Futboll Premier League Sport

I PANDALSHMI LIVERPOOL/ “Mbreti” i thyerjes dhe vendosjes së rekordeve të reja (STATISTIKAT)

Liverpool është skuadra më e frikshme e momentit. Një konkulzion i pakontestueshëm dhe vështirë për t’u hedhur poshtë sot. Ekipi i drejtuar nga Jürgen Klopp është duke thyer të gjitha rekordet në garën e vet të brendshme dhe synon të mbrojë titullin e Champions-it. Në 1/8 finale, “Reds” do të sfidojnë Atlético Madrid, i cili po kalon një nga momentet më kritike që nga ardhja e trajnerit Simeone. Sidoqoftë, “rojiblancos” duan të japin sinjalin e kthesës ndaj një rivali, që vazhdon të bëjë histori në Premier League.

Për të kuptuar madhësinë e gjithçkaje, që përbën Liverpool i këtij sezoni, duhet të kthehemi më 2015. Skuadra e kuqe mbeti një hap larg triumfit në Premier League në vitin 2014 dhe kaloi në “depression”, pas disa viteve mediokritet. Ardhja e Jürgen Klopp ndryshoi gjithçka. Ishte trajneri i duhur për ta kthyer klubin në madhështi. Gjermani e tregoi këtë që në prezantimin e tij, duke lënë një frazë për kujtesën: “Ne duhet t’i shndërrojmë skeptikët në besimtarë”.

Ai kishte shumë punë përpara, por karizma dhe përpjekja e tij pushtuan zemrën e një tifozërie të veçantë, që ndan shumë vlera me gjermanin. Në sezonin e tij të parë në krye të stolit të “Reds”, ai arriti finalen e “Europa League” (humbi 3-1 kundër Sevilla). Sezoni i tij i dytë ishte më i frytshëm, Klopp arriti një nga qëllimet e klubit: kualifikimin në Champions përmes klasifikimit në Premier League. Ai provoi edhe finalen e Champions-it (u mund 3-1 nga Real Madridi). Sezoni 2018-2019 ishte historik. Liverpool fitoi Ligën e Kampionëve dhe mbeti një pikë (grumbulloi 97 pikë) larg titullit në Angli. Një trofe që do ta bëjë të vetin këtë vit, falë një sezoni rekord.

Duke pasur parasysh nivelin që tani po dëshmon, gjithçka duket më e lehtë, por është punë kolosale e gjermanit. Trajneri i dha hapësirë Trent Alexander-Arnold (pjesë e akademisë) dhe e ka bërë atë një anësor spektakolar e të kompletuar, bashkë me Andy Robertson (arriti nga Hull City për vetëm 8 milionë €). Mbrojtja u sigurua nga Alisson Becker dhe Virgil van Dijk, dy investimet kryesore (dhe të domosdoshme) të viteve të fundit. Qendra e fushës ka Fabinho, të akomoduar në mënyrë të përsosur; kapiteni Henderson dhe Wijnaldum i befasishëm. Pak më shumë mund të thuhet për Salah, Firmino dhe Mané, të cilët kanë formuar një “trident” të frikshëm, bazuar në punën e grupit dhe sakrificën. Ato plotësojnë njëri-tjetrin në mënyrë perfekte.

2019-ta ishte viti më i mirë për Liverpool, sepse fitoi Champions-in, Superkupën Europiane dhe Botërorin e Klubeve. Mbetet për t’u parë vazhdimësia në vitin 2020. Ai është vetëm 15 pikë larg të bërit kampion i Anglisë 30 vite më vonë nga titulli i fundit. Ky titull do të jetë i pari në epokën e Premier League. “Reds” mund ta bëjnë këtë si të pamposhtur (pa asnjë humbje), si kampionët më të hershëm (mund të zyrtarizohen më 21 mars), duke vendosur një rekord të pikëve dhe distancës me vendin e dytë.

I pandalshëm në Premier League
Liverpool ka 76 pikë pas 26 ndeshjeve, në të cilat ka 25 fitore dhe vetëm një barazim. Ky është rekordi i pikëve në një nga pesë ligat kryesore europiane në këtë pikë të sezonit. Të kuqtë tashmë kanë grumbulluar 43 ndeshje pa humbur në Premier League. Janë gjashtë ndeshje larg Arsenalit të pabesueshëm, i cili e ndërpreu këtë seri te ndeshja e 49-të. Rekordin e më shumë ndeshjeve radhazi pa humbje, në pesë ligat e mëdha të kontinentit, e mban Milani. Kuqezinjtë luajtën 58 ndeshje radhazi pa humbje, mes viteve 1991 dhe 1993.

Seritë e mëdha të pamposhtmërisë në ligat kryesore:
1. Milani – 58 ndeshje pa humbur (1991-1993)
2. Bayern Munich – 53 ndeshje pa humbur (2012-2014)
3. Arsenali: 49 ndeshje pa humbur (2003-2004)
4. Juventus: 49 ndeshje pa humbur (2011-2012)
5. Liverpool: 43 ndeshje pa humbur (2019-)
6. Barcelona: 43 ndeshje pa humbur (2017-2018)

Mënyra për të dominuar edhe në Europë
Që nga ardhja e Jürgen Klopp, “Reds” kanë qenë në dy finale të Champions-it dhe një të “Europa League”. Me siguri, duan ta përsërisin vetveten. Liverpool nuk ka humbur asnjë kualifikuese europiane me gjermanin në krye. Ai ka fituar 11 kualifikueset e fundit në Champions dhe “Europa League”. Humbja e tij e fundit në ndeshjet e dyfishta (në raundet me eliminim direkt), në garat europiane, daton nga shkurti 2015. Liverpool u eliminua në raundin e parë të kualifikueseve të “Europa League”, me penallti, ndaj Beşiktaş.

Në dy vitet e fundit ka mposhtur në fazën e “nokaut”-it të Ligës së Kampionëve (dy herë), Manchester City, Romën, Bayern Munich dhe Barcelonën. Fundjavën e kaluar, sikur të mos ishte e mjaftueshme, Liverpool siguroi matematikisht kualifikimin në Ligën e Kampionëve 2020-2021 (përmes klasifikimit në Premier League). Është skuadra e parë, që e ka siguruar vendin e saj në fazën e grupeve të Champions-it të ardhshëm.

Numrat e të kuqve në këtë sezon të trembin. Ata kanë humbur vetëm 2 ndeshje (nga 42 në total) deri më tani. E para ishte kundër Napolit (2-0) në fazën e grupeve të Champions-it, ndërsa e dyta kundër Aston Villa (5-0) në çerekfinalen e “Carabao Cup”. Kjo humbja e dytë u pësua nga Liverpool U-23, pasi skuadra e parë luajti gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve në Doha, të nesërmen.

Vetëm Raúl Jiménez ka shënuar gol kundër Alisson Becker në 990 minutat e fundit të Premier League. Prova e radhës është kjo e mbrëmjes së sotme kundër Atlético Madrid, i cili synon të pamundurën; të ndalojë “makinerinë e frikshme” të Jürgen Klopp. Një ekip rekordesh, që është në rrugën e tij për t’u bërë legjendë.

Related posts

TRONDITET BOTA E FUTBOLLIT/ Vritet futbollisti pas një atentati me armë

F.autor

INTER-MILAN/ Derbi i Madoninës me 1000 tifozë dhe 5 milionë euro humbje

Delo.autor

Ish-trajneri i Real Madridit: Ronaldo më i miri në botë, ama Messi s’është nga kjo botë

Q.Autor

Leave a Comment