Futboll Kategoria Superiore Sport

KORÇA PËRÇAHET PËR “SKËNDERBEUN E RI”/ Ideja e Takajt nuk mbështetet plotësisht

Projekti i ri për vijimin e futbollit në Korçë duket se po has vështirësi dhe pengesa për sa i përket unifikimit të mbështetjes së tifozëve. Të enjten presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, takoi një përfaqësi të tifozëve të Skënderbeut, me të cilët bisedoi për projektet që e presin futbollin korçar për ta ringritur në elitë, atje ku ka qenë ekipi në këto vite, sërish skepticizmi është i madh.

Nëse një pjesë e mirë e tifozëve dhe mbështetësve të Skënderbeut u bashkuan me mendimin e krijimit të një tjetër skuadre në Korçë, e cila do të “blihet” nga Takaj dhe do të vijojë aktivitetin si pjesë e pandarë e qytetit dhe aktivitetit sportiv të saj, ka edhe një pjesë që e kundërshtojnë hapur këtë ide, por edhe të tjerë që japin zgjidhjet e tyre. Ajo që ndodhi në “samitin” e thirrur nga presidenti Takaj duket se gjeti mbështetje të gjerë në një pjesë të konsiderueshme të përkrahësve të futbollit në qytet, që për hir të lavdisë futbollistike të juglindjes dhe Korçës në veçanti do të përkrahin një projekt të ri që do të jetë përsëri si pjesë e pandarë e arritjeve të Skënderbeut, por gjithmonë pa shuar plotësisht emrin e ekipit që bëri historinë në Europë. Por, në këtë pikë tifozët duket se janë ndarë.

Skenderbeu-tifozet-470x313

REAGIMET

Në rrjetet sociale menjëherë pas takimit të presidentit me një përfaqësi tifozësh është hapur një debat i madh. Një pjesë e mbështetësve më të flaktë të Skënderbeut janë vendosur kategorikisht kundër krijimit të një ekipi të ri që do të përfaqësojë Korçën dhe sipas tyre emri Skënderbe është aq i rëndë, sa askush nuk do të mund të mbështesë diçka tjetër. Tifozët e këtij grupi e kanë shprehur edhe në komentet dhe postimet e tyre këtë fakt duke vijuar se pa Skënderbeun dhe pa historinë dhe trofetë e këtij klubi është e kotë që të flasësh për futboll në juglindje. Ndërsa në anën tjetër, qëndrojnë ata tifozë që një zgjidhje e duan, por nuk pranojnë ekipe të tjera të transformuara si skuadra të qytetit të Korçës.

Komentet e tyre janë pro ngritjes së një ekipi të ri, i cili mund të ketë emrin e Akademisë së Skënderbeut e nisur së fundmi nga Takaj, por që kushti i tyre qëndron në faktin që kjo skuadër ta nisë nga Kategoria e Tretë dhe të ngjitet në elitë, duke mos i pasur borxh askujt për këtë arritje. Gjithsesi, pavarësisht mendimeve të ndryshme, ai që vendos është Ardjan Takaj, i cili dukshëm është i palëkundur në idenë e tij se nuk do ta lërë Korçën pa futboll cilësor. Vendimi duket se mund të shkojë ndesh me parimet dhe bindjet e një numri të konsiderueshëm tifozësh korçarë, por që për të tjerë konsiderohet si e keqja më e paktë. Në kohën kur të gjithë e quajnë Skënderbeun të dënuar përjetë nga vendimi i UEFA-s, i cili u la në fuqi edhe nga KAS, zgjidhja mbetet te diçka tjetër. Diçka që Takaj duket se e ka ndërtuar në projektet e tij dhe pritet vetëm të vihet në zbatim. Vendimi zyrtar është çështje orësh…

Related posts

HUNGARI-SHQIPËRI/ Fiksohen titullarët “kuqezinj”, Reja me risi në skemë. Ja formacioni i mundshëm…

Delo.autor

“NUK MË INTERESOJNË OPINIONET PËR VAR”/ Zidane: Real Madrid një nga klubet më të rëndësishëm në histori

Delo.autor

PASI LA YLLIN PUSHIM NË FITOREN ME CARDIFF/ Guardiola: Ata të dy janë një bonus për skuadrën, jemi në…

Delo.autor

Leave a Comment