Futboll La Liga Sport

DUKET SA NJË DEKADË/ Zidane feston katër vjetorin nga emërimi i tij si trajner i Real Madrid

“Unë mendoj se gjithçka do të jetë mirë”, – tha Zinedine Zidane më 4 janar 2016, kur u prezantua për herë të parë si trajner i Real Madridit. Kanë kaluar katër vite nga ai moment dhe “Zizou” me të vërtetë ia ka dalë shumë mirë në krye të ekipit të bardhë. Ndoshta më mirë sesa e imagjinonte, kur e lëshoi frazën e lartpërmendur. Por, mbi të gjitha, skena e Zidane si trajner i Real Madrid ka qenë shumë e titulluar. Sepse, me të vërtetë janë tri vite e tre muaj, periudha që ai e ka udhëhequr skuadrën nga “Bernabeu”, por trofetë duken si për një dekadë. Në këtë periudhë të shkurtër kohe, Zidane ka fituar tre Champions radhazi, nëntë tituj në total, ka rikuperuar fronin e La Liga-s. Kjo i përket periudhës së parë, të cilën e la në vitin 2018. Francezi u kthye në drejtimin e Realit vitin e kaluar. Në eksperiencën e dytë, që vijon, ka përjetuar dy kriza. Tani, Zidane po përpiqet të rindërtojë perandorinë, që u rrit në tri sezonet e tij të para në krye të “Los Blancos”.

Më 4 janar 2016, Florentino Pérez shkarkoi Benitez dhe “vuri bast” për Zidane, i cili kishte qenë në krye të “Castilla” (ekipi B) për dy vite. Epoka e “Zizou” filloi aty si trajner i Real Madridit. Ardhja e tij ishte goditje e një iluzioni, që së shpejti filloi të reflektohej në rezultatet e ekipit. Në pesë muajt që kishte komandën për sezonin 2015-2016, Real Madridi fitoi 17 nga 20 ndeshjet e La Ligas, që luajti (përfshirë “El Clasico” në “Camp Nou”). Ai “flirtoi” me titullin kampion në Spanjë deri në ndeshjen e fundit. Por, suksesi do të vinte në Ligën e Kampionëve. Pas eliminimit të Romës, Wolfsburgut dhe Manchester City, të bardhët do ta shpëtonin sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Ligën e Kampionëve. Ata mundën Atletico Madridin në finalen e Milanos. “Zizou” ishte protagonist i Champions-it të nëntë të Real Madridit si lojtar, të dhjetin e shijoi si asistent i Carlo Ancelottit, ndërsa të njëmbëdhjetin si trajner. Ishte fillimi i një faze të lavdishme të të bardhëve.

Dopietë historike. Në sezonin 2016-2017, i pari i plotë me Zidane në stolin e Real Madridit, sukseset u shumuan. Skuadra do të fitonte Superkupën e Europës dhe disa muaj më vonë Botërorin e  Klubeve. Francezi e mbylli vitin e tij të parë kalendarik si trajner i të bardhëve me tre tituj në xhep. Në fund të sezonit do ta rrumbullakoste këtë sukses me një dopietë historike, duke fituar La Liga-n dhe Ligën e Kampionëve. Real Madridi rifitoi fronin e brendshëm dhe në Europë u bë klubi i parë, që fitonte dy Champions radhazi. Zidane e kishte dërguar skuadrën në një dimension tjetër. Ishte momenti kulmor i punës së tij të shkëlqyeshme. Dhe e gjitha kjo në vetëm 16 muaj në krye të “Los Blancos”.

Champions-i i tretë radhazi mbërriti, tituj të tjerë nuk munguan. Në fillim të sezonit 2017-2018, Real Madridi me Zidane trajner është ende në valën e trofeve. Në verë, ai fitoi edhe dy të tjerë, Superkupën Spanjolle kundër Barçës dhe Superkupën Europiane kundër Manchester United. Suksese të tilla “provokojnë” çmime individuale për Zidane, i cili fiton “The Best”, si trajneri më i mirë në botë. Pak më vonë, një tjetër Botëror Klubesh. Real Madridi është një makineri perfekte për të fituar finale dhe tituj. I vetmi “nishan” në ato muaj ishte La Liga, të cilën skuadra e bardhë e lëshoi nga duart, diçka që trajnerit francez nuk i pëlqeu aspak. Në janar, situata e La Liga-s, së bashku me eleminimin e papritur kundër Leganés në Kupën e Mbretit, regjistroi krizën e parë të epokës së “Zizou”. Një krizë, që skuadra e fshiu me paraqitje të shkëlqyeshme në Champions, në të cilin eliminoi PSG, Juventus dhe Bayern Munich. Këtë kompeticion e fitoi për të tretën herë radhazi, kundër Liverpool-it, në finalen e Kievit. Ky ishte titulli i nëntë i Zidane në tri sezone.

“Lamtumira” befasuese e Zidane dhe rikthimi i tij, po i papritur. Pesë ditë pasi fitoi të tretën Ligë Kampionesh, trajneri francez i befasoi të gjithë, duke njoftuar largimin dhe përfundimin e një faze të lavdishme në stolin e Real Madridit. Bashkë me të, të bardhët i la edhe Cristiano Ronaldo. “Ekipi ka nevojë për një ndryshim në drejtim, që të ruajë ritimin e fitoreve”, – tha Zidane në lamtumirën e tij në “Valdebebas”, i shoqëruar nga Florentino Pérez. Ajo që Zidane nuk e imagjinonte ishte mirupafshim i tij shumë i shkurtër, sepse gjërat nuk shkuan mirë për ekipin dhe nëntë muaj më vonë, ai u kthye në Madrid, si një zgjidhje për krizën e madhe të rezultateve të skuadrës.

Dy kriza në punën e rindërtimit të skuadrës, në sezonin 2019-2020. Në kthimin e tij të dytë, efektet e tij nuk ishin aq të dukshme sa herën e parë. Real Madridi përfundoi keq dhe Zidane u akuzua direkt. Humbja ndaj PSG e kryqëzoi trajnerin francez. Sidoqoftë, kjo nuk ishte situata e parë kritike. Humbja e dhimbshme në Mallorca do të provokonte një krizë të re, më të theksuar. Në këtë rast doli në skenë edhe Jose Mourinho. Hija e portugezit nisi të fluturojë mbi “Bernabéu”. Por, Zidane gjen çelësin e zgjidhjes në kohë dhe e kthen në favor situatën, megjithëse vitin e përfundoi me një shije të hidhur. Sot, Zidane mbush katër vite, që kur e mori për herë të parë komandën e Real Madridit. Ai po punon për rindërtimin e plotë të skuadrës kampione, që prodhoi. Kjo është sfida e tij e madhe, në fazën e tij të dytë si trajner i bardhë.

Related posts

KUSH DO JETË KAPITENI I RI I INTERIT? Dy favoritë, një i preferuar dhe tre kandidatë që shikojnë…

F.autor

Zyrtare/ Largohet nga BAYERNI: Lojtari nënshkruan me rivalët e bavarezëve

Isa.Autor

(FOTO) Real Madrid heq dorë nga De Gea, në gjurmët e portierit francez

Q.Autor

Leave a Comment