Futboll Kategoria Superiore Sport

LARGIMI NGA VLLAZNIA PËR AMERIKËN/ Hasan Lika: Ishte një vendim shumë i vështirë, por…

Hasan Lika largohet nga Vllaznia. Duket se “ëndrra amerikane” e ka detyruar trajnerin që t’i japë fund para kohe rrugëtimit 7-mujor në Shkodër. Ai dje ka kryer të fundit stërvitje me ekipin dhe ka bërë gati valixhet për të lënë fillimisht qytetin dhe më pas të marrë avionin drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një vendim i marrë me shumë vështirësi dhe sidomos kur dihet që atje nuk është se e pret i njëjti profesion. Në një rrëfim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 59- vjeçari thekson se nuk donte që të ikte pa zhvilluar edhe ndeshjen me Besëlidhjen, mirëpo shtyrja e kampionatit i prishi planet.

Hasan Lika lë Vllazninë për Amerikën, sa i vështirë ishte ky vendim?

Shumë i vështirë, por isha i detyruar për motive familjare. Megjithatë, më duhet të falënderoj klubin që më mirëkuptoi.

Tani na tregoni pak të vërtetën, keni fituar lotarinë apo…?

Nuk ka lidhje me këtë pjesë, kam gati 15 vite që presim bashkimin familjar dhe m’u desh që të ikja pikërisht tani, pasi në fund të marsit më skadon edhe afati. E kisha menduar që të nisesha në fakt në datën 27, pasi të luaja edhe ndeshjen me Besëlidhjen, e cila mund të mbyllte njëherë e mirë edhe llogaritë me ngjitjen. Por shtyrja e kampionatit më kushtëzoi që të merrja një vendim të tillë.

Pasi të shkoni atje, keni në plan që të merreni sërish me trajningun apo ka ardhur koha që t’i dhuroni vetes disa pushime të mira?

Dëshira është që të vijoj pasionin tim edhe atje, por e di fare mirë që nuk po na pret kush “krahëhapur”. Do isha i lumtur që të ingranohesha qoftë edhe më fëmijët, por të shohim… Megjithatë, në Amerikë nuk po shkoj për të pushuar, por për të punuar.

Afro 25 vite karrierë si trajner, i lodhur nga ky rrugëtim?

Profesioni ynë është vërtet i bukur, por në të njëjtën kohë dhe një luftë e përditshme që të ngarkon edhe psikologjikisht. Shumëkush mund të thotë “çfarë lodhje ke, pasi s’po punon me kazmë…”, por edhe ne kemi ato vështirësitë tona.

E drejtuat Vllazninë për 20 javë, a ndieni keqardhje që nuk po e çoni misionin deri në fund?

Më vjen shumë keq. Por sikundër e thashë, deri në fund të marsit më skadonte viza për të hyrë në Amerikë. Unë i kisha vendosur në dijeni edhe drejtuesit në fakt. Për fat, gjithçka na shkoi shumë mirë, edhe pse matematikisht gara për Vllazninë nuk ka mbaruar.

A ju ka mbetur ndonjë pishman nga këto 7 muaj që kaluat në Shkodër?

Nuk kam asnjë pishmanllëk. I vetmi pishman që kam është se u largova më herët dhe dëshiroj që të gjithë të më kuptojnë drejt. I bëra që të gjithë përpjekjet për të qenë deri në fund, por nuk arrita. Kisha dëshirë që të përfundoja edhe takimin me Besëlidhjen, pasi mund të ishin zgjidhur shumë gjëra. Por e pata të pamundur.

Skuadra ka hedhur një këmbë në Superiore, megjithatë sa për qind të meritave ka Lika në këtë arritje?

