Futboll Seria A Sport

FINALJA E SUPERKUPËS ME JUVENTUS/ Flet “Gardiani” Strakosha: Jemi gati…

Në fitoren e Lacios, në transfertën e Kaljarit, një meritë të jashtëzakonshme e kishte pa dyshim edhe Thomas Strakosha, me një pritje spektakolare. Të gjithë vëmendjen e mori koha shtesë, aty ku bardhekaltrit bënë përmbysjen e çmendur, por gjatë kohës kur rezultati ishte 1-0 për sardët, Strakosha ishte heroi i kryeqytetasve, duke shpëtuar portën e tij, ku hipnotizoi belgun Naingolan dhe evitoi një gol të sigurt.

Edhe pse Thomasi pati shumë punë në Sardenjë, nuk ngurroi që të bënte ironi edhe në lidhje me disa episode, në të cilat Lacio dominoi në fushë dhe ai pati pak punë:

“Kishte disa raste kur më zuri disi gjumi, por për fat të mirë reagova në kohë. Në Kaljari mbërritëm shumë vonë dhe ndoshta nuk ishim qetësuar siç duhet një natë më parë, ndaj me të drejtë pati disa momente gjatë ndeshjes kur më vinte për të dremitur”, deklaroi portieri për mediat, duke buzëqeshur kundrejt një momenti special që po kalon si ai ashtu edhe skuadra bardhekaltër.

Por ndërsa nga mediat e mëdha është ekzaltuar skuadra në total, ndërsa nga ato të kryeqytetit portieri i Kombëtares shqiptare është ngritur në piedestal, gjithsesi Strakosha pranon me modesti se nuk i intereson aspak se cili emër lakohet më shumë në gazeta.

strakosha

E vetmja gjë që ka rëndësi për të është që Lacio të vazhdojë fluturimin. “Çdokush bën punën e tij në skuadër, duke nisur që nga magazinieri e deri te fizioterapistët. Unë luaj futboll sepse më pëlqen. Skuadra ime është në vendin e tretë dhe unë jam i kënaqur për këtë fakt. Nuk luaj për të rënë në sy, për publicitet, por për të fituar diçka të rëndësishme. Në pjesën e parë në Kaljari nuk ishim ne dhe kjo dallohej qartë. Më pas në pjesën e dytë treguam karakter më shumë se në çdo ndeshje tjetër. Kishte vite që nuk merrnim një fitore në këtë mënyrë (dy gola në 7 minutat shtesë të akorduara) dhe në çdo ndeshje po arrijmë të tregojmë diçka më tepër. Jemi një ekip i fortë, që nëse nuk dorëzohet mund të arrijmë gjithçka. Është një kënaqësi e madhe t’i shohësh tifozët kaq të lumtur, pasi e meritojnë. Kemi luftuar gjithmonë për objektiva të rëndësishëm dhe shpeshherë nuk ia kemi dalë. Kjo gjë na jepte një ndjesi të keqe. Por tashmë jemi në një pozicion të rëndësishëm dhe do të luajmë një finale Superkupe me Juventusin dhe jemi gati. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë”, tha 24- vjeçari.

strakosha

Më pas Strakosha komentoi edhe ndryshimin në “look”, duke iu referuar mjekrës së lënë: “Ishte një periudhë kur skuadra nuk po shkonte mirë dhe vendosa që ta rrisja, për të më sjellë fat ndoshta dhe besoj se deri tani më ka ecur mirë si mua, ashtu sikurse Lacios”, përfundoi “gardiani” i Kombëtares kuqezi.

Related posts

RRËFEN PRAPASKENAT E INTERIT/ Moratti: Ishim në tratativa për Iniestan dhe “Pleshtin”

Delo.autor

Bari ka këtë plan për mesfushorin e Kombëtares shqiptare

Q.Autor

COVID-19/ Komiteti i Ekspertëve zbulon vendimet: Do lejohen tifozët në stadiume duke filluar nga…

Delo.autor

Leave a Comment