Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Çfarë po ndodh me Milanin, ku janë pesë blerjet e verës?

Duke pritur Korrean, Milani pret edhe ata që kanë ardhur. Në këtë verë, futbollistët që u veshën kuqezi ishin 5, por askush nga ata nuk e nisi titullar ndeshjen e debutimit në kampionat. Disfata me Udinezen pagëzoi debutimin e Benaserit dhe Leaos, të hedhur në fushë nga Xhampaolo në 15 minutat e fundit të lojës.

Por zëvendësimi i parë ishte Kesi, titullar i padiskutueshëm në Milanin e vjetër dhe që përfundoi në merkato ashtu si shokët e tjerë të hedhur në fushë prej minutës së parë (Kastijeho dhe Çalhanoglu…) Siç paralajmëroi në vigjilje të ndeshjes, tekniku kuqezi preferoi që të besonte tek ata që ishin më të besueshëm fizikisht dhe taktikisht, por zgjedhjet nuk e shpërblyen.

Ai që ishte më i gatshmi nga blerjet e reja përfundoi jashtë i dëmtuar dhe për ta parë në aksion duhet pritur të paktën java e tretë: Teo Hernandez ishte i pari që iu bashkua grupit dhe rezultatet e pjesës së parë të punës me Xhampaolon kishin lënë përshtypje shumë të mira.

Mbrojtësi francez i krahut, i cili erdhi nga Reali i Madridit për 20 milionë euro, blerja e dytë më e shtrenjtë e kësaj vere pas asaj të Leaos, për të cilin u paguan rreth 10 milionë më shumë, ra në sy për teknikën, atletikën dhe personalitetin në miqësoren e parë të turneut amerikan kundër Bajernit, pasi kishte shënuar golin e parë sezonal në miqësoren kundër Novarës (1-1) në “Milanello”: por forma e shkëlqyer u ndërpre nga dëmtimi në kaviljen e djathtë, që e ndali pas 44 minutash.

Vështirësitë në krahë që u shfaqën në “Dacia Arena”, në dallim nga qendra e mbrojtjes, ku prova pozitive e Muzakios do t’i lejojë Duartes të stërvitet më me qetësi, ndezën alarmin: me Laksaltin në largim dhe Teon në infermieri, opsionet në krahun e majtë reduktohen vetëm me Rodrigezin, i besueshëm për eksperiencën dhe njohjen e automatizmave kuqezi, por që u shfaq në vështirësi në daljen e parë sezonale.

Benaser i jep gaz? – Në mesfushë, kundër Udinezes dy lojtarë nga tre ishin jashtë rolit (Çalhanoglu regjisor dhe Borini në krah), ndërkohë që Benaser dhe Kruniç, specialistë në ato role, mbetën spektatorë. Ish-dy lojtarët e Empolit vijnë me vonesë në fazën përgatitore: algjeriani ishte i fundit që zbarkoi në “Milanello” për shkak të Kupës së Afrikës, ndërsa boshnjaku u desh të riaftësohej pas problemeve muskulore me të cilat u prezantua në grumbullim.

Kundër Udinezes u pa ajo që Benaser mund t’i shtojë këtij Milani, ende shumë belbëzues, që janë ato rikuperimet e topave dhe ndryshimet e lojës me vertikalizimet me ritme të shpejta që Çalhanoglu nuk arriti t’i garantojë, pavarësisht se është më përpara me gjendjen fizike. “Ismael është stërvitur shumë pak dhe hedhja e tij në fushë ishte e sforcuar, ashtu si ajo e Leaos, të cilit nuk ia njoh ende shumë mirë karakteristikat”, shpjegoi trajneri pas ndeshjes.

Çfarë do të bëjë në këtë mënyrë Xhampaolo në ndeshjen e së shtunës kundër Breshas? Manualet e përgatitjes së këtyre muajve do t’i kërkonin që të respektonte kohët e përfshirjes normale, por treguesit në fushë i kërkojnë që t’i besojë sa më shpejt që të jetë e mundur cilësisë së të rinjve, Benaserit mbi të gjithë. Këto ditë ai do të ketë kohë për të reflektuar me gjakftohtësi dhe për të bërë modifikimet e nevojshme: ndryshimi i skemës nga 4-3- 1-2 në 4-3-3 është në ajër, kush e di nëse strategu kuqezi nuk vendos që të ndryshojë edhe interpretuesit.

Related posts

ZYRTARE/ Milan kryen goditjen e dytë në merkato, arrin marrëveshjen me mbrojtësin…

Delo.autor

RËNIE DRASTIKE/ Talenti shqiptar largohet nga Seria A, firmon në Serinë C

Isa.Autor

Milani dhe Interi bëhen “bashkë”/ Bashkia e Milanos jep lajmin e fundit për “San Siron”

Isa.Autor

Leave a Comment