Futboll Premier League Sport

DEBUTIM SPEKTAKOLAR ME “DJAJTË E KUQ”/ Zbulohet “sekreti” i trajnerit Solskjaer, ja prapaskenat

Nuk ka më dyshime. Ole Gunnar Solskjaer është trajneri më në modë i momentit në Europë. Fitorja 3-1 ndaj PSG në “Parc des Princes” e dërgoi Manchester Unitedin në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ai “vulosi” aty debutimin spektakolar në stolin e “Djajve të Kuq”: 14 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje në 17 ndeshje. Një ekuilibër i jashtëzakonshëm, që e ka lejuar atë “të ngjallë” ekipin “e vdekur” të Jose Mourinhos.

Që prej mbërritjes së tij në “Old Trafford”, askush në Premier League nuk ka grumbulluar më shumë pikë (32). Nga statusi i “kujdestarit” pas Mourinhos, norvegjezi po shkon i sigurt drejt konfirmimit si trajner i përhershëm në sezonin e ardhshëm. Sidoqoftë, që ta bëjë këtë gjë, Solskjaer duhej që fillimisht të negocionte “divorcin” me Molde, çka e ka bërë fakt të kryer tashmë. Klubi norvegjez e dorëzoi trajnerin e vet te Manchester Unitedit me kushtin që, me të përfunduar sezonin, të ribashkohej me të.

Kur ne e lejuam të largohej te Manchester United, u takuam dhe ramë dakord që të kthehet në fund të sezonit. Aty do të mbaronte “transferimi” i tij në “Old Trafford”. Megjithatë, sinqerisht mendoj se do të duhet të ndjekë atë që po bën mrekullisht”, – pranoi pak kohë më parë Álex Craninx, portieri spanjoll i Molde për “Marca”. Mirëpo, Solskjaer filloi të luante si “macja me miun”, referuar situatës së tij kontraktuale me Moldën. “Unë nuk jam i sigurt se si do të rrjedhin gjërat. Le të presim çfarë do të ndodhë. Jam trajneri i Molde, por kjo nuk është ajo, që po bëj tani. Plani ka qenë që të rikthehem”, – tha norvegjezi pak ditë më parë.

Megjithatë, pas eliminimit të PSG nga Championi-i, ai shtoi: Unë nuk mund të kem dy kontrata për momentin si trajner, ndaj do ta ndërpres atë me Molde dhe mund të nënshkruaj një të re me Manchester United. Të presim deri në qershor”. Nuk ka asnjë dyshim se norvegjezi është i lumtur në “Old Trafford”: “E dua punën që po bëj këtu. Po mundohem të jap më të mirën çdo ditë, pastaj do të merret një vendim në bashkëpunim me klubin. Le të shohim se çfarë do të ndodhë”. 

Molde, ndërkohë, këmbëngulte se ai duhej të kthehej: Para Krishtlindjeve kemi nënshkruar një kontratë të re 3-vjeçare me Solskjaer, deri në vitin 2021. Ole Gunnar ka marrë përsipër drejtimin e Manchester United deri në fund të sezonit dhe plani i tij është që të kthehet te Molde“, – thoshte Oystein Neerland, drejtor ekzekutiv i klubit. Në fakt, norvegjezi konfirmoi dje se e ka prishur akordin me Molde. Kjo i hap rrugën emërimit të tij zyrtar te Manchester United, diçka që pritet të bëhet publike në fundin e këtij sezoni.

Related posts

Inter-Milan/ Notat e lojtarëve: Ja kush shpallet më i miri, nuk është Icardi

Isa.Autor

“CHAMPIONS-I ËSHTË NJË TURNE I VËSHTIRË”/ Romagnoli: Matematika na mban në lojë, uroj të festojmë kundër Interit

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ AJAX e nis me këmbë të mbarë, “paqe” me gola në Ukrainë

Isa.Autor

Leave a Comment