Futboll Kategoria Superiore Sport

NGA BESIMTARË TEK PISTOLETA/ Protagonistë pas golave të shënuar, ja festimet më pikante në Superiore

Në një sport ku 22 lojtarë vrapojnë pas topit me synimin final për ta përplasur në rrjetë, është e kuptueshme që grupi dhe forca e tij kanë më shumë rëndësi për të arritur objektivin me fitore pas 90 minutave.

partizani ushtare

Loja më e populluar në botë është plot pasion dhe adrenalinë, por megjithëse bëhet fjalë për një lojë ekipore, në fund, gjithsesi, ata që tundin rrjetën marrin edhe krenarinë dhe meritat në shumicën e rasteve. Përveç golave normalë, janë ata më spektakolarët dhe më të paimagjinueshmit që të bëjnë të përjetosh akoma më shumë me madhështinë e kësaj loje, por ajo që i identifikon lojtarët në një prizëm tjetër, veç mënyrës së lojës, është edhe festa e tyre, pas golit të shënuar.

Me përhapjen në masë të rrjeteve sociale, lojtarët në të gjithë botën, dhe së fundmi edhe në Kategorinë Superiore, kanë filluar të kenë mënyrat e tyre të veçanta të festimit të golave. Në një vëzhgim të këtyre javëve të kampionatit shqiptar, vihet re se nuk kanë munguar as në Shqipëri festimet speciale të golave, edhe pse disa herë të huazuara nga lojtarë të famshëm në Europë apo më gjerë. Ulërima, shenjë identifikuese e një ushtari, kërcime me ritme latine apo edhe rite fetare në fushën e lojës, janë vetëm këto disa nga festat që protagonistët në Superiore kanë bërë pas golave të shënuar.

sentamu kercen

Në vëzhgimin e gazetës, veçanërisht në këtë sezon, krahasuar edhe me kampionate dhe ekipe të tjera në botë, është se në Shqipëri po futet gjithmonë e më shumë festa uniformë e të gjithë ekipit. Në një kohë kur Ronaldo te Juvja ka festimin e tij karakteristik, apo Grizman e Pogba bien në sy nga të tjerët për mënyrën e tyre të celebrimit pas shënimit të golave, Superiorja këtë sezon ka pasur disa ekipe, lojtarët e të cilave festonin para aparatit, të gjithë në uniformë, duke u bërë në njëfarë mënyre “fotomodelë” apo “fotozhenikë” para fotografëve në fushë.

KËRCIMET

Një nga festimet më të përdorura është pikërisht kërcimi pas një goli të shënuar. Dhe këtë festë nuk do e bënte dikush tjetër më mirë se një brazilian i rritur me kërcimet “samba” në Amerikën Latine. Është Uilliam Kordeiro Melo, që një festë të tillë bashkë me Rexhinaldon, e demonstroi që në ndeshjen e javës së parë, në Elbasan pas golit ndaj Laçit.

bardhi kercen

Me një kërcim të veçantë dhe ritme të tilla, zgjodhi të festojë edhe ugandezi i Tiranës, Junus Sentamu, në golin e shënuar ndaj Kamzës në javën e 10-të të Superiores. Një tjetër futbollist që kërcimin e përdor për t’u dëfryer pas golit është edhe Jurgen Bardhi. Mesfushori me tipare sulmuese i Partizanit, diçka të tillë e ka bërë në dy takime ku ka shënuar ndaj Kastriotit, ku ka zgjedhur lëvizjet e veçanta me duar e këmbë për të festuar realizimet në portë.

