Ekskluzive Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

SFIDA NDAJ MOLDAVISË/ Kuqezinjtë e Rejas për FITOREN e nderit. Deklaratat, pritshmëritë dhe formacioni

Shqipëria do të luajë mbrëmjen e sotme, në orën 20:45, përballë Moldavisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2020.

Kuqezinjtë vijnë në këtë përballje si favoritë dhe më një bilanc pozitiv ndaj moldavëve. Shqipëria ka luajtur 4 ndeshje ndaj Moldavisë, në të cilat ka fituar 3 dhe ka barazuar 1.

Kuqezinjtë në katër përballje kanë gjetur rrugën e rrjetës 8 herë dhe ka pësuar vetëm 2 gola.

Fitorja e parë ndaj Moldavisë regjistrohet në vitin 1995, ku kuqezinjtë kanë fituar 2-3 me dy gola të Sokol Kushtës dhe një të Kaçajt.

 Ndeshja sot

 Ka gjithmonë motive dhe stimuj për të luajtur një ndeshje futbolli, pavarësisht se objektivi maksimal për t’u kualifikuar në Europianin 2020 u venit pas humbjes së Shqipërisë në Turqi. Kjo nuk do të thotë se futbollistët e Kombëtares duhet të humbasin motivimin, apo përqendrimin.

Kanë për detyrë që në çdo sfidë të zbresin për të dhënë maksimumin dhe për të fituar. Por për çfarë luan sot ekipi kombëtar kundër Moldavisë? Sigurisht që luan për ta fituar këtë ndeshje, sepse në futboll secili dëshiron të fitojë. Nuk ka rëndësi për çfarë ndeshjeje bëhet fjalë. Edhe kur luan me miqtë në futboll amator, të gjithë kërkojnë fitore.

Deklaratat para ndeshjes

LEDIAN MEMUSHAJ

Ledian Memushaj deklaron se Shqipëria duhet ta harrojë sa më shpejt humbjen ndaj Turqisë, pasi përballja e së hënës ndaj Moldavisë është një ndeshje shumë e rëndësishme.

“Normal, që ndeshja me Turqinë na zhgënjeu shumë, por besoj se duhet që ta harrojmë sa më shpejt. Nesër kemi një ndeshje shumë të rëndësishme dhe duhet që ta përgatisim sa më mirë. Duhet të rikuperohemi shpejt”, tha fillimisht ai.

Shiriti i kapitenit?

Roli im si kapiten është normal dhe mendja është te ndeshja e nesërme që është akoma më e rëndësishme. Këtë e kam të qartë unë, por edhe shokët e skuadrës. Do të hyjmë në fushë për më të mirën.

Çfarë duhet të përgatisim nga ajo performancë e mirë sulmuese me Islandën, pasi kishim shumë raste të humbura në Turqi, për të gjetur saktësinë para portës.

Duhet të përmirësohemi si ekip, por me Turqinë  treguam se nga ana taktike jemi përmirësuar shumë, dhe këtë duhet ta tregojmë edhe nesër. Këto janë nga ato ndeshje që janë shumë të vështira nga njëra anë, por nga ana tjetër tregojnë sa është pjekur ky ekip. Në fazën ofenzive nuk është vetëm puna e sulmuesve, por duhet të punojmë të gjithë shumë.

I pranishëm në konferencën për shtyp bashkë me trajnerin Edi Reja, kapiteni i kombëtares kuqezi, tha se skuadra do të hyjë në fushë për të bërë më të mirën.

EDY REJA

Edi Reja tha se skuadra do të hyjë në fushë për të bërë më të mirën.

Në një konferencë për mediat, tekniku italian u shpreh se kurrsesi nuk e nënvlerëson një ekip si Moldavia, ndërsa konfirmoi se do të ketë pak ndryshime në formacion.

Edhe pse kuqezinjtë nuk kanë më shanse për të shkuar në Euro 2020, Reja nënvizoi gjithashtu se do t’i pëlqente të vazhdonte punën me kuqezinjtë.

