Sipas raportimeve të fundit nga Spanja, në veçanti nga e përditshmja katalanase “Sport”, Barcelona nuk ka hequr dorë nga ideja e shitjes së Ivan Rakitiçit brenda merkatos së janarit. Klubet e interesuara për mesfushorin kroat të datëlindjes 1988 janë Interi, Juventusi dhe Mançester Junajtid, por dy të fundit mbeten favorite pasi zikaltrit zyrtarizuan Kristian Eriksenin.
Pasi dështoi shkëmbimi me kampionin e Italisë, Federiko Bernardeskin, Barça nuk dorëzohet për t’i gjetur një sistemim Rakitiçit, i cili do të preferonte që të vendoste të ardhmen në verë, me më shumë qetësi.
Kontrata me spanjollët i skadon në qershorin e 2021-shit, por pikërisht prej saj, Barcelona kërkon që ta shesë që në janar dhe vazhdon t’ia ofrojë Juventusit me ngulm, aq më tepër duke parë se nga Torino po përgatitet të largohet edhe Emre Xhani.
“Unë shpresoj që të mos rikuperojë, madje për mua nuk është as i dëmtuar, por janë thjesht skema”. Apo… “I këshilloj Junajtidit ta shesë sa më shpejt, edhe për të mirën e tyre”. Dy deklarata shumë të forta respektivisht nga dy legjenda të Mançesterit, Pol Skolls dhe Rajan Gigs, të dyja në drejtim të Pol Pogbasë.
Mesfushori francez nuk ka më “avokatë” në radhët e “Djajve të kuq” dhe madje edhe tifozët janë shumë të ftohtë ndaj tij, por sikur të mos mjaftonte kjo, “Daily Mail” raporton se edhe Reali i Madridit ka vendosur që ta lëshojë Pogbanë.
Dëmtimet e shpeshta, por ndoshta edhe bëmat e kohëve të fundit kanë bërë që edhe Mino Raiola të nisë të shqetësohet për klientin e tij, aq sa duke parë edhe ftohtësinë nga Madridi po planifikon një udhëtim në Torino, për t’ia propozuar Juventusit, për sezonin e ardhshëm.

