Futboll La Liga Sport

PESË MUAJ PA FITORE NË TRANSFERTË/ Barcelonën e pret një sezon i vështirë

Pas humbjes 2-0 që pësoi në stadiumin “Nuevo Los Carmenes” të Granadës, Barcelona mbeti në kuotën e 7 pikëve pas 5 javëve të para në Primera Division dhe tani gjërat janë më se të qarta, pasi ky është starti më i dobët i Barçës në çerek shekulli. Për herë të fundit në kampionatin spanjoll me një rendiment të tillë skuadra blaugrana është parë përpara 25 vjetësh, më saktë në sezonin 1994-95, kur ekipi drejtohej nga i madhi Johan Cruyff.

Diçka duket sikur është thyer në mbrëmjen e 7 majit, pikërisht në humbjen e turpshme që skuadra katalanase pësoi në “Anfield Road” nga Liverpuli, pasi që nga ajo kohë Barça është shfaqur vërtet me shumë probleme. Tani është fakt që ekipi i drejtuar nga Ernesto Valverde është duke vuajtur shumë në ndeshjet larg stadiumit “Camp Nou”.

Larg tempullit katalanas kjo skuadër është shfaqur tepër e brishtë dhe mezi njihet. Në Andaluzi Barcelona pësoi humbjen e dytë sezonale në kampionat, pas disfatës së pësuar në Bilbao si dhe barazimit 2-2 me Osasunën në Pamplona. Ekipi katalanas tashmë fut ujë në prapavijë, ndërsa përpara skuadra duket si e fjetur dhe është vërtet shumë larg ritmit të saj të zakonshëm.

Në këtë mënyrë Barcelona humbet për momentin kontaktin me kreun, gjithsesi bën përshtypje fakti që skuadra shfaqet e parrezikshme jashtë fushës, madje edhe në një rast si ai i ditës së shtunë, kur ekipi blaugrana pati në formacion në pjesën e dytë edhe katër lojtarë si Messi, Suarez, Griezmann apo dhe 16-vjeçari Ansu Fati.

Fillimisht Ernesto Valverde befasoi duke mbajtur në stol Messin, sidomos pasi ylli argjentinas u rikthye për të luajtur në mesjavë në Dortmund me Borussian, duke preferuar për ta nisur takimin me kanteranin Carles Perez. Trajneri bask befasoi edhe me zgjedhjet në mesin e fushës ku i dha besim dyshes Rakitiç-Sergi Roberto, në vend të binomit Busquets-Arthur, ndërsa në mbrojtje në vend të Jordi Albës së dëmtuar iu dha hapësirë mbrojtësit të ardhur nga Betisi, Junior Firpo.

Ishte pikërisht 23-vjeçari me origjinë domenikane që gaboi që në start, e për pasojë Barça e nisi sfidën në disavantazh pas vetëm 63 sekondash lojë. Në pjesën e dytë Valverde provoi gjithçka duke luajtur pra me katër sulmues dhe pas pësimit të golit të dytë me 11-metërsh trajneri bask nxori përpara gjithashtu edhe qendërmbrojtësin Pique, duke e mbyllur Granadën në 16 metrat e fundit, gjithsesi skuadra e përfundoi ndeshjen në mënyrë të shëmtuar pa shënuar fare dhe mes vërshëllimave të shumta të fansave blaugrana.

Me disfatën e pësuar në Andaluzi bëhen plot pesë muaj pa fitore larg Katalonjës, më saktë që nga 23 prilli, kur ekipi fitoi 2-0 në “Mendizorroza” me Deportivo Alaveshin. Duke shtuar natyrisht edhe përballjen e humbur me Valencian në stadiumin “Benito Villamarin”, në finalen e Kupës së Mbretit, në 8 ndeshjet jashtë fushe Barça numëron 4 humbje dhe vetëm 4 barazime. Larg stadiumit “Camp Nou” skuadra blaugrana ka shënuar vetëm 2 gola gjithsej në katër ndeshjet e këtij sezoni, ku sigurisht përfshihet edhe dueli i Dortmundit.

Duke lënë mënjanë sfidën me Osasunën, pra Barcelona nuk ka shënuar në 3 ndeshjet e tjera dhe sulmuesi i ri Antoine Griezmann që kushtoi plot 120 milionë euro nuk ka gjuajtur ende asnjëherë në kuadrat në takimet jashtë fushe të këtij sezoni. Luis Suarez u rikthye në fushë vetëm javën e kaluar, ndërsa Mesi akoma nuk ka startuar një ndeshje si titullar, pa harruar gjithashtu faktin që ekipi është duke luajtur edhe pa sulmuesin tjetër Ousmane Dembele, që u dëmtua që në takimin hapës me Athletic Bilbaon, ndërsa Frenkie de Jong duket një hije e shëmtuar e futbollisti që ishte te Ajaksi i Amsterdamit.

Barcelona vërtet ka fituar 4 nga 5 kampionatet e fundit në Spanjë, por gjithsesi në Primera Division në edicionin e ri skuadra e Valverdes ka pësuar dy disfata që në start, kur gjithë sezonin e kaluar formacioni katalanas pësoi vetëm 3 humbje gjithsej. Pas humbjes me Liverpulin Barça ka fituar vetëm 3 nga 9 ndeshjet kompetitive që ka zhvilluar, ndërkaq me 9 gola të pësuar në 5 ndeshjet e para në kampionat ekipi i Valverdes përfaqëson klubin më të ndëshkuar në mbrojtje, me të njëjtën kuotë golash të pësuar sa edhe Betisi me Espanjolin.

Humbja me Romën u duk e rastësishme, ndërsa disfata në “Anfield Road” me Liverpulin kuptohet qartë që ka lënë pasoja të pariparueshme. Drejtuesit i dhanë besim Valverdes, vendim që la vërtet të shtangur edhe vetë kapitenin Leo Messi. Ylli argjentinas ishte autori i të vetmes gjuajtjeje në portë të Barcelonës në gjithë ndeshjen me Granadën, madje edhe ajo u regjistrua në minutën e 82-të të sfidës, për më tepër edhe ndaj Borussias, Barça e gjeti vetëm një herë kuadratin.

Pas humbjes me Granadën ekipi fluturoi menjëherë drejt Barcelonës, ndërsa ditën e diel skuadra u ndëshkua me seancë stërvitore. Për momentin fajet i ka marrë përsipër që të gjitha Valverde, sidoqoftë fjalët e sulmuesit uruguaian Luiz Suarez, menjëherë pas ndeshjes, tashmë rëndojnë vërtet shumë: Barça duhet të bëhet gati për një sezon sa të gjatë, aq edhe të vështirë.

Related posts

E ARDHMJA E 24-VJEÇARIT NË DILEMË/ Ndryshon trajektorja për Rashicën, gjigantët e Bundesligës rifuten në garë

Delo.autor

​Shpërthen Perez, shpenzon 200 milionë euro gjatë janarit për tre futbollistë

Delo.autor

I THURI ELOZHE MANAJT/ Zbardhet e vërteta përse Messi dhe sulmuesi i Kombëtares nuk luajnë bashkë tek Barcelona

Delo.autor

Leave a Comment