Futboll Sport

GREZDA FITON BESIMIN E REJNXHËRSIT POR JO TË XHERARDIT/ Gllasgou i ndarë në pro e kundër shqiptarit

Një prej futbollistëve shqiptarë që kaloi me shumë bujë një vit më parë në radhët e Gllasgou Rejnxhërsit në Skoci, Eros Grezda, vetëm 12 muaj më pas është në pozita largimi, me valixhe në duar, pasi trajneri i skuadrës skoceze, Stiven Xherard, e ka bërë të qartë edhe në median britanike se lojtari në fjalë nuk është më në planet e tij. Në fakt, Xherard ka pranuar se Grezda ka kualitet të lartë teknik dhe në një skuadër tjetër mund të japë 100% e të ketë sukses, por ai ka bindjen se me skemat që aplikon tek Rejnxhërs, shqiptari nuk po e gjen veten dhe i duhet të gjejë alternativë tjetër për të ardhmen e tij, ndërsa vetë tekniku anglez thotë se po punon me pjesën tjetër të grupit për të gjetur harmoninë e dëshiruar në funksionimin e reparteve. Por Xherard duket se i ka bërë llogaritë gabim, pasi sondazhet e tifozëve në rrjetet sociale kanë zbuluar se fansat e duan Grezdën, për cilësinë e futbollit që jep dhe për përkushtimin që ka në fushë. Këto elementë nuk vihen në diskutim dhe duket se në krahë të anësorit sulmues të kombëtares kuqezi, janë vënë edhe drejtues të klubit. Pra shanse që Grezda të qëndrojë në Gllasgou edhe një sezon tjetër janë rritur dhe këtë e dëshmon më së miri aktivizimi i futbollistit në një ndeshje rutinë që pati Gllasgou Rejnxhërs dy ditë më parë. Sidoqoftë, mediat sportive shkruajnë se “në pritje të transferimit të tij nga Rejnxhërs drejt kampionatit francez, Eros Grezda është kthyer përsëri të veshë fanellën e skuadrës së skocezëve në ndeshje zyrtare. Por nuk ka qenë ajo e ekipit të parë dhe nuk bëhej fjalë për një aktivitet prestigjioz. Grezda mori pjesë në ndeshjen e turit të parë të “Caramel Wafer Cup”, duke luajtur me skuadrën e të rinjve të Rejnxhërs, që luan në këtë aktivitet ku lejohen edhe një numër i caktuar lojtarësh nga ekipi i parë. Ai ishte në lojë gjatë 90 minutave në suksesin 2-1, duke u shfaqur shpesh rrezikshëm e duke marrë edhe duartrokitje nga rreth 300 tifozë të pranishëm që ndoqën këtë ndeshje. Gjithsesi, lojtari është i ndërgjegjshëm që kaq nuk mjafton dhe ndoshta ka qenë ndër herët e fundit kur ka veshur fanellën e Rejnxhërs, pasi brenda muajit gusht do të ketë gjetur një sistemim të ri për të ardhmen e tij, meqë në radhët e skuadrës skoceze nuk ka hapësira. Sa i takon kombëtares kuqezi, lojtari është larguar në mënyrë demonstrative në grumbullimin e qershorit, duke nxjerrë sebepe një hall familjar, por në fund u zbulua se ai kishte debatuar me trajnerin Edoardo Reja, i cili nuk e kishte përfshirë në listën e titullarëve, pra u duk qartë nga skemat e lojës që për trajnerin italian Odise Roshi ishte futbollist më i domosdoshëm se Grezda në fushë. Të paktën në atë moment, ndërkohë që “halli familjar” u përmend për të mos krijuar debate në media. Pra Grezda nuk është as në planet e trajnerit Reja dhe si duket në këtë histori ka ndikim temperamenti shpërthyes i futbollistit, i cili shquhet për energjinë e tij. Një gjë është e sigurt: kualiteti teknik që disponon Eros Grezda është padyshim i cilësisë së lartë. Lojtari është gjithashtu i shpejtë, por ai punon pak me grupin, sepse shprehet më shumë në aspektin individual, gjë që nuk u pëlqen trajnerëve, prandaj dhe Xherard tek Rejnxhërs, ashtu dhe Reja tek përfaqësuesja kuqezi nuk e shohin si alternativë të parë, domethënë si lojtar titullar. Mbetet të shihet deri në ditët e fundit të gushtit se çfarë vendimi do të merret për Grezdën, por nëse lojtari qëndron në stol tek Rejnxhërs dhe nuk shkon në një skuadër ku të aktivizohet rregullisht, atëherë ai mund edhe të humbasë praninë në Kombëtare, pasi Reja ka alternativa të tjera që mund të kenë më shumë minutazh në këmbët e tyre. Grezda ka kualitete teknik të padiskutueshëm, por për një trajner ka më shumë rëndësi forma sportive e lojtarit, përshtatja me grupin dhe skemën taktike dhe njëherësh disiplina nëpërmjet një stërvitje të fortë e serioze.

Related posts

“PO FUTEM NË ROL”/ De Biazi u jep zemër kuqezinjve: Ju tregoj çfarë duhet të bëni kundër Francës

Delo.autor

Zidane: Neymar dhe Ronaldo në një ekip? Të mirët shkojnë gjithmonë…

Sadik.Autor

8 FITORE NË 8 NDESHJE/ Kush është kombëtarja e dytë Europiane që kualifikohet zyrtarisht në Botëror

Delo.autor

Leave a Comment