Futboll Kombëtarja Sport

“TATOO…HELMETA…DHE KLAS NGA MYZEQEJA”/ Shqipëria e Rejas është një… “çmenduri”

Njëri me tatuazh gji gant në shpinë, tjetri me helmetë në kokë, tre djem nga Myzeqeja që magjepsin tifozët dhe dy mbrojtës që shënojnë në të njëjtën ditë. Shqipëria e Edi Rejas është ndryshe. Shumë më ndryshe nga sa e kemi parë së fundmi. Jo vetëm sepse e ka bërë ves që pas një humbjeje arrin të reflektojë menjëherë (pas disfatës me Islandën erdhën tri pikë me Moldavinë, ndërsa pas disfatës me Francën erdhi fitorja me Islandën). Por Shqipëria është ndryshe edhe në karakteret e lojtarëve, apo qoftë edhe atipike sa i përket boshtit “italian” që sot e karakterizon. Le t’i marrim me radhë…

Rei Manaj ka një shpinë plot me tatuazhe dhe ndonëse duket një rebel i pabindur në fushë, ai jo vetëm që zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer me Islandën, por nxori në pah edhe se është një besimtar i madh ortodoks. Në tatuazhin që ka në trup, shihet portreti i Shën Mërisë, ndërkohë edhe një lutje fetare në italisht. Djaloshi i lindur në Lushnjë, por i rritur në Itali, nuk është myzeqari i vetëm që na befasoi. Keidi Bare ishte gjithashtu një “zbulim” interesant.


Dakord, kishte dhënë sinjale të forta që me Shpresat se ka cilësi dhe personalitet, por askush nuk e priste kaq mirë që në start me Kombëtaren e madhe. Fieraku ka forcë, qetësi, teknikë dhe shumë grintë. Mandej një tjetër fierak prek skajet me Edi Rejan. Odise Roshi, nga i kryqëzuari për ndeshjen me Francën, kthehet papritur vendimtar me një gol me shumë peshë ndaj Islandës. Shqipëria e Rejas është vërtet e çuditshme.

Kanë “humbur” hierarkitë dhe shumë lojtarë me emër nuk e kanë më vendin të sigurt. Përveç Mavrajt, Xhakës, Ramadanit, edhe Abrashi e pa veten në stol. Uzuni gjithashtu, së bashku me Binakun… Dhe befas sheh një njeri me “helmetë” që vrapon sa për dy në fushë, teksa ofron pasime interesante edhe për sulmin. Një farë Gjasula… Nuk është Jurgeni jo, është Klausi… Me më pak klas ndoshta, por me shumë më tepër forcë dhe personalitet kur vë këmbën në fushë. Shkelma për çdo kundërshtar dhe me një qartësi të admirueshme taktike.


Po pastaj? Ja tek shfaqet Kastriot Dermaku, një gjigant 195 cm në mbrojtje që u shënon gol me kokë, atyre pra, islandezëve, që e kanë art lojën fizike dhe atë në ajër. Dermaku është gjithashtu një rast i veçantë. Pse? Po ja, një pjesë e shqiptarëve u hidhëruan kur Rashica, Rrahmani dhe ndonjë tjetër syresh i talentuar shkuan te Kosova pasi veshën fanellën kuqezi. Por, Dermaku ka bërë pikërisht të kundërtën: ishte pjesë e Kosovës dhe për shkak të mundësive të kufizuara te “Dardanët”, iu bashkua Shqipërisë. Me polemika madje…

Kombëtarja e Rejas nuk është e çuditshme se shënoi për herë të parë 4 gola në një fazë eliminatore, por sepse bëri të shënonte edhe kapitenin më të ri, Hysajn. Ka mbi supe 48 ndeshje me kuqezinjtë, por nuk e kishte gjetur kurrë rrjetën. A të vazhdojmë? Posi jo… Ka nga ata që mendojnë se kemi probleme në mbrojtje. Shumë e drejtë! Por a e dini se si kurrë më parë bërthama e mbrojtjes është “italiane”? Pikërisht kështu. Dhe jo vetëm sepse 7 vitet e fundit Shqipërinë e trajnojnë italianët De Biazi, Panuçi dhe Reja, por sepse dy portierët, Strakosha dhe Berisha po magjepsin Serinë A. Por edhe sepse Hysaj, Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla luajnë në Serinë A.

Sepse Veseli vjen pas një sezoni fantastik në Serinë A dhe tani luan me Empolin në Serinë B. E prapë Shqipëria pëson shumë gola, edhe duke i pasur lojtarët e prapavijës në vendin ku u shpik “katenaço”. Nuk kemi mbaruar… Shqipëria luan me dy sulmues të deklaruar. Nuk ndodhte që prej kohës së Bariçit, kur për pak kohë tentoi të bënte mrekullinë me dyshen Tare-Bogdani.

Që prej asaj kohe, rroftë 4-5-1 i De Biazit, që edhe kur vendoste të fuste Cikalleshin në pjesën e dytë në krah të Sadikut, kavajasi e shihte veten një “mesfushor shkatërrues” që ua nxirrte inatin shtyllave për tërheqjen aq mbrapa. Por Shqipëria e Rejas, befas ka edhe një “ushtri” me lojtarë po kaq cilësorë që presin radhën për një vend në formacion. Sadiku, Grezda, Kaçe, Uzuni, Xhaka, Abrashi, Ndoji, Ramadani, Binaku, Balaj, Çekiçi, Kumbulla, Berisha… Le ta themi troç, Reja i paska disa alternativa, mjafton që të mos bëjë “shpikje” si me Roshin në Francë.

PANORAMASPORT.AL

Related posts

DHJETË ISH-LOJTARË TË SUPERIORES NË FUSHË/ Gjilani harron të fitojë. Ngec sërish në transfertë

Delo.autor

Simeone: Eliminimi i Real Madrid dhe Man United nuk ishin befasi

Delo.autor

VULOSI FITOREN E NDESHJES/ Sprint nga 80 metra e gol spektakolar nga djaloshi i artë i Interit (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment