Champions League Futboll Sport

ATLETICO-LIVERPOOL/ Simeone kundër Klopp apo “ferr-parajsa” e dy trajnerëve?!

Quhet “Anfield”, është referenca me të cilën Liverpool i frikëson rivalët e tij. Një stadium që ka fituar mistikën e veçantë gjatë pesë dekadave të fundit. Lojtarët e kuq, si në himnin e tyre, “kurrë nuk do të jenë vetëm”. Legjenda si kjo janë sendërtuar nga veprat historike. Dhe anglezët i grumbullojnë ato të së kaluarës… për t’i përdorur sot. Sonte është radha e “Wanda Metropolitano”, aty ku Atlético Madrid do ta presë Liverpool në duelin e parë të 1/8 finale të Champions-it. Krahasimi, logjikisht, është imagjinar. Sidoqoftë, pothuajse 70.000 shpirtra do ta mbushin stadiumin e “rojiblancos”, me shpresën se do ta ndihmojnë Diego Simeone dhe të tijtë të shkojnë në çerekfinale të Champions-it.

Në fakt, duke parë numrat dhe ndjesitë e njërit apo tjetrit, argumentet sportive bien thuajse të gjitha në anën e anglezëve, që dominojnë Premier League si kurrë më parë në histori. Po ashtu, “Reds” janë në mbrojtje të kurorës së kampionëve të Europës. Klopp dhe skuadra e tij e dinë që “Wanda Metropolitano” nuk është “Vicente Calderón” (të gjithë e dinë këtë…, përfshirë vendasit). Precedenti i mëparshëm i një përplasjeje të nivelit më të lartë, pra në Champions, i vendosi madrilenët përpara një prove me shumë ngjashmëri të kësaj të marte.

Ndodhi një vit më parë. Juventusi i Cristiano Ronaldos mbërriti aty me petkun e favoritit kryesor të Champions-it. Skuadra e “El Cholo” fitoi 2-0 në “Wanda Metropolitano”, pavarësisht se më pas u përmbys si mos më keq dhe u eliminua në Torino. Tripleta e CR7 ishte likujduese për Atletico Madrid, në kthim. Në kërkim të atij bashkimi midis ekipit dhe forcës që të jep tifozëria, spanjollët synojnë suksesin sonte, në shtëpi, ndaj kampionëve të kontinentit në fuqi. Kur karikimi është maksimal, ka rezultate që shkojnë edhe përtej logjikës e momentit sportiv.

Diego Simeone e di se faktori psikologjik do të jetë jetik për të arritur një ekip të dimensionit aktual të Liverpool-it të Jurgen Klopp. Mos harroni ngjarjet e mëparshme, kthehuni në kujtesë, kur ky Atletico Madrid ishte në gjendje të përmbyste favoritë të padiskutueshëm si Bayern Munich i Guardiolës apo Barça e Messit, në stadiumin “Vicente Calderón”, që u bë “ferr” për kundërshtarët dhe iu dha krahëve vendasve. Aty, këmbët e rivalëve peshonin gjithnjë e më shumë. E gjitha kjo prognozë do të jetë thelbësore që “rojiblancos” të krijojnë një bashkim forcash të shkallëve të stadiumit dhe fushës së blertë qysh para se të rrotullohet topi.

Në fakt, suksesi i kryeqytetasve spanjollë duket një utopi për momentin që të dyja klubet po kalojnë. Kemi Atletico Madrid më të keq, që nga momenti kur arriti Diego Pablo Simeone në pankinë, përballë Liverpool-it të pathyeshëm, të krijuar nga Jurgen Klopp. Por, filozofia e trajnerit argjentinas është besimi dhe tek e pamundura. Kuptohet, me ndihmën e “Wanda Metropolitano”….

Related posts

​Formacioni më i mirë i këtij sezoni në Europë

Q.Autor

SITUATË KAOTIKE TEK LAZIO/ Udhëton drejt Belgjikës me vetëm 12 lojtarë nga ekipi i parë

Delo.autor

Rusi 2018, shansi i fundit për Messin e Ronaldon për të fituar një Kupë Bote

Sadik.Autor

Leave a Comment