Sport Të tjera

U RENDIT NË VENDIN E 9-TË NË BOTË/ Flet Luiza Gega: Kur e përmbush objektivin ke një ndjesi…

Luiza Gega është absolutisht sportistja më e mirë e atletikës shqiptare. Një kampione që përtej çdo vështirësie ka arritur ta përfaqësojë me dinjitet dhe ta nderojë flamurin tonë kombëtar në të gjitha eventet më të rëndësishme europiane dhe botërore.

Vetëm disa ditë më parë ajo shkroi historinë e atletikës shqiptare duke u bërë e para sportiste që arrin të kualifikohet në finalen e një kampionati botëror. Gega madje mahniti edhe në finale ku regjistroi një rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa.

Ajo e ndali kronometrin në kohën 9:19:93, rezultat që e renditi në vendin e 9-të në botë. Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, në një intervistë për “Panorama Sport”, kampionia e atletikës shqiptare rrëfen në 360 gradë jetën e saj sportive dhe private.

Si ndiheni tani që jeni e 9-ta në botë?

Sigurisht jam shumë e lumtur, sepse të jesh mes top 10 atleteve botërore nuk është pak. Që të arrish aty, duhet shumë punë, talent dhe përkushtim. Por unë kam diçka, që kur e arrij një objektiv, nuk më jep më kënaqësi, por kërkoj gjithnjë më tepër. Kur e përmbush objektivin ke një ndjesi të veçantë dhe mendon se a mund të bëje edhe më mirë. Unë besoj se mund të bëj edhe më shumë se kaq dhe në të ardhmen shpresoj që të paraqitem akoma më mirë. Nëse nuk e bëj në Lojërat Olimpike, do ta arrij patjetër në garat e tjera të vitit të ardhshëm.

luiza gegaa

Si ishte të garoje në Doha me ajër të kondicionuar?

Unë kam qenë në Doha në vitin 2015 në “Diamond League”, garë që mbahej në maj. Kur pashë se çfarë i nxehti bënte, i kam thënë trajnerit që atje nuk do të shkoj më kurrë. Më kërkuan më pas sërish në “Diamond League” në 2017-ën dhe nuk vajta, ndërsa tani në Botëror duhej të shkoja patjetër sepse nuk kisha rrugë tjetër. Mora vesh që gara do të ishte në stadium me ajër të kondicionuar, pasi aty po bëhen edhe testime për kampionatin botëror të futbollit, por gjithsesi nuk e dinim se si do të ishte. Ndërsa kur e pamë nga afër dy ditë para garave, kuptuam që ishte vërtet diçka tjetër dhe kushtet atmosferike ishin optimale. Mendoj se për këtë arsye shumë sportistë kanë dhënë rezultatet e tyre më të mira në këtë event.

Çfarë ju bën të ndiheni mirë?

Kur bën gjithë atë lodhje, sakrificë, duke qëndruar në mal, në kushte të vështira, në të ftohtë, në vapë, në shi dhe kur arrin atë objektivin që i ke vënë vetes, të bën të ndihesh vërtet mirë. Unë kam pasur edhe momente zhgënjimi, ku e gjithë lodhja dhe sakrificat nuk janë finalizuar me pjesëmarrje në garë për shkaqe dëmtimesh, apo kam bërë paraqitje të dobët.

Opinion---Luiza--e-lehta-si-puhiza-_TS_16-06-17_8989473734_

Si është një ditë e zakonshme e Luiza Gegës?

Zakonisht kryej dy seanca stërvitje dhe po ju tregoj për ditët normale, kur vijoj përgatitjet gjatë gjithë vitit. Zgjohem në orën 7:00, sepse më duhet të konsumoj mëngjesin, pasi në orën 9:30 apo 10:00 duhet të nis seancën e parë të stërvitjes. Para sigurisht që pi një kafe, sepse është shumë e rëndësishme për ne sportistët. Pasi na mban më të karikuar dhe më të gatshëm për të nisur stërvitjen. Më pas kthehem nga stërvitja, bëj dush e bëhem gati për drekën. Pas dreke duhet të fle 1 orë apo diçka më tepër. Më pas zgjohem dhe gradualisht bëhem gati për seancën e dytë të stërvitjes, ku gjatë verës e bëj në orën 6:00 të pasdites, ndërsa në dimër mundohem ta bëj më herët. Pas stërvitjes ndoshta mund të pi ndonjë kafe ashtu siç jam, pa u ndërruar, pasi nuk të premton koha. Më tej shkoj në shtëpi dhe konsumoj darkën rreth orës 20:00-21:00. Midis këtyre vakteve mund të bëj edhe ndonjë seancë masazhi, kryesisht pas stërvitjeve të forta. Ndërsa rreth orës 23:00 bëhem gati për gjumë. Pra i gjithë 24-orëshi është i zënë, sepse duhet patjetër të plotësoj edhe 8-9 orë gjumë, pasi është shumë i rëndësishëm. Nëse unë e prish qoftë edhe një ditë këtë regjim, më duhen dy ditë që ta marr veten, sepse jam mësuar vërtet me regjim shumë strikt. Pra jeta e një sportisti është shumë rutinë, të cilën dua ta përkufizoj me vetëm tri fjalë: gjumë, ushqim, stërvitje.

Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë karrierës suaj?

Ka qenë koha kur unë u dëmtova para Lojërave Olimpike në vitin 2012. D.m.th pas kampionatit europian ku unë dola e dyta, vija me diçka të paarritur më parë. Shkova e dëmtuar në një event madhor si olimpiada dhe ka qenë vërtet e vështirë, qoftë në aspektin psikologjik, por gjithashtu pasi kisha bërë një sezon të lodhshëm dhe nuk munda ta finalizoj ashtu siç prisja.

luiza-gega

Sa oferta keni pasur për të garuar me flamur tjetër?

Nuk është se kemi pasur oferta zyrtare, por mund të them që shtete si Azerbajxhani dhe Turqia kanë treguar interes.

A jeni e kënaqur nga trajtimi që ju bëhet në Shqipëri?

Absolutisht jo! Sidomos kur stërvitem jashtë e kuptojmë se sa pak vlerësohemi. Ju them një rast gjatë një stërvitjeje në Florida, aty ku shkova sepse është një vend i ngrohtë, ndërkohë që me këtë rast u takova edhe me motrën që jeton atje. Stërvitesha në një kolegj dhe kur më shihnin, mendonin se isha e vogël. Trajnerët e kolegjit pyesnin “sa vjeç është kjo vajza që të stërvitet me ne?” Të ofrojnë bursa dhe të vlerësojnë shumë. Ndërkohë, kur mendoj se si i kam pasur hapat, ndonjëherë më vjen vërtet keq kur shikoj që kam lindur në një vend me kushte të tilla, që nuk i shkojnë fare pasionit tim

A e keni parë ndonjëherë serialin vizatimor, “Liza në Botën e Çudirave”?

(Qesh), sigurisht edhe si film artistik edhe në versionin e animuar. Ju pëlqen si film? Po, patjetër.

Po ju a ndiheni ndonjëherë këtu në Shqipëri si në botën e çudirave?

Varet nga këndvështrimi. Por është çudi, qoftë për vendin dhe për atë që bëj. Po ju jap një shembull konkret: Kur dal për vrap nga Liqeni Artificial, 30% e njerëzve që më flasin më urojnë, ndërsa 70% e tyre më thonë: Çfarë bën? Po lodhesh? Shiko sa je dobësuar. Ndonjëherë më vjen vërtet çudi, pasi njerëzit nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të bësh sport në këto nivele. Kështu që në shumë raste mund të them që ndihem vërtet si në botën e çudirave këtu.

Çfarë nuk shkon në Shqipëri me sportistët elitarë?

Ata që janë drejtues të sportit nuk kuptojnë se çfarë është sporti elitar. Një sportist elitar ka një vlerësim të ndryshëm nga një sportist normal. Sporti elitar do kushte të tjera, nuk do vetëm infrastrukturë, pasi kjo është një pjesë procesi për sportin masiv. Sportistët elitarë kanë nevojë për grumbullime të herëpashershme, duhen mjekë të specializuar, nevojiten psikologë, të paktën me seanca mujore. Duhen analiza të specializuara të përhershme, të cilat ne i bëjmë me lekët tona. Pra shteti duhet të mbulojë kostot që i duhen një sportisti që klasifikohet elitar, ashtu siç ndodh në të gjithë botën, së bashku me trajnerët.

Related posts

“TE APOLONIA S’MË VLERËSUAN”/ Mërgjyshi: Nuk mbahet ekipi vetëm me të rinj, me mua si trajner do ishim në…

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ Kundërpërgjigjen “Të Kuqtë”, Salah ndëshkon Milan (VIDEO)

Delo.autor

100 MILION EURO RUMENIGE “KONFIRMMON” DYBALA/ Në listë edhe… Suarez

Isa.Autor

Leave a Comment