“Ishim pak nervozë pas ndeshjes me Turqinë. Më shumë për rezultatin se sa për ndeshjen. E rëndësishme është që të mbajmë këtë intensitet. Rezultatet do vijnë. Kemi nevojë që të vijojmë edhe me rezultatet, jo vetëm me lojën”, tha fillimisht ai.

Do kemi ndryshime në formacion me Moldavinë?

Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullare. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi në ndeshjen me Moldavinë.

E keni nënvlerësuar Moldavinë?

Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar. Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi.

Ndaj Moldavisë në transfertë…

Ne e dimë që të luash këtu nuk është e thjeshtë për ne. Ndeshjen e parë na vunë në vështirësi. Shënuam vetëm në fund. Ne do studiojmë si do vendosen në fushë ata, dhe do i përgjigjemi më pas.

74-vjeçari, i cili festoi ditëlindjen vetëm pak ditë më parë, foli gjithashtu edhe për çështjen e rinovimit, por theksoi që kjo pyetje duhet t’i shtrohet edhe presidentit Armando Duka.

Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët. Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri.

Trajneri kundërshtar dhe objektivi…

Të përballem me një eksperiencë si e imja, normale që është e vështirë. Edhe ai do na ketë studiuar, dhe do na ketë ngritur ndonjë grackë. Me rëndësi është që të mos biem në grackë. Nëse jemi këtu në këto pozicione, do të thotë se jemi duke bërë mirë, sepse përndryshe nuk do interesohej kush për ne. Objektivi ynë është vendi i dytë, do luftojmë çdo ndeshje për pikët maksimale. Ai mbetet objektivi ynë primar.

ÇFARË PRITET NGA FORMACIONI

Edi Reja kërkon fitoren në Moldavi dhe ndryshimet drastike në formacion nuk e bindin për të dalë me tri pikë. Nëse dje në stërvitjen e fundit la të kuptohej se do të kishte të paktën katër lëvizje në formacion, krahasuar me atë ndaj Turqisë, sot italiani është gdhirë me ide të reja.

Në mbrojtje nuk ndryshon asgjë, teksa do të luhet sërish me tre, pikërisht Ismajlin, Dermakun dhe Gjimshitin. Nga krahun e djathtë do të jetë sërish Veseli, me Roshin që do ta nisë nga stoli. Ndryshimi i vetëm është në mesfushë, aty ku Reja ka ulur në stol kapitenin Memushaj për t’i bërë vend Abrashit, ndërsa në krahun e majtë është edhe risia më e madhe. Trajneri nuk ka preferuar Lenjanin, por Lorenc Trashin e Partizanit.

Për majtoshin nga Gramshi kjo do të jetë ndeshja e tij e parë si titullar me fanellën kuqezi. Ndërkohë, edhe sulmi mbetet i njëjtë me dyshen Manaj-Cikalleshi, me Rejën që mendon se është gjetur stabilitet. Trajneri ka falur rastet e humbura në Turqi, duke i dhënë një tjetër shans Manajt, ndërsa kështu ka vepruar edhe me Strakoshën, edhe pse për portën gjithçka mbetet e hapur deri në momentet e fundit.

Italiani është i dyzuar për të rikthyer Berishën titullar apo për të mos demoralizuar Strakoshën, që vjen pas një gabimi. Edhe Marash Kumbulla që mendohej titullar në mbrojtje, do ta nisë nga stoli, por në pjesën e dytë me siguri do të marrë minuta.

Formacioni i mundshëm:

Portieri: Strakosha

Mbrojtës: Ismajli  Dermaku  Gjimshiti

Mesfusha: Veseli  Gjasula   Abrashi  Bare   Trashi

Sulmi: Manaj  Cikalleshi

Skema: 3-5-2

Përgatiti: AlpeSport.al

Related posts

PARA NDESHJES ELIMINATORE/ Reja bën 4 lëvizje për të mundur Moldavinë. Ja skemat

Delo.autor

DUAN TITULLIN/ Spalletti jep një lajm të MIRË dhe një të KEQ para Cagliarit

Isa.Autor

E BUJSHME NGA ANGLIA/ Piatek drejt transferimit tek gjigantët e Premier League…

Delo.autor

Leave a Comment