Sport Të tjera

DITË E SHËNUAR NË HUNGARI/ Djali i Michael Schumacher fiton garën e parë në karrierë

Mick Schumacher regjistron fitoren e parë në karrierë në Formula 2.

Djali i 7 herë kampionit të botës, legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, triumfoi në garën e dytë të Çmimit të Madh të Hungarisë, duke lënë prapa respektivisht pilotët Matsushita dhe Sette Camara.

Është herët për të folur, por sidoqoftë 20-vjeçari Mick Schumacher është duke u ngjitur pak e nga pak, në përpjekje për të ecur në gjurmët e babait të tij të famshëm.

Një mision tepër i vështirë, por gjithsesi objektivi për të mbetet katapultimi në botën e Formulës 1.

Debutues në këtë kategori dhe i dalë nga Akademia e Ferrarit, Mick Schumacher garon për skuadrën italiane Prema Racing.

Me këtë fitore, piloti i ri gjerman u ngjit në kuotën e 45 pikëve, në vendin e 11-të në renditjen e pilotëve, gjithsesi vlen të përmendet fakti që skuadra me të cilën garon Schumi Jr. nuk është paraqitur aspak mirë sivjet, madje në klasifikim ekipi italian Prema Racing pozicionohet vetëm në vendin e parafundit, me 56 pikë gjithsej.

Pas garës Mick Schumacher u shfaq entuziast dhe tepër i gëzuar, duke pranuar se gara e dytë në Hungaroring ishte një garë fantastike për të.

Mick shtoi se e kënaqi pa masë dueli me pilotin nipon Matsushita, sidoqoftë suksesi në pistën maxhare do të mbetet një kujtim i paharruar, në mendjen e pilotit të ri gjerman, por sigurisht edhe një fillim i mbarë, për më tepër në një pistë ku babai i tij numëron 4 fitore në Formula 1, e fundit prej të cilave plot 15 vjet më parë.

Related posts

E BUJSHME NGA SPANJA/ Pas dyshimeve, Presidenti Laporta merr vendimin befasues

Delo.autor

Mancini krahason Verdin me David Silva

Sadik.Autor

KRIZA PREJ COVID-19/ Përçahet Barçelona. Messi dhe gjashtë të tjerë dalin kundër

Delo.autor

Leave a Comment