Unë erdha për të kontribuuar që të rikthejmë Vllazninë aty ku i takon. Mendoj se të gjithë së bashku, duke filluar që nga tifozët, futbollistët ne si stafi i ekipit e klubit, ju si media kemi pjesë në këtë arritje të Vllaznisë. Pavarësisht se duhet edhe pak për të thënë përfundimisht, por them se gjithçka është arritur. Ne na kanë ndjekur tifozët deri në Peshkopi dhe s’ka sesi të mos kenë meritën edhe ata. Më vjen mirë që të gjithë na kanë duartrokitur për rezultatet.

Tashmë që e mbyllët me Vllazninë, mund të na thoni cili ka qenë lojtari më i disiplinuar dhe ai më kokëforti?

Për mua të gjithë lojtarët kanë qenë të disiplinuar dhe shumë korrektë në punë. Ata për më tepër më kanë suprizuar dhe janë ndier shumë mirë që ata sot(dje) më përcollën me duartrokitje.

Nëse nuk do ishit i detyruar të iknit, a do qëndronit edhe vitin tjetër në Shkodër?

Unë isha i gatshëm për të qëndruar me Vllazninë. Por, përgjigjja më ka ardhur nga nëntori dhe unë shpresoja që të mbaroja këtë punë. Dhe është e çuditshme ndjesia. Kur nuk e arrin dot diçka me zor e pret që të realizohet, pasi e arrin kërkon më shumë kohë. Kjo më ndodhi edhe mua. Megjithatë, besoj që të gjithë do të më mirëkuptojnë.

A ka nevojë që të ndryshojë kjo skuadër, pasi Superiorja do të jetë e vështirë?

Sigurisht. Edhe pse baza është, disa nga futbollistët janë të ndërgjegjshëm që ka nevojë për të rregulluar diçka. Çdo skuadër ka nevojë për përmirësim dhe sidomos pasi shkon nga Kategoria e Para në Superiore. Uroj vetëm që të mos përsëriten gabimet që u bënë në të kaluarën.

Në Shkodër ambienti është gjithnjë kritik, rishtas madje ju kanë thënë dhe stërthënë që të hidhnit më shumë sytë tek akademia. A ju ka bezdisur?

Ky është një kampionat që duhet t’i besohet eksperiencës. Dikush thotë që duhet t’u kishim dhënë më shumë hapësirë të rinjve. Ndoshta edhe duhet, por unë jam munduar që të fus gjithnjë në fushë më të mirët, pa nënvlerësuar të rinjtë. Unë ua kam thënë shpesh lojtarëve “shiko se ky është më mirë se ty për momentin, ndaj duhet të vazhdosh që të punosh”. Dhe më kanë kuptuar. Pastaj, të rinjtë duhet që të justifikojnë veten fillimisht në fushën e stërvitjes e më pas të jenë në formacion dhe jo të kërkojnë t’u jepet direkt dora, pasi mund të të marrin edhe krahun. Mosha për mua nuk është kriter, por meritokracia.

I keni lënë ndonjë porosi klubit tani që ikët, ndonjë lojtar që e keni pikasur dhe mund t’i bëjë mirë Vllaznisë?

Disa ishin te Vllaznia edhe vjet, por zgjodhën që të luanin një kategori më lart. Disa të tjerë i kemi evidentuar gjatë kësaj kohe. Rëndësi ka që ata të bëhen futbollistë dhe për më tepër t’i vlejnë Vllaznisë.

Dhe së fundmi, a keni një urim për Vllaznisë?

Uroj të kthehet shumë shpejt te titulli kampion.

Related posts

“SPECIALIST NË PRITJEN E PENALLTIVE”/ Media greke i thur elozhe Strakoshës: Nuk është rastësi që në 14 vjet karrierë arriti të…

Delo.autor

NGA JUVENTUSI DERI TEK LOJTARI MODEL/ Joao Cancelo rrëfen: Kur stërvitesh me më të mirët…

Delo.autor

E RRALLË/ Diagnostikohet me sëmundje seksualisht të transmetueshme, Barcelona pa mesfushorin për…

F.autor

Leave a Comment