Futboll La Liga Sport

“TËRMET” TEK BARCELONA/ Pas përplasjes Messi-Abidal, Pozicionohet qartë trajneri Setien

Quique Setién ka dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme, në prag të ndeshjes me Athletic. Natyrisht, pyetjet e gazetarëve për të kanë qenë të shumta, duke përfshirë kryesisht sherrin verbal mes Abidal dhe Leo Messit.

Vidal më i avancuar – “Me siguri na sjell gjëra, që të tjerët nuk munden, për shkak të karakteristikave të tij. Mund të jetë një opsion. Ju mund të shihni se si i pëlqen të arrijë në zonën kundërshtare dhe sa mirë i sheh hapësirat. Është një opsion, që po e mendojmë”.

Griezmann – “Unë mendoj se procesi i përshtatjes po ndikon tek ai dhe shokët e tij të skuadrës. Griezmann po bën shumë gjëra të mira dhe shoh se po adaptohet në mënyrë të përkryer. Edhe kur nuk shënon, ai na ndihmon shumë”.

A mund ta kontrolloj pakënaqësinë e Messit – “Messi tashmë ka përvojën dhe aftësinë për të vendosur. Nuk do të hyj në jetën e tij dhe të askujt tjetër. Unë nuk jam babai i askujt. Më duhet t’i stërvis si duhet lojtarët e mi, t’i bëj të jenë të lumtur në fushë. Pjesa tjetër nuk është për mua”.

Ndeshje që vendosin sezonin – “Është e vërtetë që kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme përpara, të cilat janë, gjithashtu, larg shtëpisë. Në transfertë nuk kemi konsistencën që duhet, ndaj duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën. Të gjitha ndeshjet do të jenë shumë të rëndësishme, jetësore. Kalimi me sukses i sfidës së nesërme është i rëndësishëm, ashtu si marrja e 3 pikëve të dielën. E di që gjithçka duhet të fitohet këtu. Humbja nuk është kurrë opsion”.

Kaosi i krijuar mes Vidal dhe Messi – “Unë kam pasur shumë probleme në jetën time sportive, por kurrë nuk kam qenë në këtë pozicion, në një klub të këtij dimensioni. Ka shumë gjëra që nuk i di, por ato që mund t’i kontrolloj dhe janë brenda kompetencës sime, do të përpiqem t’i përball me motivimin maksimal dhe mënyrën më të mirë. Kjo është e vetmja gjë që më shqetëson. Unë jam absolutisht i përqendruar në këtë. Nuk do të lejoj që dikush të shpërqendrohet në gjëra, që nuk na ndihmojnë”.

Gabime në planifikim – “Sigurisht që unë marr përgjegjësi. Trajneri ka dorën e vet në suksese dhe gabime. Jemi njerëz dhe të gjithë mund të gabojmë. Ky rrisk është pjesë e procesit të marrjes së vendimeve, vazhdimisht. Të flasim më vonë është e lehtë, por vendimet merren në kohë, më parë. Ndonjëherë nuk i dimë problemet e jashtme, nuk është kaq e lehtë. Do të doja të kisha më shumë lojtarë në dispozicion. Tani, me dëmtimin e Dembele, do të më pëlqente që Carles Pérez të mos ishte larguar. Sidoqoftë, mundohem të jem pozitiv. Kërkoj 100 për qind nga grupi aktual”.

I shqetësuar për Dembélé apo Messi – “Jam i shqetësuar për Dembélé dhe jo vetëm si futbollist, por sepse është një “fëmijë” i jashtëzakonshëm. Ndihem keq, sepse do të kalojë pesë muaj pa luajtur futboll. Ai nuk e meriton këtë, sepse është një person i shkëlqyeshëm”.

Messi, i inatosur – “Kjo është një situatë, që ju intereson juve si gazetarë, nuk më përket mua. Unë përqendrohem vetëm te futbolli, te stërvitja dhe orientimi i lojtarëve të mi. Gjithçka tjetër nuk më intereson. Në çdo klub ka probleme, por këto janë gjëra që nuk mund t’i kontrolloj. Më pyesni për futbollin, ju lutem”.

Një zëvendësues për Dembélé – “Ne jemi në pritje, do të shohim diagnozën e saktë të Dembélé dhe kohën e rikuperimit. Sapo ta dimë, do t’i marrim vendimet e duhura. Unë kam qenë i sigurt se Ousmane do të na jepte shumë në pjesën e mbetur të sezonit. Kjo është një situatë mallkimi. Megjithatë, gjithë jetën time kam pasur probleme, ajo që mbetet është të kërkojmë zgjidhje. Do të shohim nëse mund të nënshkruajmë me dikë, unë nuk e di. Do të kërkojmë mënyrën e duhur për t’i dhënë entitet dhe qëndrueshmëri këtij ekipi. Ne gjithmonë i shohim gjërat me optimizëm. Ama, kjo situatë nuk më bën të lumtur”.

Si ndihem mes kësaj rrëmuje – “Shumica e gjërave, që më përmendët, janë të rëndësishme, por ato nuk ndikojnë tek unë. Përpiqem të mos ndikohen as lojtarët e mi. Ne kemi biseduar një minutë për kësi çështjesh, kemi detyrimin të përqendrohemi te loja. Ajo që më intereson mua është futbolli. Çdo gjë tjetër futet tek situatat që nuk mund t’i kontrolloj, kështu që nuk lodhem. Futbolli, e përsëris, më intereson mua. Edhe futbollistët që stërvis”.

Ndeshja e nesërme – “Unë mendoj se do të jetë një lojë emocionuese. Mund të parashikojmë që në shumë momente të kemi iniciativën, por edhe kundërshtari do të jetë intensiv. Ne do të duhet të jemi mirë në shumë gjëra dhe të imponohemi. E dimë se nuk do të jetë e lehtë. Mezi presim të përqendrohemi dhe t’i bëjmë gjërat siç duhet”.

Related posts

E BUJSHME NGA ITALIA/ Juventus synon të transferojë yllin e kampionëve francez…

Delo.autor

MOURINHO FAL KUMBULLËN/ I beson në shtesë, Roma kalon Cagliari me përmbysje

Delo.autor

“QEPE GOJËN, DERI 10 MUAJ MË PARË NUK…”/ Ja momenti kur Bonucci kapet me kundërshtarin gjatë ndeshjes…

Delo.autor

Leave a Comment