Futboll Kategoria Superiore Sport

“SKËNDERBEU NUK THYHET”/ Trajneri Daja: Ilioni më njeh mirë, i studioj të gjithë…

Pasi siguroi kualifikimin në çerekfina le të Kupës, Skënderbeu tashmë do të kërkojë marrjen e një rezultati pozitiv në kampionat. Bardhekuqtë luajnë një transfertë të vështirë ndaj Tiranës.

Për trajnerin Ilir Daja, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ndeshja e sotme është e një vështirësie të lartë, por do të bëjnë maksimumin për të mos dalë pa pikë nga kryeqyteti. Kjo, sipas tij, do ta rriste pozicionin e korçarëve në renditje.

Do të luani me Tiranën për herë të parë në një stadium të ri. Si është pritur kjo në skuadër dhe a mendoni se mund të jetë një motiv më tepër për lojtarët ky fakt?

Atëherë, mund të themi se ndoshta në raport me përshtatjen që lojtarët do të kenë me fushën, është më e favorizuar Tirana. Normalisht të luash në kushte të tilla është motiv për të gjithë. Ne kemi në ekip lojtarë që kanë luajtur në të tilla nivele dhe terrene, por edhe futbollistë të rinj që e kanë përherë të parë një ndeshje të tillë. Shpresojmë që përshtatja me terrenin të jetë e mirë për të gjithë lojtarët tanë.

Ka diçka që ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje, cili nga lojtarët është riaftësuar dhe cili do të mungojë? 

Mund të them se e kemi të sigurt mungesën e Ndekit, i cili nuk është bashkuar me grupin dhe po zhvillon i diferencuar fazën riaftësuese. Nga ana tjetër, kemi rikuperuar Krasniqin, i cili do të jetë i gatshëm për këtë takim, por nuk e dimë nëse do ta nisë titullar apo do të jetë nga stoli. Kjo, pasi ka vetëm dy ditë që stërvitet me ekipin dhe nuk është në maksimumin e vet.

Keni thënë që Tiranës ia dini pikat e dobëta. Mendoni se do të jetë pikërisht Skënderbeu skuadra që do të ndalë ecurinë e shtatë fitoreve radhazi në kampionat?

Për të qenë i saktë, unë kur flas për ekipet, nuk përmend pika të dobëta, por pika jo të forta. Në këtë rast e kam pasur fjalën për pika jo të forta në manovër dhe jo në elementë të veçantë në fushë. E them këtë, pasi Tirana është një ekip që ka plot lojtarë cilësorë në ekip. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme, duke vijuar të jemi në vijimësinë pozitive të ndeshjeve të zhvilluara në këtë vit.

E kishit menduar që Tirana do të ishte e suksesshme me Egbonë? 

Jo, nuk e kam menduar asnjëherë, pasi jam trajner i Skënderbeut dhe mendoj vetëm për Skënderbeun. Por, do të doja t’i shprehja komplimentet e mia stafit të Tiranës dhe trajnerit Egbo, me të cilin kam punuar në kohën kur isha te bardheblutë.

Ilion Lika me batutë ka thënë që nëse Daja e ka gjetur çelësin, atëherë të mos futen fare në fushë. Donit t’i thoshit diçka? 

Të them të drejtën, Ilioni më njeh mjaft mirë dhe e di që unë studioj çdo ndeshje të kundërshtarit, por nuk dua t’i them asgjë në këtë moment.

ilir daja1

Deri kur do të jetë Bregu pjesë e ekipit? Çfarë ju kanë thënë drejtuesit?

Ne shpresojmë që Dejvi të jetë sa më gjatë me ekipin tonë, pasi është një lojtar me vlera dhe që na ndihmon mjaft në pjesën e ofensivës në fushë. Nëse ka ndonjë ofertë të mirë si për klubin ashtu edhe për vetë lojtarin, atëherë ne i urojmë të ecë sa më mirë për sa i përket karrierës së tij personale.

 Po Jashanica, kur do të rikthehet?

Jashanica mund të konsiderohet i rikthyer, pasi është bashkuar me ne dhe po vijon përgatitjen me ekipin plotësisht. Është vetëm çështje ditësh derisa UEFA të na çojë njoftimin se lojtari është gati që të fillojë normalisht aktivitetin.

Related posts

Wilshere tundohet nga Liverpooli, mund të mos rinovojë me Arsenalin

Q.Autor

CHELSEA-PALMEIRAS/ Jorginho do hakmarrje: Më refuzuan kur u provova 12 vjeç

Delo.autor

BËRI RACIZËM NË RRJETET SOCIALE/ Cavani pritet të marrë dënimin e rëndë nga Komisioni i Disiplinës angleze (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment