Futboll Sport

“ARSENALI BËN GODITJE BEFASUESE NË TREG”/ David Luiz është blerja e orës së fundit e “Topçinjve”

Arsenali mund të shndërrohet këtë sezon në një prej klubeve më të fuqishme në Premier League dhe në Europë. Ambiciet janë për titull dhe për trofeun e Ligës së Europës, por kryesorja është për trofeun kryesor në Premier League. Në kampionatin anglez ka një rivalitet shumë të fortë midis skuadrave për kreun, pasi krahas dy Mançesterëve, për titullin luftojnë edhe Liverpuli, Totenhemi dhe Çelsi. Arsenali llogaritet nga shanset si skuadra e gjashtë në garë, por me lëvizjet e fundit që kanë bërë “topçinjtë” mund të konsiderohet pa frikë një pretendent. Emrat e afruar në merkato janë padyshim ata që bindin se Arsenali mund të bëjë gjëra të mëdha në edicionin e ri dhe një gjë është e sigurt: Kushdo nga rivalët në Premier League që ka bërë llogari për titullin, duhet të fusë në listën e kundërshtarëve padyshim edhe Arsenalin e trajnerit Unai Emeri. Pikërisht dje erdhi dhe goditja e madhe e klubit londinez. Madje janë vetë mediat sportive britanike që shkruajnë se Arsenali surprizon në merkato, duke arritur marrëveshjen për transferimin e David Luiz nga Çelsi për 8 milionë paundë. Mbrojtësi brazilian do të bashkohet me “Topçinjtë” në një marrëveshje dy-vjeçare. “Topçinjtë” ishin prej kohësh në kërkim të një qendërmbrojtësi dhe largimi i Laurent Koshielnit drejt Bordosë e bëri edhe më të nevojshme afrimin e një lojtari për këtë repart. Përpara arritjes së marrëveshjes, me Luiz, drejtuesit e Arsenalit ndiqnin me kujdes mbrojtësin e Leipzigut, Dajot Upamecano, si dhe atë të Juventusit, Daniele Rugani. Sa i përket francezit, klubi gjerman kërkonte një shifër tepër të lartë për ta lënë të lirë, plot 75 milionë paundë, ndërsa italiani preferoi që për momentin të qëndronte te bardhezinjtë, edhe pse mes dy klubeve ishte arritur një marrëveshje për huazim dyvjeçar me detyrim blerjeje për 40 milionë euro. Kalimi i David Luiz në “Emirates” do të sjellë një siguri më tepër në mbrojtje, repart në të cilin trajneri spanjoll Emeri ka siguruar një tjetër përforcim në ditën e fundit të merkatos në Angli. Ish-tekniku i PSG dhe Seviljes do të ketë në dispozicion edhe mbrojtësin e djathtë aq shumë të kërkuar prej tij, Kieran Tierni. 22-vjeçari afrohet nga Sëlltik, që më në fund ka pranuar ofertën e londinezëve prej 25 milionë paundësh, ndërkohë që më herët skocezët kishin refuzuar dy oferta të Arsenalit për anësorin e djathtë. Me afrimet në merkato, drejtuesit e Arsenalit shpresojnë që të bëjnë një sezon më të mirë se ai i kaluari, ku u renditen në vendin e pestë, pse jo të rivalizojnë me Mançester Sitit apo Liverpulin për titullin kampion, që mungon prej vitit 2004. “Topçinjtë” e nisin sezonin e ri në Premier League këtë të diel në transfertën e “St James Park” ndaj Njukasëll. Ky test i parë në kampionat do të jetë shumë domethënës për vazhdimësinë dhe ambicia e skuadrës së Emeri është për start me fitore.

Related posts

HAZARD ZHGËNJEN NË DEBUTIM/ “Los Blancos” triumfon ndaj Levantes

Delo.autor

PËRBALLJA ÇEREKFINALE NË CHAMPIONS/ Ish-ylli i “Djajve të Kuq”: United nuk dorëzohet kurrë, duhet të…

Delo.autor

FOTOT/ Tifozja më tërheqëse e “Euro 2020” që u fut në mes të fushës duke bllokuar ndeshjen

Delo.autor

Leave a Comment