Dita e derbit erdhi. Tirana e Partizani janë gati. Historia është kundër bardhebluve, që nuk fitojnë një derbi që në shkurtin e vitit 2015. Asokohe vendoste një gol i braziliani Gilberto dhe ajo përballje i përket së shkuarës. Dy njerëz të familjes, Ardian Mema dhe Skënder Gega, kanë menduar strategjitë për të “marrë” qytetin. Tirana do vishet bardheblu, apo do mbetet e kuqe. Vendoset pas betejës 90-minutëshe dhe gjithçka nis prej orës 18:00. Diçka është e sigurt: spektakli në tribuna nuk do të mungojë, ndërsa një biletë sot do jetë e vështirë të gjendet në treg.
FORMACIONET DHE ARBITRAT– Ecuria e mirë e të dy ekipeve bën që mos të ketë shumë ndryshime. Mungesa e madhe e derbit është Lorenc Trashi, i pezulluar. Rikthehet i gatshëm Erjon Hoxhallari për Tiranën dhe mbrojtja bardheblu merr “pamjen” e mëparshme, me Imamin që spostohet në qendër krah Turtullit.
Dilema e vetme gjatë kësaj jave ka qenë lojtari që do të luajë në krahun e djathtë të sulmit. Kobina në njërën anë ka shënuar dy gola në takimet e fundit, kurse Doka nga ana tjetër garanton edhe ndihmë për Kërçikun që luan në mbrojtje. Ganezi është favorit, por mbetet për t’u parë deri në momentet e fundit se kush do të luajë titullar.
Te Partizani Gega i është rikthyer sulmit të zakonshëm, duke i shtuar “ansamblit” të treshes Barshi-Asani-Mala edhe Emanuel Mensah. Në ndeshjet e mëparshme patën mundësinë të bindnin Kardozo e Duka. Tanimë nuk ka më prova, Mensah pritet të luajë nga fillimi. “Xholi” Atanda ndërkohë do të aktivizohet në mesfushë krah Telushit.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 24
E premte, më 1 mars, ora 18:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë
TIRANA-PARTIZANI
Tirana: Abibi – Kërçiku, Turtulli, Imami, Hoxhallari – Mauexhe, Karabeci, Hasani – Kobina, Greca, Ngo. Trajner: Ardian Mema
Partizani: Hoxha – Ibrahimi, Rexhepi, Belica, Idrizaj – Telushi, Atanda – Asani, Mensah, Mala – Bardhi. Trajner: Skënder Gega
Gjyqtarë: Enea Jorgji, Dojando Myftari, Nertil Bregasi, Astrit Mahmuti; Gjyqtar –ë/e linje: Juxhin Xhaja, Emanuela Rusta
Delegat: Marjus Sulejmani
