Futboll Sport

BLINDOHET LISBONA/ Portugalia sfidon virusin me “Final 8”. Superkontrolle dhe protokoll ushtarak për skuadrat

“Orelhuda”, siç quhet në Portugali kupa me veshë të mëdhenj, zbarkoi në Lisbonë të mërkurën e shkuar. Trofeu u prit nga Rikardo Karvajo, ish-mbrojtësi i Portos, Çelsit, Realit të Madridit dhe Monakos, ambasador i “Final 8” dhe nga një Lisbonë që po vuan ta marrë veten pas numrit të të prekurve prej Koronavirusit, e cila e shtyu kryeministrin britanik, Boris Xhonson, ta vendosë Portugalinë në listën e “kuqe” të vendeve me rrezikshmëri të lartë “COVID-19”, me detyrim vendosjen e karantinës për ata që hyjnë nga andej.

Një gjest i konsideruar i pakëndshëm nga autoritetet e Lisbonës, në emër të aleancës më të vjetër në botë, Traktatit Anglo-Portugez që prej vitit 1373. Një goditje e rëndë për ekonominë e vendit më perëndimor të Europës: turizmi në veçanti, ai i Algarves, ushqehet nga portofoli i Britanisë së Madhe.

TË DHËNAT E “COVID-19” – Jeta në Lisbonë po rinis ngadalë, edhe pse jeta natës, ashtu si në pjesën tjetër të Europës, do të vazhdojë të qëndrojë e paralizuar. Portugalia ka regjistruar deri tani 53 mijë raste infeksioni në një popullsi 10 milionë e 254 mijë në total. Të vdekurit janë 1759. Vendi është përpjekur ta menaxhojë me një sens të admirueshëm përgjegjësie pandeminë, i trembur në mars prej shifrave që vinin nga Italia dhe Spanja. Qeveria lëshoi menjëherë mesazhet e duhura: vendosje totale e maskës, ruajtja e distancimit social, larja e duarve dhe mbrojtja e qytetarëve mbi 60 vjeç.

SITUATA – Restorantet, hotelet, baret tani janë të gjitha të hapura. Ndeshjet me dyer të mbyllura dhe kufizimet në udhëtime kanë ulur në maksimum fluksin turistik. Prej kësaj jave, dy stadiumet ku do të zhvillohen “Final 8”, ai “Da Luz” (Benfika) dhe Zhoze Alvalade (Sporting) monitorohen pa ndalesë. Për ata pak gazetarë të akredituar për të ndjekur ndeshjet duhet të ndjekin një protokoll rigoroz kontrolli. Edhe programi për tetë skuadrat është ushtarak, por nuk mund të ishte ndryshe.

koronavirusi-8

Virusi është ende i fuqishëm. Lisbona ishte një zgjedhje e goditur e UEFA-s. Përveç dy stadiumeve, me eksperiencë të konsoliduar në Champions, ka edhe një ‘ panoramë hotelesh dhe resortesh të nivelit të shkëlqyer për të pritur skuadrat. Atalanta u vendos në stadiumin 5 mijë vendësh “Pina Manique”, i ndërtuar në 1954-ën dhe i rikonstruktuar në 2019-ën. Është stadiumi i Kaza Pia, klubit të Kategorisë së Tretë. Nuk është shumë larg stadiumit të Benfikës.

PSG stërvitet në akademinë e Sporting Lisbonës, inauguruar në 2002- shin, kur Kristiano Ronaldo po i bashkohej ekipit të parë. Atletiko përgatitet në akademinë e Benfikës, ndërsa nderin për të pritur Barcelonën e Mesit e ka “Estadio Nacional”, i ndërtuar në 1944-ën dhe ku luhen rregullisht finalet e Kupës së Portugalisë. Lioni stërvitet në “Estadio do Restelo” të klubit Belenense, skuadrës së tretë të kryeqytetit.

Related posts

Futbollisti i njohur baba për herë të tretë, pas dy vajzave bëhet me djalë (FOTO)

Sadik.Autor

Asensio nuk rikuperohet me kohë, Reali me gjashtë mungesa të mëdha (FOTO)

Q.Autor

Nico Rosberg rikthehet në pistë, do të garojë në Formula E

Sadik.Autor

Leave a Comment