USHTARË

Të kesh mbi “kokë” një strateg si Skënder Gega, asnjëherë nuk bën dëm të jesh i bindur. Diçka të tillë e kuptoi shumë mirë Bruno Telushi, i cili këtë sezon kishte pa dyshim një nga festimet më unike përgjatë kampionatit. Që në javën e dytë të Superiores, pas golit të shënuar ndaj Kamzës në transfertë, mesfushori vlonjat i habiti të gjithë, për mirë, me festimin e tij.

telushi ushtar

Goli ishte spektakolar, direkt e në rrjetë nga një goditje dënimi, por po aq i bukur ishte edhe veprimi pas këtij realizimi. 28-vjeçari u kthye drejt stolit të “demave” dhe me dorën e djathtë te koka, me një simbol nderimi i përdorur gjerësisht nga ushtarët në ushtri, përshëndeti stafin dhe të gjithë drejtuesit që ishin në tribunë. Pas këtij festimi, edhe një ulërimë, më shumë çlirimi pas golit të parë, që me gjasë paralajmëronte një sezon të madh të Telushit në radhët e tashmë kampionëve të Shqipërisë. Ky festim u bë një ritual në ndeshjet që vijonin më pas dhe numri 17 i Partizanit diçka të tillë e ka bërë edhe në ndeshjen e javës së 11-të, po ndaj Kamzës apo edhe pas golit të shënuar në shtëpi ndaj Kastriotit.

Më pas, ky lloj festimi i golave, u kthye në “modë” edhe në shtëpinë e kuqe dhe të gjithë lojtarët festonin si ushtarë drejtuar stolit të tyre, sa herë shënonte Telushi. Emocionuese ishte edhe ndeshja që Partizani fitoi 2-0 në shtëpi ndaj Skënderbeut për llogari të javës së 28-të. Telushi kishte dy ndeshje që nuk luante me “demat”, pas dëmtimit në mushkëri në ndeshjen ndaj Teutës, gjë që e mbajti për rreth dy javë edhe në spital, ku kreu edhe një ndërhyrje kirurgjikale. Pikërisht në takimin ndaj korçarëve, pas të dy golave të shënuar nga Belica dhe Asani, ekipi i kuq iu drejtua tribunës në “Selman Stërmasi” për t’ia dedikuar Telushit të dy golat, teksa festonin të gjithë si ushtarë, pas atij momenti të vështirë që kishte kaluar vlonjati.

BESIMTARËT

Një tjetër festim karakteristik, që pothuajse nuk mungon në asnjë sezon të Superiores, është edhe falja. Të shumtë janë futbollistët besimtarë, që një pjesë të suksesit të tyre në këtë sport nuk harrojnë asnjëherë t’ia dedikojnë Zotit, qoftë me festimet në fushë apo edhe në intervistat pas ndeshjeve. Amadu Latif është një nga futbollistët e tillë që bie gjithmonë në sy.

latif falet

Pothuajse pas çdo goli me fanellën e Teutës, sulmuesi me origjinë nga Gana ulet në gjunjë në fushën e blertë për të kryer ritin fetar të fesë myslimane. 25-vjeçari e ka bërë diçka të tillë në golin e shënuar ndaj Skënderbeut në javën e 6-të, apo edhe në transfertat ndaj Kastriotit, Laçit e Luftëtarit. Besimtarë të devotshëm gjejmë edhe te Skënderbeu. Sulmuesi Blerim Krasniqi nuk ka shënuar aq sa pritej me fanellën bardhëkuqe këtë sezon, por në ato raste që ka tundur rrjetën, nuk ka harruar të kryejë festimin e tij me rite fetare. Diçka të tillë sulmuesi me origjinë nga Kavaja e ka bërë pas golit të shënuar ndaj Laçit në takimin e javës së 21-të, apo edhe në ndeshjen e javës së 29-të ndaj Kastriotit.

krasniqi falet

Por, rasti më interesant ishte ai, pas golit në javën e 31-të, në shtëpi ndaj Flamurtarit. Teksa të dielën e 28 prillit, në një qytet si Korça, festoheshin Pashkët ortodokse, Blerim Krasniqi shënoi në fitoren 2-0 ndaj vlonjatëve dhe u ul në tokë, duke festuar me rite të besimit mysliman. Një tolerancë fetare, që e bën akoma më të bukur këtë lojë. Gjithashtu, një festim të tillë e ka bërë edhe Ardit Hoxhaj, në takimin e javës së 8-të ndaj Luftëtarit, në Gjirokastër.

