Futboll Kategoria Superiore Sport

NË PRAG TË FINALES ME “VERILINDORËT”/ Partizani do me çdo kusht Superkupën

Superkupa e Shqipërisë është trofeu më pak i rëndësishëm në futbollin shqiptar, edhe për faktin se FSHF-ja nuk jep asnjë shpërblim për klubin fitues. Mirëpo, në prag të finales Partizani-Kukësi, në shtëpinë e “demave” e kanë marrë shumë seriozisht. Janë disa arsye pse të kuqtë duan ta fitojnë patjetër këtë takim. Aventura evropiane rezultoi një zhgënjim, ndryshe nga çfarë prisnin drejtuesit e klubit.

Ndeshja e fundit në Ligën e Europës ndaj Sherif Tiraspolit dhe ai eliminim mes polemikave për arbitrin nuk mund të shërbejë si justifikim për stafin teknik. Trajneri Franko Lerda e di shumë mirë se për çfarë ka ardhur në klubin e kuq, prandaj edhe eliminimi në Champions e më pas në Ligën e Europës ia ka ulur shumë kreditet italianit për një vazhdimësi të qetë në stolin e kuq. Kampionati është një tjetër histori dhe aty Partizani mund të bëjë diferencën në garën për titull, por pankina e Lerdës u trondit shumë, veçanërisht pas përplasjes me ndihmësit e tij, veçanërisht me përgatitësin atletik, Korado Sakone.

Ky i fundit ka gëzuar ndoshta vlerësimin më të madh nga drejtuesit në epokën e presidentit Demi. Megjithatë, krerët e klubit mbështetën Lerdën në përplasjen që pati me Sakonen dhe zgjodhën të largonin këtë të fundit. Në një kohë që situata te të kuqtë për pak degradoi, ka ardhur momenti që drejtuesit të shikojnë reagimin e vërtetë të stafit italian dhe natyrisht përgjigjen e ekipit në fushë.

SITUATA

Nuk është thjesht finalja e Superkupës ajo që mund të rivendosë ekuilibrat te të kuqtë. Ndaj Kukësit do të luhen dy ndeshje radhazi dhe nëse e para kalohet me shijen e një trofeu, në të dytën për kampionat mund të falet edhe ndonjë hap fals. Por nëse ndodh e kundërta, atëherë për të gjithë në skuadër vazhdimësia do të jetë e vështirë. Sigurisht, nuk është fundi i botës nëse Partizani dështon në të dyja takimet ndaj një ekipi si Kukësi, por “bashkëjetesa” me italianët në pankinë thuajse do të shkojë drejt një fundi të errët.

2-partizani

Largimi i Skënder Gegës ishte goditja e parë dhe dështimi më pas në Europë nuk i dha të drejtë klubit për lëvizjen e beftë që bëri, paçka se ish-trajneri deklaroi se ikën për arsye personale. Që te Partizani kanë filluar të ndiejnë presionin e triumfit me çdo kusht ndaj Kukësit, mjafton të kujtojmë atë që ndodhi dy ditë më parë në stërvitje. Për një orë e gjysmë Lerda bëri një mbledhje, duke folur me lojtarët në grupe. Trajneri e ka kuptuar shumë mirë se ekipin duhet ta ketë me vete në këtë pozicion delikat dhe vetëm triumfi e shpëton.

Related posts

Milan befason tifozët me përforcimin e ri

Sadik.Autor

E PABESUESHME/ Atleti pret finishin duke fluturuar si “Supermen” (VIDEO)

Delo.autor

PAS BARAZIMIT NË “GOODISON PARK”/ Klopp: Përveç Everton, ja kundërshtari tjetër në fushë

Delo.autor

Leave a Comment