Futboll Sport

LEKSIONET E AJAKSIT NDËR VITE/ Mishels, Krojf dhe Van Gal na kanë magjepsur. “Futbollin total” ua mësoi një… anglez

Ajaksi na ka befasuar. Ajaksi na ka argëtuar. Dhe gjigantët e Amsterdamit nuk bëjnë dot tifozë armiq, edhe kur përballë kanë pikërisht skuadrën e tyre që luan. Është rikthyer Ajaksi i kohëve të shkuara. Ku ishin “harkëtarët” gjithë këto vite? Nga dolën?

Një përgjigje që mund ta gjejmë vetëm në historinë e gjatë të këtij klubi, ose ndoshta në një përrallë futbolli, në të cilën Davidi mposht Golian. Për t’u dhënë leksion mbrojtjeve të Benfikës, Bajernit të Mynihut, Realit të Madridit, Juventusit dhe Totenhemit, duhet të kesh diçka speciale.

Mbi të gjitha kur një fantazist i panjohur tregohet më efikas sesa kampionët e kopertinave dhe akoma më shumë kur sheh një kapiten të ri, të dalë nga fusha me grushtet në qiell, ndërsa Modriç dhe Kristiano Ronaldo largohen kokulur drejt dhomave të zhveshjes. Asgjë nuk është një rastësi dhe një finale me Barcelonën do të ishte akoma më e bukur për tifozët e “Futbollit Total”. Pse? Sepse Barcelona ka një histori të lavdishme mbi të gjitha falë një serie trajnerësh të mëdhenj të formuar pikërisht tek Ajaksi, të cilët prej 50 vitesh, mbushin vitrinat e këtyre dy klubeve.

I pari ishte Mishels, i ndjekur vite më pas nga Krojf. Dhe në fund Van Gal. Këta të tre, mësuan “Futbollin Total” në Spanjë dhe u bën frymëzues të mentalitetit të trajnerëve të rinj, Pep Guardiolës në radhë të parë. Së bashku i dorëzuan katalanasve 17 trofe, 4 prej të cilëve ndërkombëtarë. Prandaj, një takim në finalen e Champions-it për herë të parë në histori, do të ishte diçka speciale, pa i hequr asgjë Totenhemit dhe Liverpulit.

Por si po e ndryshon Ajaksi futbollin? Për ta kuptuar duhet të bëjmë një kthim pas në kohë, në brezat dhe trajnerët që e bënë këtë skuadër të madhe, duke nisur nga ai i një anglezi, i cili u ul në stolin e “harkëtarëve” në vitin 1915, deri te shpikja e “Futbollit Total”, që revolucionarizoi taktikën e historisë së futbollit.

BREZI REJNOLDS

Ishte viti 1947 kur një prej trajnerëve më modernë të futbollit u tërhoq për të hapur një dyqan cigaresh në qendër të Amsterdamit. Ishte i panjohur në pjesën tjetër të Europës, por një idhull në Holandë. Quhej Xhek Rejnolds, kishte lindur në Mançester dhe kishte bërë një jetë sakrificash. Ishte një gjeni taktike: i pari i madh në histori. Me të u shpik “Futbolli Total”, një formë loje ku lojtarët shkëmbenin rolet gjatë ndeshjes.

Falë këtij revolucioni në taktikë, Ajaksi u ngjit menjëherë në elitën e futbollit holandez që në vitin e debutimit të tij në stol (1915), për të fituar më pas 8 tituj kampion në harkun e 30 viteve. Revolucionarizoi edhe ekipet e moshave. E la ekipin si fitues, si njëfarë Sër Aleks Fergusoni në kohët moderne. Ai prodhoi mitin Rinus Mishels dhe e ndërtoi Ajaksin pikërisht rreth këtij sulmuesi.

BREZI MISHELS (DHE KROJF)

Mishels ishte nxënësi i përzgjedhur i Rejnolds dhe mjeshtër i trashëgimisë së “Futbollit Total”. Me të, kjo formë loje u bë e famshme në të gjithë Europën. Revista “France Football” e vendosi në vend të parë, në listën e trajnerëve më të mirë të historisë, sepse fitoi gjithçka mund të fitohej, përfshirë Europianin e 1988 me kombëtaren holandeze.

Dhe ndoshta e transformoi Ajaksin nga një skuadër kombëtare, në një botërore. E dërgoi në finalen e Kupës së Kampionëve në dy raste: në të parën, holandezët pësuan 4 gola nga Milani, në të dytën fituan trofeun e tyre të parë ndërkombëtar. Ajo që nisi 55 vite më parë nga Rejnolds, u vijua nga nxënësi i tij duke nisur nga sezoni 1965-71. Liderët e skuadrës ishin dy talente: i pari, Johan Neskens, ndërsa i dyti ishte futbollisti më i madh Holande i të gjitha kohërave (së bashku me Van Bastenin). I pari që fitoi tre “Topa të Artë” dhe e dirigjoi Holandën e tij drejt dy finaleve radhazi në Kupën e Botës, të dyja të humbura: ishte Johan Krojf.

“Profeti i golit” kishte një teknikë super të rafinuar dhe elegancë. I pamarkueshëm, inteligjent. Krojf fitoi dy Kupa të tjera Kampionësh, këtë herë nën drejtimin e Stefan Kovacs. Rinus Mishels e la Ajaksin si fitues për të shkuar dhe stërvitur Barcelonën. Krojf e ndoqi pak vite më vonë, por nuk patën më fatin e Amsterdamit.

