Duhet të ishte thjesht një miqësore luksi ndeshja mes Brazilit dhe Argjentinës, por në të vërtetë situata ishte më shumë sesa e nxehtë. Lionel Mesi, pas rikthimit në radhët e përfaqësueses bardhekaltër, u bë menjëherë protagonist, jo vetëm për golin e shënuar, por edhe për një debat që pati me trajnerin e Brazilit, Tite.
Kapiteni i Argjentinës shkaktoi një faull të ashpër që mund dhe ndoshta duhet të ndëshkohej me karton të verdhë. Por ndërsa trajneri i “Seleçaos”, Tite, u ankua tek arbitrat, Leo iu kthye në një mënyrë shumë nervoze atij, duke i bërë gjestin që të mbyllte gojën. Pamjet në fjalë, që u kapën nga kamerat në stadium, bënë shumë shpejt xhiron e botës dhe trajneri i Brazilit shpjegoi gjithçka që ndodhi. Ai madje u ankua për arbitrimin e kësaj ndeshjeje.
“Isha duke protestuar sepse Mesi bëri një ndërhyrje shumë të ashpër ndaj lojtari tonë dhe meritonte kartonin e verdhë. E pashë Leon dhe ai po më bënte me shenjë që të heshtja. Unë iu kundërpërgjigja që ta mbyllte ai gojën dhe të vazhdonte lojën. Por, gjithsesi, aty mbaroi gjithçka. Këto janë gjëra që ndodhin në fushën e lojës, por ai faull i Mesit ishte për karton të verdhë. Unë kisha të drejtë që të ankohesha dhe me të drejtë e kërkova ndëshkimin”, theksoi trajneri. Tite foli edhe për penalltinë e akorduar në favor të Argjentinës.
“Për mendimin tim, ai episod nuk ishte kurrsesi një faull i Aleks Sandros në dëm të Lionel Mesit. Nuk mund të jepej ajo penallti, ndonëse në të njëjtën kohë dua t’i jap meritat Argjentinës që e fitoi me meritë këtë superklasike, për çfarë dha në aspektin e lojës, duke luajtur shumë më mirë sesa ne.
Në të njëjtën kohë kam edhe një këshillë për organizatorët e kësaj ndeshjeje për të ardhmen: sa herë që të luhet BrazilArgjentinë, duhet të ketë arbitra me më shumë eksperiencë. Një gjyqtar anglez nuk do ta vërshëllente kurrë atë penallti”, tha Tite pas ndeshjes.