Futboll Seria A Sport

NGA URREN JETËN E NATËS TEK “ZERO” NË KUSHIZNË/ Ja kush është lojtari i ri i juventus, Aron Ramsey

Festa e titullit të tetë radhazi ishte vetëm një formalitet, ndonëse zhgënjimi kundër Ajaksit në Champions ishte tepër i madh.

aron ramsei

Gjithsesi, një klub serioz di të programojë gjithmonë të ardhmen dhe të përforcohet vit pas viti, ndaj një prej lëvizjeve më të rëndësishme për sezonin 2019-2020 ishte edhe mbërritja e Aron Ramsejt me parametër zero nga Arsenali. 28-vjeçari uellsian ka veshur ngjyrat bardhezi dhe ka nisur i pari stërvitjen, por ndërkohë nga Anglia bëjnë me dije se ai kishte nisur prej fundit të vitit 2018 që të mësonte italishten dhe jo më kot tashmë ka nisur të bëjë disa postime të ndryshme në këtë gjuhë për të qenë edhe sa më pranë tifozëve të rinj.

Mbi talentin e Kerfilit (qyteti ku ka lindur) njihet shumë mbi aspektin teknik, por fare pak mbi jetën personale. Privatësia ka qenë gjithmonë një pikë e fortë e Aronit, ndaj anglezia “The Sun” ka vendosur t’i bëjë një portret nëpërmjet disa personave që e kanë shoqëruar në karrierë.

Dhe të gjithë thonë me siguri se djali që në vitin 2014 u martua me Kolin Roulandin, nga e cila ka pasur tre fëmijë, do të ambientohet më së miri në Itali, por me një dyshim të vetëm: mes bashkatdhetarëve të tij që e kanë paraprirë në Torino, do të kërkojë të ecë në gjurmët e Ian Rashit apo të Xhon Çarlsit?

Burrë skuadre

Brajan Flin, i cili e ka stërvitur Ramsejn mes U-17 dhe U-21, tregon: “Ishte një lojtar i bekuar nga fati, por është mbi të gjitha falë edukatës që i ka transmetuar familja e tij që ka qëndruar gjithmonë i përulur. Mund t’i fitonte ndeshjet edhe i vetëm, por për të vinte gjithmonë skuadra e para.

aron ramsei

Në një turne në Sllovaki duhej të fitonim ndeshjen e fundit për t’u kualifikuar, ndërsa rivalëve tanë u mjaftonte edhe barazimi. Ata e asfiksuan Aronin, duke e markuar me dy veta gjatë gjithë takimit, por ai pranoi që të sakrifikohej në atë ndeshje, për t’i lejuar shokut të skuadrës, Xho Alen, që të ishte njeriu i ndeshjes. Sigurisht, në fund fituam ne…”.

Ndërsa Terri Barton e stërviti Ramsjen te Kardifi, përpara se të bënte hapin e madh në Londër, duke u transferuar tek Arsenali: “Suporti i familjes ka qenë deciziv. Ishte një kampion i lindur dhe që në moshën 16- vjeçare u bë pjesë e Shpresave të Uellsit. Në një miqësore në Suedi zbriti në fushë në pjesën e dytë. Po humbnim 3-1, por me Aronin fituam 4-3 në fund. Pas sfidës, në mbrëmje, djemtë vendosën që të dilnin për të festuar përmbysjen, por Aron u kthye në hotel pas 10 minutash. Unë u habita kur e pashë, por ai më shpjegoi se jeta e natës nuk bënte për të dhe shkoi të flinte në dhomë. Nuk ka qenë asnjëherë një qejfli i festave dhe i jetës së natës”.

“Zero” në kuzhinë

Por përveç qejfit që i mungon për pabet, për Ramsejn tregojnë se është edhe pak shkatarraq. “Dhoma jonë në grumbullim ishte gjithmonë e shkatërruar, sikur t’i kishte rënë bomba, – shpjegon Kris Gunter, tani lojtar i Ridingut, por shok historik me të cilin Ramsej ndau apartamentin prej vitesh. – Asnjëherë nuk vinte gjërat e tij në vendin e duhur, por akoma më keq ishte në kuzhinë. Zero talent, zero fantazi. Maksimumi i tij ishte një pjatë makarona, por edhe për të bërë ato duhej që dikush t’i vinte ujin të ziente fillimisht. Fatmirësisht ka gjetur një grua shumë të zonjën në gatim. Aron është kurajoz, nuk i trembet asgjëje dhe është gati që të marrë shumë përgjegjësi përsipër. Dhe sa herë ka kohë, vjen të shohë ndeshjet e mia”.

Privatësinë ekstreme të juventinit të ardhshëm e konfirmon edhe Gavin Hojte, trajneri i akademisë së Arsenalit. “Kur erdhi te ne ishte i heshtur. Në dhomat e zhveshjes askush nuk e kishte dëgjuar të fliste. Kishte një profesionalizëm ekstrem dhe u shndërrua shpejt në një stimul të madh për të gjithë lojtarët e sektorit të të rinjve”. Tani e pret një sfidë e radhës.

Për një anglez, ajo e gjuhës është shpesh një problem i pakalueshëm. Por Aron duket se e ka kaluar këtë: “Ka muaj që studion italishten, – zbulon Gunter. – Ai mendon vetëm për fushën dhe e di se të njohurit të gjuhës së atij vendi ku po shkon të luajë do t’ia lehtësojë ambientimin. Do zbarkojë në Torino në moshën e duhur, me pjekurinë e duhur psikofizike. Nëse do t’u shmanget dëmtimeve, të jeni të sigurt se do dijë t’i fitojë zemrat e tifozëve juventinë, gjë që nuk ditën ta bëjnë fansat e Arsenalit me Aronin”.

Related posts

HISTORIKE/ Messi ndan “fronin” me legjendën Pele, barazon “Mbretin” pas 46 vitesh

Delo.autor

Icardi shpreson për Botërorin, pritet takim me Sampaolin

Sadik.Autor

“EURO 2020″/ FSHF: Nuk kërkojmë trajner të ri, besojmë tek Panuçi

Isa.Autor

Leave a Comment