BREZI VAN GAL

Rilindja e Ajaksit nisi në fund të viteve 1980, me fitimin e Kupës së Kupave. Nëse në sulm ishte Van Basten, në stol ulej pikërisht ai: Johan Krojf. Për trajnerin e ri, ishte titulli i parë ndërkombëtar. Vitin pasardhës një tjetër ish-lojtar i “harkëtarëve”, pak i tërhequr, ulej në stol, por si zv/trajner. Ishte Luis Van Gal.

Futbolli i tij nuk kufizohej vetëm në fushën e lojës: por lindte nga disiplina e çdo dite, nga marrëdhëniet mes shokëve të skuadrës dhe trajnerit. Çdo lojtar duhet të njihte në perfeksion rolin e tij, por edhe atë të shokut të skuadrës, për ta zëvendësuar në rast mungese. Ai modul 4-3-3 mund të ndryshonte në çdo moment. Debutimi i tij si trajner i skuadrës së parë erdhi në 1991, me sezonin e nisur. Dhe atë vit, për Ajaksin erdhi fitorja e Kupës UEFA, me goditjen e parë.

Tri vite më vonë, Van Gal fitoi trofeun më prestigjioz, Champions-in. Mundi në finale, 1-0 Milanin e Kapelos. Në atë skuadër kujtohen shumë kampionë, kujtojmë: Van der Sar, Blind (babai i mbrojtësit aktual të Ajaksit), Bogarde, Raiziger, vëllezërit Frenk dhe Ronald de Bur, Davids, Sedorf, Kanu, Overmars, Litmanen dhe Klaivert. Për më tepër, ishte ndeshja e fundit e një Rajkardi, i cili ngrinte Champions-in e tretë. Një minierë talentesh. Shumë prej tyre u eksportuan në Europë, te Milani në radhë të parë, që krijoi koloninë holandeze, por një koloni tjetër e ndoqi Van Galin në Barcelonë. Ajo ishte skuadra e fundit holandeze që fitoi Champions-in.

BREZI IBRAHIMOVIÇ

Në fund të viteve 1990, Ajaksi kaloi një periudhë të vështirë. Erdhi Ibrahimoviç dhe në drejtimin e skuadrës nga Kuman, u bë pikë referimi. Vitin pasardhës, Ajaksi u bë protagonist i Championsit 2002-03, duke u eliminuar nga Milani i Ançelotit në një çerekfinale drithërimash. Brezi i Ajaksit përbëhej edhe nga Kivu, Heitinga, Van der Mejde, Mido, Maksuell, Shnajder, De Jong, Van der Vart. Disa prej këtyre yjeve shkëlqyen edhe me kombëtaren holandeze në Botërorin 2010, kur i mundi Spanja në finale.

BREZI TEN HAG

Të ngrejë dorën kush e njihte Ten Hagun përpara karrierës së tij si trajner. Ndoshta shumë pak. Si trajner nisi të formohet përkrah trajnerit MekLaren, në drejtimin e Go ahead Eagles, në Kategorinë e Dytë në Holandë. Ai që e bëri të ulej në stol ishte një aksioner i skuadrës, Mark Overmars: ish-shok skuadre i Guardiolës te Barcelona. Dhe në harkun e një viti, u gjet te Bajerni i Mynihut të Guardiolës, për të mësuar futbollin e katalanasit të rinjve.

U bë trajner i skuadrës së dytë dhe u mësoi sekretet e “tiki-takas” gjermanëve. Rezultatet ishin të dukshme dhe u thërrit në atdhe për të drejtuar Utrehtin. Nuk fitoi asgjë, por me dorën e tij e dërgoi skuadrën në nivele të larta. Derisa erdhi thirrja e Ajaksit. Derisa arriti në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve. Erik vjen pas viteve të errëta të klubit. Ndonjë trofe është fituar, dakord, por vetëm brenda Holandës. Sot ka në duart e tij një brez solid dhe kompakt, i krijuar nga një brez i ri kampionësh, të cilët janë bërë edhe emrat e rinj në listën e gjatë të shpenzimeve të klubeve të mëdha europiane.

Lideri i këtij grupi është i riu De Ligt, kapiten që në moshën 19-vjeçare. Pastaj është De Jong, i cili e dërgoi vlerën e kartonit të tij në qiell, me transferimin prej 71 milionë eurosh te Barcelona. Dhe nuk mbetet më pas as Doni van de Bek, Tadiç, Taljafiko, Zijeh dhe Neres. Përshtypja është se shikon një skuadër moshash të futbollit holandez. E megjithatë mungon diçka. Mungon Liga e Kampionëve, larg Amsterdamit prej 25 vitesh.

Do të ishte shpërblimi i një grupi të talentuar dhe solid, i cili po largon nga kompeticioni kampionë pas kampionëve, klube të ndërtuara për të fituar. Nuk na ngelet gjë tjetër, veçse të ulemi në kolltuk dhe të shikojmë ndeshjen e radhës. Të emocionohemi në të njëjtën mënyrë si prindërit tanë ose gjyshërit emocionoheshin përpara Krojfit. Sepse çdo çerekshekulli, kjo skuadër na jep një leksion dhe na bën tifozë të lojës së bukur: edhe kur ngjyrat e fanellës nuk janë ato të skuadrave tona.

Related posts

Publikohen formacionet zyrtare për ndeshjen midis Atletico Madrid dhe Sporting Lisbonës

Sadik.Autor

Gatusso i përlotur pas vdekjes së Astorit: Nuk mendoj për derbin, kjo tragjedi na ka prerë krahët

Q.Autor

Houston dhe Golden State finalistët për titull në Perëndim

Sadik.Autor

Leave a Comment