Futboll Kategoria Superiore Sport

U MPOSHTËN ME “MANITA” NË DERBI/ Por fajin e gjen te gjykimi, Partizani shfryn

Partizani mori një “shuplakë” të rëndë në derbin e së premtes mbrëma. Të kuqtë u mundën 5-1 nga Tirana, duke i “larë duart” me titullin, në masën më të madhe. Natyrisht, ta pranosh të keqen brenda vetes është e vështirë në realitetin e futbollit tonë, ndaj klubi i kuq bën fajtor gjykimin për këtë disfatë të turpshme. Dhe kërkon të merren masa. Më shumë duket si një shfajësim para tifozëve të vet, se e vërteta reale e situatës te kampionët në fuqi, të cilët prishën gjithçka të bukur të sezonit të kaluar, që nga largimi i trajnerit Skënder Gega e me radhë, për të mbërritur në këtë pike kritike. Ja deklarata për shtyp e 16 herë kampionëve të vendit:

Një ndeshje derbi është detyrim të luhet me përqendrim, ndershmëri, dedikim maksimal ndaj fanellës, respekt ndaj kundërshtarit dhe sidomos spektatorëve. Këto janë kërkesa elementare për çdo individ që zbret në një stadium të tejmbushur. Ne u përpoqëm të plotësonim të gjitha detyrimet tona, por protagonizmi i theksuar i skuadrës së arbitrave dëmtoi në mënyrë të njëanshme mbarëvajtjen e një ndeshje që duhet të ishte model dhe në këtë aspekt.

Thellësisht të hidhëruar për vjedhjen që i bëhet djersës se lojtarëve dhe dëmtimin e vazhdueshëm që i bëhet ekipit në ecurinë e tij në këtë kampionat kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit marrjen e masave të menjëhershme ndaj kësaj kaste arbitrash që bashkë me imazhin e Partizanit po dëmton dhe imazhin e Kategorisë Superiore si dhe vetë Institucionin më të lartë të Futbollit në vend, duke rritur pakënaqësinë e sportdashësve përkundrejt besueshmërisë së garës sportive.

Historia e gabimeve arbitrale këtë sezon nuk fillon dhe nuk mbaron me këtë ndeshje derbi dhe nuk i përket vetëm FK Partizanit, por kjo vijueshmëri gabimesh krijon hije të theksuara dyshimi për njëanshmërinë e trajtimit të episodeve kyçe në disfavor të ekipit tonë, duke na shkaktuar një dëm të konsiderueshëm në renditje. Ne si klub kemi këmbëngulur në vazhdimësi që gara sportive të jetë e drejtë dhe të vendoset në fushë nga lojtarët dhe jo nga një gjykim tejet tendencioz që përdor një metër të ndryshëm në varësi të ngjyrës së fanellës.

Tendenciozitet që vërehet qartë që në minutat e para, me 11 metërsh të padhënë në favor, karton të kuq të munguar ndaj kundërshtarit për sjellje antisportive dhe vazhdon me 11 metërsha kundër plus karton i kuq në rastin më të parë…etj, etj. Të gjitha këto në mes të kryeqytetit, para 20 mijë spektatorëve dhe mijëra teleshikuesve!!!

Nëse një kastë pseudoprofesionistësh, marrin përsipër të vendosin fatin e një takimi, vetëm për shkak se kanë mundësinë të kenë bilbilin, atëherë duhet të marrim masa, të gjithë së bashku, institucionalisht apo ligjërisht. FK Partizani para se të bëjë kritikë, ka bërë autokritikë sportive, por për të mirën e futbollit, kjo që ndodhi nuk duhet të mbyllet brenda 90 minutave të këtij derbi”.

Related posts

Presidenti i klubit gjigant gati të shpenzojë 200 milionë euro për 3 lojtarë

Q.Autor

CANA U FUT MIK TEK PANDEV/ Ja shifra që do të paguajë klubi shqiptar për sulmuesin e talentuar

Delo.autor

“JENI LOJTARË MERCENARË”/ Ultrasit e Napolit “SHPËRTHEJNË” ndaj klubit

Delo.autor

Leave a Comment