PISTOLETAT

Një nga lojtarët që ka bërë pa dyshim bujë këtë sezon me golat e tij në Itali është Kristof Piontek, te Xhenoa, e gjysmën e dytë të sezonit te Milani. Përveç ritmit të tij të frikshëm në bashkimin e topit me rrjetën, tifozët e Milanit janë “çmendur” edhe me mënyrën e tij të festimit, me shenjën e pistoletave që bën me duart e tij. Një festimi të tillë, në Shqipëri e ka sjellë edhe sulmuesi i Laçit, Redon Xhixha.

redon xhixha pistoleta

Goli në minutën e 99-të ndaj Tiranës, që solli barazimin për kurbinasit, dhe ndaj Teutës brenda në shtëpi, u shënuan pikërisht nga 20-vjeçari Xhixha, dhe ai zgjodhi t’i festojë me “pistoletat” e polakut Piontek, teksa rrëshqet mbi fushën e blertë. Një lloj tjetër “pistoletash” i ka përdorur në fakt jo vetëm Xhixha, por edhe një trajner. Bëhet fjalë për Bledar Devollin, i cili festonte në një mënyrë të tillë, kur ishte trajner i Kamzës në fillim të kampionatit. Ekipi i tij fitonte 0-1, brenda në kryeqytet ndaj Tiranës, pas golit në minutën e 89- të shënuar nga Plaku, duke bërë një surprizë që në javën e parë të kampionatit.

devolli pistoleta

Një ndeshje e përgatitur mjaft mirë nga Devolli u shpërblye me fitore në fund dhe vetë tekniku nuk nguroi ta shfaqë gëzimin e madh. Ai u kthye nga tribuna dhe me duart që formonin shenjën e pistoletës festonte një fitore të madhe.

“KASAPI” ALVESH

Një festim sa i veçantë aq edhe i frikshëm erdhi këtë sezon nga sulmuesi i Flamurtarit në gjysmën e parë të sezonit, Danilo Alvesh. Braziliani, në dy prej golave të shënuar, përkatësisht në shtëpi ndaj Tiranës në javën e 9-të dhe në transfertë ndaj Kukësit në takimin e javës së 11-të, zgjodhi të festonte si një “kasap”. 28-vjeçari, që tashmë aktivizohet në radhët e Okzetpe në Kazakistan, lëvizte dorën e tij në një mënyrë të tillë, sikur po priste duart apo fytin e dikujt, si të ishte një aktor i denjë për filmat horror.

alvesh kasapi

ULËRIMA

Edon Hasani nuk është një sulmues i mirëfilltë dhe në një sezon ku reparti i avancuar i Tiranës ka zhgënjyer tej mase me golat me “pikatore”, ka qenë shkodrani që me tundjet e tij të rrjetave u ka dhënë pikë të rëndësishme bardhebluve. Pothuajse të gjithë golat e shënuar, Hasani ka zgjedhur t’i ndajë bashkë edhe me shokët e skuadrës, por një festim i veçantë ishte ai i javës së 32-të, kur Tirana fitoi minimalisht 1-0.

hasani ulerima

27- vjeçari shënoi vetëm në minutën e 90-të ndaj korçarëve dhe në një stadium pa tifozë, shkoi poshtë tribunës VIP për të festuar, ku e liroi totalisht veten dhe lëshoi një ulërimë aq të madhe, saqë u dëgjua edhe në transmetimin “live” të ndeshjes. Gol dhe 3 pikë e bëjnë legjitime festën e Hasanit, që në fund mund të vlejë shumë për Tiranën. Ulërima e Hasanit ishte pa dyshim një shenjë sakrifice për sezonin e vështirë që po kalojnë 24 herë kampionët e Shqipërisë.

Related posts

SFIDA NDAJ SHQIPËRISË/ Radiot franceze “tërbohen” me FSHF: Nuk transmetojmë ndeshjen nga stadiumi i ri sepse…

Delo.autor

FITORE SPEKTAKOLARE/ Kampionët e Anglisë mposhtin me përmbysje West Ham dhe marrin kreun

Delo.autor

PO SHKËLQEN NË KAMPIONATIN TURK/ Ish-sulmuesi i Partizanit protagonist me asist ndaj Genxhelerbirlig (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment