Eredivisie Futboll Sport

PAS 5 SEZONESH NË ROTERDAM/ Van Persie luan ndeshjen e fundit të karrierës

Robin Van Persi do të luajë ndeshjen e tij të fundit të karrierës të dielën kur Fejnordi do të presë Den Hag në shtëpi në kampionatin holandez.

Sulmuesi 35-vjeçar deklaroi pak muaj më parë se po mendonte t’i jepte fund karrierës së tij në mbyllje të sezonit dhe ndeshja e tij përmbyllëse do të jetë pikërisht në javën e parafundit të Eredivisie.

Trajneri Xhovani Van Bronkhorst konfirmoi gjithçka në konferencë për shtyp: “Ai do të ketë mundësinë t’i gëzohet këtij momenti para tifozëve tanë, do të jetë një fund i mrekullueshëm për karrierën e tij”.

Fundi i karrierës së sulmuesit do të jetë në të njëjtin vend ku debutoi si profesionist, në stadiumin “De Kuip” ku veshi për herë të parë fanellën e Fejnordit.

Pas 5 sezonesh në Roterdam, ai firmosi me Arsenalin në vitin 2004 duke u kthye në një legjendë në këtë klub për të cilin luajti më shumë se 270 ndeshje.

Lamtumira nga “topçinjtë” u rrethua me polemika në vitin 2014, pasi ai zgjodhi Manchester United ku fitoi menjëherë titullin kampion, ndërsa më pas u transferua te Fenerbahçe dhe në vitin 2017 u kthye te Fejnord.

Ai mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e përfaqësueses së Holandës, me 50 të tillë të realizuar në 102 ndeshje.

Lamtumira për shumëkënd dukej e parakohshme duke llogaritur se në edicionin aktual, Van Persi ka luajtur 30 ndeshje në kampionat duke shënuar 18 gola.

Related posts

TAKIME SEKRETE NË VILËN E SHAKIRËS/ Këngëtarja dhe Hamilton shijojnë lidhjen

F.autor

PRITET INAGURIMI/ Merr formë stadiumi i Kukësit pas vendosjes së stolave. Shikoni si duket impianti modern (VIDEO)

Delo.autor

PËRGATIT “BOMBËN” E MERKATOS/ Chelsea gati 100 milionë euro për futbollistin e Atleticos…

Delo.autor

Leave a Comment