Në Serie A gjithçka po shkon sipas planeve. Inter është binshëm në garë për titullin, por zikaltërve të drejtuar nga Antonio Conte i mungon kapërcimi i madh në Europë. Shansin për ta bërë këtë, skuadra italiane e ka mbrëmjen e sotme, kur në shtëpinë e saj do të presë Borussia Dortmund për ndeshjen e tretë të Grupit F.
Pas dy sfidave të para Inter ka vetëm një pikë, çka e bën një detyrim fitoren kundër formacionit gjerman. Çdo rezultat tjetër do të rrezikonte jo pak aventurën e zikaltërve në Champions League.
Kuotat e interistëve rriten ndjeshëm, duke parë mungesat e rëndësishme të Borussia Dortmund që zbret në këtë transfertë pa kapitenin Marco Reus dhe sulmuesin kryesor Paco Alcaser. Nga kjo përballje direkte mund të përfitojë Barcelona, e cila do të luajë sfidën e saj në transfertën çeke kundër Slavia Prague.
Lionel Messi dhe shokët e tij shihen favoritë absolutë, sidomos pas ecurisë së shkëlqyer në javët e fundit. Në transfertë e ka ndeshjen e tij edhe Liverpool, që për Grupin E luan në fushën e Genk.
Kampionët në fuqi të Europës kanë vetëm tri pikë, pas dy sfidave të para, ndërsa kërkojnë me çdo kusht fitoren për të evituar çdo suprizë të hidhur në misionin e tyre për të mbrojtur trofeun. Për momentin, sfida direkte në Grupin F është ajo mes Salzburg dhe Napolit.
Skuadra e Ancelotti kryeson renditjen me katër pikë dhe një fitore në transfertën austriake do ta afronte më shumë me kualifikimin. Një ndeshje tjetër e rëndësishme në mbrëmjen e së mërkurës në Champions është ajo e Grupit H mes Ajax Amsterdam dhe Chelsea.
Holandezët kryesojnë me pikë të plota pas dy ndeshjeve të para, ndërsa Blutë e Londrës ndjekin me tri pikë më pak. Për këtë arsye, të besuarit e Frank Lampard, nuk mund t’i lejojnë vetes një hap fals që do t’i shkëpuste nga rivalët direktë.