Futboll Sport

“NDIZET” DERBI/ Halili: Ka premio për Tiranën, të mundim Partizanin dhe të marrim Kupën

Refik Halili beson se ekipi i tij do të fitojë në derbi ose të paktën do të bëjë të pamundurën. Në fund të sfidës me Luftëtarin, të fituar 5-3, presidenti i Tiranës, për “Panorama Sport”, në një bisedim të shkurtër, tha dy fjalë për ekipin e tij.

Nuk kishte si të mos ishte i kënaqur për kualifikimin, por tha se tani ekipin e pret një punë më e madhe, ajo e fitimit të trofeut. “Normalisht që jam i kënaqur, por skuadra duhet të fitojë në finale. Duhet ta mbyllim sa më mirë sezonin dhe Kupa është një nga objektivat tanë”, tha presidenti i bardhebluve.

SHPËRBLIMI – Të gjithë e dinë se presidenti i Tiranës tregohet zemërgjerë kur skuadra triumfon. Një gjë të tillë do ta bëjë sërish nëse skuadra nderon atë, tifozët, fanellën bardheblu dhe veten. “Premio? Ju e dini që gjithmonë ka premio. Skuadrës nuk i ka munguar një gjë e tillë. Edhe për Kupën, nëse e fitojnë, dhe derbin, sigurisht do të mendojmë diçka. Skuadra ka pasur gjithmonë mbështetjen time”, është shprehur Halili.

DERBI- Në fjalën e shkurtër për “Panorama Sport”, Halili la të kuptohet se në derbi dhe me Kastriotin ekipi duhet të tregojë veten. Sipas tij, nuk duhet asnjë dhuratë nga askush, sepse ai kurrë nuk kërkon dhurata. “Ju e dini që unë dua gjithçka që skuadra ta fitojë në fushë. Djemtë e dinë shumë mirë se çfarë është derbi dhe çfarë është një fitore. E duam një fitore në këtë ndeshje dhe djemtë duhet të tregojnë veten në fushën e lojës. Do ta mbyllnim mirë këtë sezon”, vazhdoi më tej presidenti i Tiranës.

GJOBA – Është folur për kërcënimin dhe gjobën e famshme të vendosur nga presidenti i bardhebluve nëse skuadra nuk arrin objektivat. Vetë Refik Halili sqaron situatën. “Çunat e kanë vetë në dorë të bëjnë kthesën që në derbi. Jam i bindur që në derbi duhet të tregojnë veten, jo vetëm për Tiranën, por edhe për veten e tyre atë që u takon. Kanë në dorë fatin e tyre”, ka mbyllur Refik Halili.

VIZITA – Presidenti ka qenë dje i pranishëm edhe në stërvitjen e Tiranës. Ai ka parë ekipin nga zyrat e reja të klubit në “Skënder Halili”. Presidenti si zakonisht i qëndron afër ekipit sa herë afron derbi apo ndeshje të rëndësishme të kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë

Related posts

EUROPA LEAGUE/ “Shpërthen” 18-vjeçari i Arsenal, realizon dy gola në 3 minuta (VIDEO)

Delo.autor

PUBLIKOHET LISTA E BOMBERAVE TË 2021/ Armando Broja lë pas talente si Wirtz, Saka e Musiala

Delo.autor

Rrëfehet Kondogbia: Kam kushtuar më shumë se Fenomeni, por tek Inter dështova prej atij

Q.Autor

Leave a Comment