Futboll Kategoria Superiore Sport

LARGIMI I KAMZËS NGA KAMPIONATI/ Mziu reagon ashpër: Janë dënime që ua kalojnë edhe atyre…

Klubi i Kamzës, tifozët dhe i gjithë komuniteti i qytetit shumë pranë Tiranës janë më të dënuarit pas vendimit të djeshëm të Komisionit të Disiplinës që e përjashtoi skuadrën nga Superiorja, ndërsa kampionatin e ardhshëm do ta nisë nga Kategoria e Dytë. Në një reagim , kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, e konsideron një dënim si në kohën e komunizmit atë të dhënë dje nga organi disiplinor pranë federatës.

Ai e konsideron të qëllimshëm këtë dënim ekzemplar nga ana e FSHF-së, ndërsa bën edhe ironi duke thënë se tashmë ekipi do të garojë në një kampionat të pavarur lokal. Gjithashtu, Mziu flet edhe për të ardhmen e lojtarëve.

DHUNA – “Po e nis gjithçka që nga momenti i incidenteve që ndodhën në fund të sfidës me Laçin. Dua të them se askush nuk i justifikon aktet e dhunës që ndodhën atë ditë. Distancohem plotësisht nga dhuna. Por, mos harroni se shkaktari i dhunës ishte gjyqtari. Arbitri, jo vetëm që theu çdo limit në zgjatjen e ndeshjes përtej minutave që ishin dhënë, por akordoi edhe një penallti të paqenë. Kjo është shumë e rëndësishme për t’u ditur nga gjithsecili”, u shpreh fillimisht Mziu.

DËNIMET – Më pas, në lidhje me dënimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës që e ka përjashtuar fillimisht Kamzën nga Superiorja, ndërsa kampionatin e ardhshëm do ta nisë nga Kategoria e Dytë, Mziu shprehet: “Sapo e pashë vendimin e dhënë nga Komisioni i Disiplinës pranë federatës, mund të them se janë dënime që ua kalojnë edhe atyre të kohës së Enver Hoxhës. Do të shohim në ditët në vazhdim reagimin që do të kemi. Por, me këtë vullnet të Federatës Shqiptare të Futbollit që nuk e do futbollin në Kamzë dhe me këtë qeveri do të shpallim autonominë. Duke qenë se nuk ka një kategori tjetër më poshtë, ne do të krijojmë një kampionat brenda Kamzës dhe ta fillojmë që aty. Jam i sigurt që do të jetë një kampionat më frytdhënës dhe më popullor për Kamzën sesa të vazhdojë kështu. Nuk kam parë ndonjë dënim kaq të rëndë. Shkaktari kryesor i dhunës, që ishte gjyqtari, nuk kishte marrë asnjë dënim, ndërsa skuadra e Kamzës shkon dy kategori më poshtë. Do t’i bëjmë ftesë federatës që ta ulë edhe dy kategori të tjera ose do të dalim më vete. Do krijojmë një kampionat më vete në Kamzë që të mos kemi lidhje fare me federatën”.

LOJTARËT – Ndërkaq, shumë të penalizuar në këtë rast janë futbollistët e Kamzës, të cilët kishin një kontratë me klubin. Në këtë moment, askush nuk di të thotë se çfarë do të bëhet me lojtarët dhe me detyrimet ndaj tyre. I pyetur në lidhje me këtë çështje, kryebashkiaku i Kamzës u përgjigj: “Besoj se e ka marrë parasysh federata dhe do t’i kompensojë ajo”, përfundoi reagimin e tij për gazetën, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu. Mbetet për t’u mësuar në ditët në vazhdim se çfarë do të ndodhë me skuadrën dhe hapat që do të ndërmarrin drejtuesit.

Related posts

NOTAT E KOMBËTARES/ Nga Manaj tek Kumbulla, shihni vlerësimet lojtarëve për paraqitjen ndaj Polonisë

Delo.autor

Bartomeu: Messi do të nënshkruajë kontratë të re me Barcelonën

Q.Autor

E PAZAKONTË/ Tre hektarë kanabis në stadiumin e skuadrës së Premier, banda kishte zaptuar pronën e… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment