Futboll Kategoria Superiore Sport

GJYQI NË “CAS”/ Partizani tregon procedurën për çështjen “Çinari”: Ja e vërteta

Bllokimi i merkatos dhe vonesa në dhënien e vendimit nga KAS-i e kanë shtuar dozën e alarmit te tifozët e Partizanit. Përgjigjja ishte menduar të vinte në mes të gushtit dhe zgjatja është kuptuar nga tifozët dhe dashamirësit e kuq si një fshehje e së vërtetës nga ana e klubit.

Për të marrë një informacion se çfarë po ndodh me ankimin e bërë nga Partizani në KAS për çështjen “Çinari” dhe çfarë rruge është ndjekur deri tani, “Panorama Sport” kërkoi një informacion nga klubi. Interesimit të gazetës iu përgjigj sekretari i përgjithshëm, njëkohësisht edhe juristi i klubit, Gerald Burba.


gerald burba


PROCEDURA E NDJEKUR – 
“Për sqarimin e opinionit publik dhe veçanërisht tifozëve tanë që me të drejtë janë të shqetësuar për situatën e krijuar nga vendimi i FIFA-s për çështjen ‘Çinari’ po ju tregoj se çfarë po ndodh. Vendimi i FIFA-s i është komunikuar klubit dhe lojtarit më datë 13 korrik 2020 dhe kemi pasur 21 ditë kohë për ta apeluar atë vendim në arbitrazhin sportiv të Lozanës.

Duke pasur parasysh rëndësinë gati jetike të transferimit të lojtarëve në funksion të ndërtimit të ekipit për sezonin e ri, kemi dorëzuar në KAS ankimin, si dhe kërkesën për pezullimin e efekteve të vendimit te FIFA-s me datë 25 korrik 2020, duke respektuar të gjithë procedurën e kërkuar nga kjo gjykatë.

Më datë 5 gusht KAS njoftoi për marrjen e dokumentacionit tonë, si dhe regjistrimin e dosjes duke njoftuar palët për fillimin e procesit dhe paraqitjen e prapësimeve brenda një afati prej 21 ditësh, si dhe duke i dhënë kohë 10 ditë për kundërshtimet e tyre për pjesën e pezullimit të efekteve të vendimit. Rreth 10 ditë më vonë palët kanë njoftuar KAS-in se prapësimet do të paraqiteshin nga ata, pasi Partizani të kishte paguar kostot procedurale të gjyqit, duke u bazuar në kodin e arbitrazhit sportiv të KAS-it.

Fill pas kësaj kërkese, Partizani ka kërkuar nga KAS përllogaritjen e kostove procedurale, me zotimin për të kryer pagesën menjëherë nga ana jonë për të mos dëmtuar edhe më tej klubin nga bllokimi i merkatos. 2 ditë më vonë KAS ka njoftuar se edhe lojtari Erald Çinari ka bërë ankimim pranë kësaj gjykate për vendimin e FIFA-s dhe duke u bazuar në kërkesën e avokatit të Çinarit për të ulur shpenzimet e gjyqit, por edhe sepse është në diskrecionin e kësaj gjykate që të bashkojë dosjet, u la palëve një afat për t’u shprehur për këtë pjesë deri më datë 21 gusht 2020″, u shpreh Burba fillimisht.

PËRGJIGJJA – Në fund sekretari Burba foli edhe për afatin se kur mund të vijë përgjigjja nga KAS: “Ditën e hënë (sot), me kalimin e këtij afati, pritet nga KAS komunikimi i kostove të gjyqit, të cilat janë marrë përsipër të paguhen nga klubi në mënyrë te menjëhershme për të mos zgjatur më tej procedurën në marrjen e vendimit të KAS-it për pezullimin e efekteve të vendimit të FIFA-s për bllokimin e dy sesioneve të njëpasnjëshme të transferimeve.

Partizani

Duhet kuptuar që KAS është gjykatë e cila ka procedurat e veta dhe nuk është federatë apo institucion i thjeshtë që mund të kthejë përgjigje kërkesave brenda ditës, megjithëse dëshira jonë do të ishte kjo. Klubi po bën maksimumin për t’u zhbllokuar nga kjo situatë, e cila është krijuar nga një vendim thellësisht i padrejtë (kush ka durimin dhe dëshirën mund ta lexojë dhe vendimin e publikuar në faqen e FIFA-s) dhe që dëmton rëndë interesat tanë për sezonin e ardhshëm, por që fut në stres edhe tifozët tanë.

Për momentin duhet thjesht të tregohemi të duruar me besimin se kjo histori të tejkalohet sa më shpejt. Sidoqoftë, vendimi i KAS-it për pjesën e pezullimit të efekteve të vendimit për bllokimin e transferimeve të lojtareve do të publikohet menjëherë nga klubi ynë sapo të merret”.

Related posts

CHAMPIONS LEAGUE/ Pas një aksioni fantastik, Mahrez ndëshkon PSG-në (VIDEO)

Delo.autor

LIVE/ Bardheblutë në provën e zjarrit, Prenga kërkon të debutojë me fitore

Isa.Autor

PAS DËNIMIT NGA DISIPLINA/ Partizanit i rikthehen tifozët për sfidën ndaj “korçarëve”, ja çmimi i biletave

Delo.autor

Leave a Comment