duhet të sajohen në të paktën 3 ndeshjet e para të vitit 2019.

MERKATO – Kur jemi në ditët e fundit të janarit, nga merkatoja pritet edhe një tjetër goditje. Pas dështimit të dy lojtarëve boshnjakë, edhe kosovaro-finlandezi Xhevdet Gela ka kthyer përgjigje negative. Nisur nga kjo situatë dhe numri i shumtë i të huajve, bardhekuqtë kanë vendosur t’i rikthehen edhe një herë pistës “Krymi”. Mesfushori i Vllaznisë do të jetë tentativa “in-extremis” e Skënderbeut.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se gjithë këtë kohë Ardit Krymi është mbajtur në vëzhgim nga përgjegjësit e merkatos. Lojtari pëlqehet shumë nga trajneri Orges Shehi dhe, duke parë mungesat e tjera në këtë repart, duket i përshtatshëm për të zënë “gropat” që mesfusha bardhekuqe ka nga fillimi i sezonit. Kjo me shumë mundësi do të jetë goditja e fundit e Skënderbeut për merkaton në hyrje.

Nga ana tjetër, bardhekuqtë priten që të jenë aktivë edhe në dalje, ku do të huazohen disa futbollistë në ato reparte ku ka shumë alternativa. Kryesisht ata futbollistë të rinj në moshë, të cilët klubi bardhekuq i konsideron si tepër të vyer për të ardhmen. Për këtë arsye pritet që këta lojtarë të huazohen, me qëllim që të marrin më tepër minuta në këmbë. Do të jetë trajneri ai që do të vendosë se cilët lojtarë do të lirojë dhe një gjë të tillë pritet që ta saktësohet pas ndeshjes me Besëlidhjen për llogari të Kupës së Shqipërisë.

Related posts

HEDH “TENTAKULAT” NË ANGLI/ Juventus gati 30 milion paund për mbrojtësin e Premier…

Delo.autor

FORMULA 1/ Flet Max Verstappen: Me makinën Mercedes shpallen kampionë 60% e pilotëve…

Delo.autor

E PABESUESHME/ “Telenovela” Malcom, mamaja në Romë ndërsa ai në Barcelonë

Isa.Autor

Leave a Comment