Futboll Seria A Sport

HISTORI RRUGËSH, VARFËRIE DHE FAMA/ E kaluara e vështirë e mesfushorit Vidal që ëndërronte suksesin

Një histori amerikano-jugore, rrugësh dhe varfërie, kuajsh dhe dëshire për sukses. Duhet shkuar në rrënjët e Arturo Vidalit për t’i kuptuar shpirtin, sjelljet e gabuara. Nga uria te fama, nuk ka asnjëherë gjysmëterma në lojtarët e lindur në Jugun e botës. Arturo Vidal vjen nga San Hoakin, një vend në afërsi të Santiagos së Kilit. Në moshë të vogël frekuenton klubin Hipik, ndihmon përgjegjësin e stallës për të mbajtur të pastër kuajt dhe në pushim argëtohet me topin, derisa një ditë “shefi”, i mahnitur nga prekja e tij e topit, i thotë: “Djalosh, vendi yt nuk është këtu, do të bëhesh dikush në futboll”.

Pasioni për kuajt, për atë botë garash dhe bastesh, do të rezistojë gjithmonë. Arturo futbollist, profesionist i pasur, bëhet ortak i klubit Hipik. Martohet me Maria Terezën, vajzën e një rritësi kuajsh dhe në festën martesore merr pjesë presidentja e asaj kohe të Kilit, Mishel Bashelet. Themelon një skuderi, “Stud Alvidal”. Përjeton një tragjedi, vdekjen në garë të një kalorësi të tij, Nikolas Inda. Feston fitore të shumta në hipodrome. Arrin t’u shesë amerikanëve, për dy milionë dollarë, një hamshor me gjak të pastër të quajtur Kampion.

“NGRENËS DHEU” – Nëse nuk punon në klubin Hipik, Arturo fëmijë kalon kohën me top në fushën me dhe pranë shtëpisë. Luan gjithmonë, pa u kursyer. Një xhaxha e ripagëzon “Ngrënës dheu”, sepse është gjithmonë i pistë, i shpërfytyruar nga dheu kur është nxehtë dhe nga balta kur bie shi. Nuk kursehet, jeton çdo dyluftim sikur të ishte i fundit. Familja është e ndërlikuar. Arturo ka gjashtë vëllezër, por babai, ish-futbollist me frekuentime të rrezikshme dhe vesin e pijes, ka braktisur shtëpinë dhe në mbajtjen e fëmijëve kujdeset i vetëm për mamanë, Zhaklin: zonja rropatet nga puna, lan veshjet në banesat e “zotërinjve”.

Vidal

Kur arkëton kompensimin e parë si futbollist, Arturo shkon me mamanë në supermarket: “Bli çfarë të dëshirosh”. Kur është dikush dhe milioner, te Bajer Leverkuseni në Gjermani, i ble një shtëpi të bukur në Las Vizkeishas, lagjen më të mirë rezidenciale të Santiagos.

FSHATRAT – Rodelindo Roman është skuadra e parë zyrtare nga ku e peshkon Kolo-Kolo, klub historik i Santiagos. Arturo hyn në skuadrat e moshave dhe dallohet menjëherë për bollëkun e futbollit dhe jetës. Është mbrojtës, luan në krah dhe qendër. I caktojnë pseudonimin “Celia Punk”, ku “punk” kujton kreshtën që u ka bërë flokëve dhe “Celia” qëndron për “Celia Cruz”, këngëtare kubano-amerikane e famshme në Amerikën Latine. Vidal këndon në dhomat e zhveshjes, nga këtu lind pseudonimi. Dhe në karrierë do të evoluojë si mesfushor me sensin e golit.

Related posts

ZYRTARE/ Ish-portieri i Anglisë gjen ekip të ri, firmos për skuadrën e njohur të Premier League

Delo.autor

E BUJSHME NGA SPANJA/ Aubameyang i gatshëm të presë për transferimin tek gjiganti spanjoll…

Delo.autor

Hysaj, gati për kontratë të re me pagë më të lartë me Napolin

Sadik.Autor

Leave a Comment