Futboll Sport

HAALAND APO KYLIAN MBAPPE/ Kush e fiton “eliksirin” e Championsit ? (KRAHASIMI ME SHIFRA)

Futbolli në vitet e fundit është karakterizuar nga disa zbulime të rinjsh. Sezon pas sezoni, lojtarët që nuk kanë bërë as dy dekada në këtë botë janë identifikuar aq të rëndësishëm në ekipet e tyre, sa të marrin përsipër përgjegjësinë për projekte të rëndësishme. Ky është rasti i Erling Braut Håland dhe Kylian Mbappé, të cilët nesër do të përballen në Champions, në sfidën Borussia Dortmund-PSG.

Talenti norvegjez është bërë brenda vetëm disa muajve një prej sulmuesve më të mirë në Europë. I bashkuar me verdhezinjtë e Bundesliga në merkaton e dimrit, ai aktualisht është golashënuesi i dytë më i mirë në Ligën e Kampionëve (8 gola në 6 ndeshje, me Salzburgun). Nga ana e tij, Mbappé nuk është më ai djaloshi që debutoi vetëm 16 vjeç te Monaco, por një nga lojtarët më të mirë në botë, duke qenë i padiskutueshëm te PSG dhe ekipi kombëtar francez. Me këtë të fundit, ai tashmë është kampion bote në “Rusia 2018”, ku luajti titullar në të gjithë turneun.

Nesër, në “Signal Iduna Park”, Håland dhe Mbappé do të duelojnë si yje, në një nga sfidat më tërheqëse të 1/8 finale të Champions-it. Golat e ndeshjes do të kalojnë nëpër këmbët e tyre, ashtu si çdo detaj që mund të vendosë rezultatin. Është e vërtetë që sulmuesi i PSG ka më shumë përvojë sesa rivali i tij (në 30 ndeshje të Ligës së Kampionëve, ka shënuar 19 gola dhe ka dhënë 11 asiste), por nëse ka ndonjë të aftë që t’i tejkalojë shifrat e yllit francez, ky është Håland. Ai tashmë ka 8 gola në vetëm 5 ndeshje me Borussia Dortmund dhe përbën kërcënimin serioz për mbrojtjen jo dhe aq solide të PSG në këtë sezon.

Nëse shikojmë statistikat e të dy lojtarëve, deri në moshën 19 vjeç dhe 212 ditë (krahasimi i bërë nga “L’Equipe”), sa është aktualisht Haland, triumfon norvegjezi. Në Ligën e Kampionëve, Mbappé kishte luajtur 17 ndeshje, ndërsa Haland ka vetëm 6 të tilla, në këtë moshë. Sa iu përket golave, sulmuesi i Borussia Dortmundit ka shënuar 8 gola, ndërsa Mbappé kishte 10 të tillë, edhe pse me 11 ndeshje të luajtura më shumë. Në Ligë, ndërkohë, francezi kishte 29 gola në 68 ndeshje, ndërsa ish-ylli i Salzburg ka 39 gola në 60 ndeshje, edhe pse shumicën e tyre në një ligë të nivelit më të ulët, si ajo austriake.

Nëse të dy lojtarët kanë diçka të përbashkët, është sfida për të mposhtur rekordin e përparësisë në Ligën e Kampionëve. Në këtë edicion, Haland u bë lojtari i parë që shënoi në pesë ndeshjet e tij të para në kompeticion, ndërsa Mbappé ishte i pari, që realizoi 6 gola në tri ndeshjet e tij të para, në garën madhore kontinentale të klubeve. Ky duel Brenda supersfidës është pa dyshim nxitja e madhe e Borussia Dortmund-PSG, që premton të jetë emocionuese.

Related posts

SHOKOHET ICARDI/ Uanda NARA: Nuk jam vetëm gruaja e MAUROS, kam plane…

Isa.Autor

NIS PËRGATITJET NË FUSHËN E BLERTË/ Teuta e plotë për sfidën ndaj krutanëve, pritet debutimi i blerjes së re

Delo.autor

LËVIZJA E “ÇMENDUR” NË MERKATO/ “Djajtë e Kuq” dhe Inter gati shkëmbimin yjeve…

Delo.autor

Leave a Comment