Mbrëmja e djeshme mes Juventusit dhe Napolit ishte me të vërtetë spektakolare.
Skuadrat dhuruan për tifozët emocione të mëdha deri në minutat e fundit të ndeshjes.
Por kampionati italian nuk e mbyll me kaq, ditën e sotme ajo do të ketë ndeshje të tjera mjaft interesante.
Në orën 18:00 do të zhvillohet derbi i kryeqytetit, i cili njihet si një nga më të zjarrtët.
Lazio do të jetë pritësja e këtij takimi, “bardhekaltërit e nisën mirë këtë kampionat ku fituan me rezultatin 3-0 takimin ndaj Sampdorias, dhe sot do jenë gati të pushtojnë kryeqytetin.
Nga ana tjetër Roma nuk shkoi më shumë se një barazim 3-3 në shtëpi përballë Genoas, duke treguar se ka ende probleme të shumta në mbrojtje, të cilat nuk po i zgjidh as trajneri i ri Paulo Fonseca.
Në orën 20:45 do të luhen plot 6 takime të tjera, ku Interi i Antonio Contes, pas startit perfekt ndaj Lecces në shtëpi, do të udhëtojë në Sardenja, për t’u përballur me Cagliarin, që edhe ndeshjen e parë e luajti në shtëpi, por e humbi minimalisht përballë Brescias.
Mjaft interesante do të jetë edhe përballja mes Atalantës dhe Torinos, dy skuadra që kanë si synim zonën europiane këtë sezon dhe që vitet e fundit kanë ofruar ndeshje vërtetë të mira mes njëra-tjetrës.
Edhe në Gjenova luhet një tjetër takim interesant, ku Genoa vendase do të presë Fiorentinën e Vincenzo Montellës. Të dy skuadrat shënuan nga 3 gola në ndeshjen e parë, por ndryshimi i vetëm është se Fiorentina pësoi 4, një më shumë se Genoa, ndërsa për vetë lojën e dy ekipeve, edhe takimi i sotëm premton spektakël e gola.