Futboll Kategoria Superiore Sport

SKËNDERBEU MERR FORMË/ Trajneri Daja gati plani për skuadrën e re, rikthehet skema…

Rikthimi i Ilir Dajës te Skënderbeu ndryshon edhe mënyrën se si do të ndërtohet ekipi. Tekniku arriti marrëveshjen me presidentin Ardian Takaj për t’u rikthyer në pozicionin e numrit një të pankinës së korçarëve. Gjithçka pritet të bëhet zyrtare ditën e sotme me konferencën e prezantimit që do të zhvillohet në zyrat e klubit në Tiranë.

Gjithsesi, trajneri i Skënderbeut ka drejtuar ditën e djeshme seancën stërvitore të Skënderbeut dhe duket se e ka gati edhe planin për ekipin e ri. Burime të sigurta bënë me dije se trajneri kryeqytetas e ka të ndërtuar tashmë në kokë lojën dhe mënyrën se ku do të mbështetet Skënderbeu i versionit 2.0.

SKEMA

Me rikthimin e Ilir Dajës, korçarët duket se do të kthehen sërish te moduli 4-1-4- 1, i preferuar ky nga trajneri Daja. Me këtë skemë loje që ofron mesfushë të dendur, shpejtësi në ndërtimin e aksioneve, si dhe pika referimi në dy pjesë të lojës.

DAJA

Kështu Daja kërkon t’i kthejë Skënderbeut stabilitetin e munguar dhe mbi të gjitha të zvogëlojë sadopak gropat te të cilat mbrojtja korçare fuste ujë. Pavarësisht se për trajnerin skema e lojës nuk është thelbësorja, ajo mbetet një pikënisje për krijimin e një ekipi të qëndrueshëm. Më pas gjithçka do të kërkohet nga vetë lojtarët që të japin maksimumin.

SENATORËT

Padyshim që një Skënderbe i fortë do të duhet të mbështetet mbi një bosht të shëndoshë lojtarësh. Nisur nga kjo, trajneri duket i bindur që Skënderbeu i tij i ri të mbështetet te katërshja Radas, Dita, Muzaka dhe Bregu.

Skenderbeu

Për këtë arsye, po të njëjta burime raportojnë se rikthimi në ekip i Marko Radasit, i graduar si kapiten, është kërkuar me ngulm nga trajneri kryeqytetas. Me rikthimin e kroatit duket se kjo katërshe do të jetë çelësi i Skënderbeut të ri deri në kthimin nga pezullimi të kosovarit Bajram Jashanica, që pritet të ndodhë në janar të viti të ardhshëm.

KRASNIQI SI “XHOL”

Golat e munguar në sezonin e kaluar e vunë sulmuesin kavajas në qendër të kritikave, duke e fajësuar edhe për mungesën e fitoreve për një periudhë relativisht të gjatë të Skënderbeut. Për një sulmues, sigurisht që është pak të ndalet në kuotën e gjashtë golave, por kjo nuk e ka vënë aspak në siklet trajnerin e ri të Skënderbeut. Daja është i bindur se Krasniqi e ka potencialin për të prodhuar shumë më shumë te Skënderbeu, mjafton vetëm pak orientim dhe disiplinim në lojë.

blerim krasniqi

Për këtë gjë burimet bëjnë me dije se do të ketë edhe një diskutim kokë më kokë mes trajnerit dhe sulmuesit, pasi Daja është i bindur se një sulmues nuk duhet të zbresë në brendësi apo të kërkojë topin në thellësi të sulmit, por një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe me lëvizje horizontale. Duke lëvizur sa në njërin krah në tjetrin, edhe hapësirat për shokët e ekipit do të jenë më të mëdha. Gjithsesi, më konkretisht një gjë e tillë do të shihet gjatë përgatitjeve në këtë fazë pragkampionati.

AKORD ME KOLIÇIN

Portieri Enea Koliçi është goditja e parë e madhe e korçarëve. 33-vjeçari ka arritur marrëveshjen dje me klubin bardhekuq dhe pritet që të prezantohet së shpejti. Lajmin e ka konfirmuar ekskluzivisht për “Panorama Sport” vetë presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj.

enea kolici

Pogradecari është vlerësuar gjithnjë nga Daja si një portier i zoti, me eksperiencë dhe me karakter pozitiv karshi grupit. Koliçi në karrierën e tij ka luajtur me Olimpiakos Volosin, Odiseas Kordelion, Panserraikosin, Iraklisin, Flamurtarin dhe Kukësin. Me këtë të fundit është shpallur edhe kampion i Shqipërisë në sezonin 2016-2017. Koliçi mësohet se do të marrë një pagë prej afro 3 mijë eurosh në muaj. Ndërkaq, korçarët kanë arritur një marrëveshje me Turtullin dhe po mbajnë nën vëzhgim edhe Kotobellin.

Related posts

Flet Hamdi Salihi: Dënimi i Skënderbeut, roveshata e Ronaldos dhe mesazhi për Panuccin

Sadik.Autor

PRITET TË FTOHET NGA ARGJENTINA/ Aguero insiston: Nuk kam thënë kurrë që “Topin e Artë” nuk e meriton…

Delo.autor

Shpërthen Maradona: Kolumbia u grabit nga një arbitër hajdut

Sadik.Autor

Leave a Comment