Sport Tennis

TENIS/ Sofia Kenin triumfon në “Australian Open”, merr “Slam”-in e parë në karrierë

21-vjeçarja Sofia Kenin siguroi trofeun e parë Slam në karrierë, teksa mundi në finale në Australian Open tenisten spanjolle Garbine Muguruza. Tenistja me origjinë ruse përmbysi disavantazhin e setit hapës për të mposhtur në 2h 03′ numrin 32 të botës, që në mënyrë të kuptueshme konsiderohej si favorite për të triumfuar në Melbourne Park, për shkak të eksperiencës dhe 2 titujve të fituar në Roland Garros dhe Wimbledon, respektivisht në vitet 2016 e 2017.

Në fushën qendrore Rod Laver Arena për shkak të emocioneve tenistja e lindur në Moskë nuk e filloi aspak mirë finalen, megjithatë numri 15 në klasifikimin e përgjithshëm WTA me kalimin e minutave hyri pak e nga pak në lojën e saj të zakonshme, për të dominuar në vazhdim në aspektin psikologjik, duke u bërë në këtë mënyrë edhe sportistja më e re nga Shtetet e Bashkuara që ia del mbanë për të triumfuar në Australi, pas tenistes legjendare Serena Williams në 2003 e largët.

Përpara katër muajsh Sonya kishte fituar gjithashtu në tre sete edhe përballjen e vetme ndërmjet tyre, në turneun e Pekinit, sidoqoftë tenistja iberike zbriti në fushë pas një forme të shkëlqyer, duke eliminuar me radhë rivale tepër të forta si: Elina Svitolina, Kiki Bertens, Anastasia Pavlyuchenkova dhe Simona Halep, pra plot 3 nga 10 tenistet më të mira në planet.

Ish-numri 1 i botës që e filloi aventurën e sivjetshme duke humbur me zero setin e saj të parë në Melbourne Park, me amerikanen Shelby Rogers që pozicionohej në vendin e 155 në rruzull, e nisi shumë mirë takimin, duke fluturuar shpejt e shpejt në epërsinë 3-1. Kenin që në fillimet e saj është stërvitur me emra të mëdhenj të këtij sporti si: John McEnroe, Venus Williams dhe Kim Clijsters u kthye nga disavantazhi 2-4 dhe 0-40 për të barazuar shifrat në 4-4, gjithsesi 26-vjeçarja spanjolle që u rikthye përsëri te trajnerja e saj e mëparshme Conchita Martinez reagoi pa humbur kohë me kundërbreak dhe pasi mori dy game-t e fundit rresht mbylli llogaritë e setit hapës me rezultatin 6-4.

Ndonëse në finalen e parë të madhe në karrierë, Kenin përmirësoi ndjeshëm lojën e saj dhe me një besim të jashtëzakonshëm në forcat e veta 21-vjeçarja amerikane ia doli mbanë për të përmbysur gjithçka, duke i lënë në vazhdim vetëm katër game gjithsej kundërshtares së saj. Sonya që në takimin gjysmëfinal eliminoi numrin 1 të botës, sportisten vendase Ashleigh Barty, e theu në servis tenisten iberike në game-t katër dhe tetë, për të fituar setin me shifrat 6-2, sidoqoftë me të njëjtin rezultat Kenin fitoi gjithashtu edhe setin final, për t’u kurorëzuar me trofeun aq fort të lakmuar, pikërisht në ndeshjen më të rëndësishme në karrierë.

Në setin përcaktues tenistja nga Shtetet e bashkuara sulmoi në shërbim rivalen e saj në game-t gjashtë dhe tetë, por sidoqoftë celësi i suksesit për të ishte anulimi i plot tre mundësive për break që pati Muguruza në game-n e pestë, në shifrat 0-40. Ish-numri 1 i botës në finalen e saj të parë në Australian Open konvertoi vetëm 2 nga plot 12 mundësi për break që pati në dispozicion, ndërkaq në krahun tjetër Kenin u tregua sa e qetë po aq edhe e saktë, duke shfrytëzuar plot 5 nga 6 mundësitë që pati për t’i rrëmbyer shërbimet kundërshtares së saj.

Sonya që mbylli takimin me rezultatin e përgjithshëm 92-77 me pikë, e përfundoi ndeshjen me 28 goditje fituese dhe 23 gabime, ndërsa në anën tjetër Muguruza regjistroi 32 goditje fituese por plot 45 gabime në total. Nën presion madje Gabi shkaktoi dopio faull pikërisht në match point-in e dytë të sfidës, i teti gabim në shërbim për tenisten iberike në këtë finale, gjithsesi me pikët e këtij takimi Muguruza do të rikthehet sërish në 20 tenistet më të mira në rruzull. Me këtë sukses përveçse hyri në dhjetëshen e parë të botës Kenin do të katapultohet gjithashtu drejt e në pozicionin e shtatë në renditjen e përgjithshme WTA, ndërkaq sportistja nga Shtetet e Bashkuara u bë edhe tenistja më e re që fiton turneun në Australian Open, që nga viti 2008, kur triumfoi rusja Maria Sharapova.

Pas dominimit të veteranes Serena Williams rivaliteti te tenisi i femrave është rritur ndjeshëm, deri në atë pikë sa 11 nga 13 turnetë e fundit të mëdhenj janë fituar nga 11 teniste të ndryshme, për më tepër në 8 nga 12 turnetë e fundit të Grand Slam-it ia kanë dalë mbanë për të triumfuar pikërisht 8 teniste që nuk kishin ngritur asnjë trofe Slam në karrierë.

Related posts

TROFEU “BERNABEU”/ MILANI besason me formacionin që do të luaj kundër REALIT

Isa.Autor

Juventusi e shkëmbeu për Bonuccin/ ja kush është mbrojtësi i ri 40 milionësh i Milanit

Isa.Autor

Hazard konfirmon largimin nga Chelsea, ja çfarë thotë pas finales

Delo.autor

Leave a Comment