Futboll Kategoria Superiore Sport

“KAM VETËM PLANIN “A” ME PARTIZANIN”/ Ilir Daja: Po eksperimentoj për të marrë sa më shumë informacion

Trajneri Ilir Daja po punon te Partizani me planin “B”, që do të thotë me lojtarët e trashëguar nga sezoni i shkuar, por ai ka besim se merkatoja do të zhbllokohet dhe ai do të ketë në dispozicion përforcimet e duhura. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri tregon punën e bërë gjatë këtyre dy javëve, problemet që ka skuadra, si dhe cilat janë pritshmëritë. Daja ka sqaruar edhe arsyen e eksperimenteve që po bën në këtë kohë me lojtarët.

Pas dy javësh stërvitje dhe tri ndeshjesh miqësore, si duket situata te Partizani?

Deri më sot (dje) kemi 14 ditë që bëjmë stërvitje. Këtu nuk fus pushimet, por vetëm ditët që kemi punuar. Deri më sot (dje) kemi zhvilluar 22 seanca stërvitore, gjë e cila tregon se në pjesën dërrmuese kemi punuar me nga dy seanca në ditë. Vetëm gjatë ditëve që kemi pasur miqësore kemi punuar me një seancë.

Në miqësore s’ pres ndonjë reagim maksimal nga ekipi, pasi janë të ngarkuar. Realisht jemi si një kantier pune. Ngarkesat janë prezente dhe muskujt nuk u përgjigjen si duhet lojtarëve. Këto ditë presim të marrim edhe lajmin pozitiv për hapjen e merkatos, në mënyrë që të plotësojmë grupin në pozicionet që kemi nevojë. Pasi të plotësojmë skuadrën, do të punojmë edhe për taktikën. Gjatë këtyre dy javëve theksi ka qenë te kondicioni fizik dhe disa veprime të taktikës individuale.

Keni besim te plotësimi i grupit apo i mbeteni planit “B” që e prekët edhe gjatë prezantimit, që do të thotë pa merkato në hyrje?

Për vetë pafajësinë që ka klubi në çështjen “Çinari”, ne shpresojmë dhe projektin e kemi me planin “A” dhe kjo na bën të jemi më afër objektivave që ka edhe uniforma e Partizanit. Dihet që klubi gjatë gjithë kohës ka objektiva maksimalë. Drejtuesit janë në kontakte të vazhdueshme me lojtarët e piketuar deri tani si përforcime. Aktualisht ne po punojmë me grupin që ka mbetur nga sezoni i shkuar.

Ilir Daja

Se mos u soset durimi atyre që keni piketuar në merkato, se edhe pritja e ka një limit?

Sigurisht që efekti kohë është shumë i rëndësishëm për dy gjëra. Së pari, lojtarët që janë në kontakt me klubin do të presin deri në një farë momenti, pastaj mund të shikojnë edhe ndonjë ofertë tjetër. E dyta  është se i afrohemi fillimit të kampionatit, prandaj po punojmë vetëm me grupin e sezonit të shkuar. Po punojmë në të dyja drejtimet.

Sa i përket kontingjentit të mbetur, kemi parë se po eksperimentoni me rolet e disa futbollistëve. Mund ta dimë arsyen?
Kjo gjë është bërë për të marrë informacion më të madh, pasi nuk mund të eksperimentojmë gjatë aktivitetit. Pra, duam të dimë se në disa module si mund të paraqiten lojtarë të veçantë. Kjo është e kushtëzuar edhe nga mungesa e lojtarëve nëpër reparte të veçanta. Për shembull, në ndeshjen ndaj Partizanit B si ekran para mbrojtjes ka luajtur Lukas Kardozo. Ai nuk ka lidhje fare me atë pozicion, por në momente të caktuara dhe me planin “B” ne po provojmë disa alternativa për të parë se cila mund të jetë më e mira.

Sipas planit “B” (pa përforcime në merkato), si e shikoni Partizanin?
E citova edhe më lart se ne planet i kemi me përforcime në merkato dhe i mbetem kësaj ideje. Ne shpresojmë që sa më shpejt të jetë e mundur të zhbllokohet merkatoja dhe të jemi siç e kemi menduar në fillim. Planin “B” e kemi rezervë dhe për momentin me atë po punojmë faktikisht. Me grupin e trashëguar nga sezoni i shkuar them se na duhet shumë punë për të qenë konkurrues në kampionat.

Related posts

KORONAVIRUSI/ Manchester United s’e ndal stërvitjen, kontroll dy herë në ditë për COVID-19

Delo.autor

Portieri i Serbisë kundërpërgjigjet pas shqiponjës, ja gjesti që bën në ndeshjen me Brazilin (FOTO)

Isa.Autor

MBYLLET TELENOVELA/ REALI merr portierin e CHELSEA, KROATI huazohet në Londër

Isa.Autor

Leave a Comment