Futboll Sport

“NDAJ DINAMOS DOJA TË TREGOJA QË JAM MË I MIRI”/ Uzuni: Ky është momenti im, në Kombëtare më penalizon…

Myrto Uzuni po ka lon një moment të jashtëzakonshëm. Dy gola në Champions, një për të eliminuar Dinamon e Zagrebit dhe për të siguruar minimalisht grupet e Europa Ligës dhe një tjetër në “play off” të Champions-it. Sulmuesi i Kombëtares, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tregon momentin që po kalon, incidentin e autogolit ndaj kroatëve dhe objektivat personalë. Uzuni flet edhe për autogolin, apo skemën në Kombëtare dhe statusin e babait të tij.

Dy gola në Champions, a e prisnit një start të tillë personal?

Çdo herë që e kam ndjekur Champions-in, e kam menduar si diçka magjike, vërtet të bukur, si një kompeticion të veçantë. Mirëpo, tani që e provova, me emocionet e golave të kualifikimit në një fazë tjetër, nuk kam asnjë dyshim. E them me bindje që është më i bukuri.

I kënaqur me çfarë keni treguar në këtë start me Ferencvaroshin?

Unë, në fakt, kam një karakter që nuk kënaqem asnjëherë. Çfarëdo që të arrij apo realizoj, dua akoma më shumë në vazhdim. Mirëpo, nuk mund të mohoj që puna që kam bërë deri më tani, më është shpërblyer.

Si ishte ndaj Dinamo Zagrebit dhe ç’menduat kur bëtë autogolin?

U ndjeva keq. Mirëpo, në momente të tilla njerëzit e tregojnë veten, sidomos ata që nuk dorëzohen asnjëherë…

Çfarë ju tha trajneri dhe shokët në pushim pas pjesës së parë?

Ai ishte një moment i dukshëm që unë nuk mund të reagoja ndryshe. Nuk kisha çfarë të bëja për ta shmangur atë autogol. Qoftë edhe për këtë, të gjithë në dhomat e zhveshjes po më jepnin kurajë, po më motivonin dhe u munduan të më qetësojnë e të më tregojnë që ishte thjesht një moment i keq, të shihja përpara për pjesën e mbetur të ndeshjes.

Në futboll ka ndodhur shpesh që kur lojtarët bëjnë një autogol, demoralizohen, por kjo nuk ndodhi me ju. Ku e gjetët forcën për atë shpërthim në pjesën e dytë me një supergol ndaj Dinamos së Zagrebit?

E thatë edhe ju, që demoralizohen lojtarët e tjerë. Unë jo. Këtë karakter kam, që nuk jam dorëzuar dhe nuk dorëzohem, pavarësisht çfarë më ndodh apo sa e vështirë është ajo që kam përpara. Pas atij momenti, dëshira ime për të shfaqur më të mirën ishte më tepër sesa dyfishi. Pasi u bë ai autogol, duhet t’u tregoja patjetër shokëve të mi që jam më i miri. Ishte ndeshje me eliminim direkt dhe duhet të dilnim me rezultat pozitiv.

Çfarë ndryshimesh ka futbolli hungarez nga ai kroat?

Të them të drejtën, kam gjetur një ambient krejt ndryshe dhe te Ferencvarosh ndihem tamam i vlerësuar për atë që tregoj në fushë, në stërvitje apo gjatë ndeshjeve.

Sa e vështirë është gjuha hungareze? Si kuptoheni me shokët, stafin?

Gjuha është e vështirë, sigurisht, si elementi kryesor i komunikimit, edhe pse gjuha e futbollit është përbashkuese. Mirëpo, në ekip ka shumë të huaj dhe komunikojmë anglisht.

Me golin tuaj dhe eliminimin e Dinamos, siguruat grupet e Europa Ligës. Jeni 90 minuta larg Championsit. E kishit ëndërruar këtë?

Të them të vërtetën, jo kaq shpejt. Mirëpo, që në momentin që kam mbërritur te Ferencvaroshi, e di që bëhet fjalë për një skuadër me objektiva të mëdhenj. Nga ana tjetër, unë personalisht, siç e thashë, nuk jam ndalur për asnjë sekondë në jetën dhe karrierën time, duke punuar më shumë. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Ferencvaroshit dhe po përjetoj këtë moment në karrierë.

Uzuni 7

Është ky momenti më i mirë në karrierën tuaj?

Është supermoment për mua. Uroj të mos ndalem.

A ju penalizon skema 3- 5-2 në Kombëtare?

Mua nuk më përshtatet skema 3-5-2, por respektoj vendimet e trajnerit.

Babai juaj bëri një status në rrjetet sociale për padrejtësi ndaj jush në Kombëtare. Pse ishte ai reagim prej tij?

Unë kam biseduar me babain tim, edhe për atë status, dhe dua që gjithçka mes nesh të mbesë jona dhe mos insistoni që ta ndaj në publik. Ajo tashmë është diçka e të shkuarës.

Cili është objektivi juaj personal te Ferencvaroshi?

Dua që të shënoj sa më shumë gola, pasi jam i vetëdijshëm që Ferencvaroshi për Champions-in më ka marrë. Uroj që t’ia shpërblej klubit akoma edhe më shumë me paraqitjet dhe golat e mi.

Një numër golash?

I kam parë statistikat e lojtarëve të skuadrës dhe lojtari me më shumë gola arrin në numrin dhjetë. Personalisht dua që të shënoj të paktën 15 gola. Uroj që t’ia dal dhe t’i shërbej ekipit për objektivat që ka.

Related posts

NDIZET DRITA JESHILE/ Klubet shqiptare fërkojnë duart, UEFA hap “thesin” me para

Isa.Autor

PO SHKËLQEN ME VERONËN/ Nisin interesimet për Kumbullën dy klubet italiane…

Delo.autor

Drama në Kroaci, shqiptari ishte duke mbytur shokun e skuadrës

Sadik.Autor

Leave a Comment