Europa League Futboll Sport

FINALJA EUROPA LEAGUE NDAJ ARSENAL/ Hazard del hapur: Do të ishte lamtumira perfekte nëse…

Të ngresh trofeun e fundit së bashku: a ekziston një mënyrë më e mirë për të thënë lamtumirë? Eden Hazard del zbuluar në vigjilje të finales së Ligës së Europës në Baku, atje ku Çelsi do të përballet sot kundër Arsenalit: skuadra e Mauricio Sarrit ndjek trofeun europian, që klubit i mungon prej sezonit 2012- 13, kur në stolin e bluve të Londrës ishte Rafa Benitez dhe ishte pikërisht Liga e Europës trofeu që fitonte.

Në atë kohë, Hazard ishte në sezonin e tij të parë në Londër, por e humbi finalen për shkak të një dëmtimi muskulor në kofshë. Por tani, duket se ka ardhur momenti për t’u përshëndetur përfundimisht me Çelsin me trofeun në duar.

FINALE – Belgu, i cili këmbëngul se ende asgjë nuk është vendosur për të ardhmen e tij, pranon se ngritja e trofeut në Baku do të ishte mënyra perfekte për t’u përshëndetur me Çelsin. “Është një kompeticion europian, kështu që është diçka e rëndësishme për mua, për klubin, për trajnerin dhe për tifozët”, thotë 28-vjeçari gjatë një interviste për “Daily Mail”: “Kur luan një finale, nuk ka rëndësi nëse është ajo e Ligës së Kampioneve, e Ligës së Europës apo e Kupës FA, sepse ti kërkon vetëm që ta fitosh, të sjellësh në shtëpi trofeun dhe të festosh”.

LAMTUMIRA PERFEKTE – Ylli i Abramoviçit nuk e ka harruar humbjen me Mançester Sitin me penallti në aktin e fundit të Kupës së Ligës këtë vit. “Humbëm finalen e Kupës Karabao dhe Liga e Europës është trofeu i vetëm që mund të fitojmë. Dua ta fitoj, nuk ka rëndësi nëse shënoj apo jo. Nëse do të jetë ndeshja ime e fundit me Çelsin, shpresoj që të ngre kupën. Do të ishte lamtumira perfekte”. Në dritare është gjithnjë Reali i Madridit, i cili mezi po pret të shpallë zyrtarizimin e lojtarit të preferuar të Zinedin Zidanit, i cili e adhuronte që kur ishte te Lila në Francë. Hazard përfundon duke thënë se ai nuk do ta tradhtojë kurrë Çelsin për një tjetër skuadër në Angli: “Nuk ka asnjë mundësi. Jam blu! Nuk mund të luaja për një tjetër klub në këtë vend”. Hazard ka shënuar 108 gola në 351 ndeshje për Çelsin, ku ka fituar dy herë Premier Ligën, Ligën e Europës, një Kupë FA dhe një Kupë Lige. Me suksesin në Ligën e Europës, do të mbyllej një cikël i hapur gjashtë sezone më parë.

Related posts

Dorëheqja e Zidane e lidhur me largimin e Ronaldos?!

Sadik.Autor

SHKROI HISTORINË NË KUPËN E BOTËS/ Ish-sulmuesi i Inter gati të nisë aventurën e re si trajner

Delo.autor

LIVE/ Shqipëri-Jordani: Pjesa e dytë nis furishëm, Balaj ndalet mrekullisht nga portieri mik (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment