Futboll Seria A Sport

“SUAREZ NUK MBRON FENOMENËT SI PRILLO, RRALLË DALIN…”/ Van Gal: Dikur kam qenë si Konte, ngjaj me Kapelon

Si gjithmonë dëfryes, por edhe sivjet nuk mund të mungonte me vizitën e tij të përhershme në Itali, vend ku çdo vit kalon pushimet me bashkëshorten Trus. Për më tepër, këtë mesjavë, ai ishte edhe i ftuari special dhe njëri prej fituesve të çmimit “Fair Play Menarini”, që trajneri holandez mori për karrierën e tij në sportin e futbollit. Dhe natyrisht që me këtë rast nuk mund të mungonte një opinion i tij për “Gazzetta dello Sport”, mbi risitë e periudhës së fundit në Serinë A dhe atë që pritet të rezervojë e ardhmja e futbollit italian.

Van Gal, ta nisim nga kampionati: si e gjykoni eksperiencën e Kontes me Interin?
Antonio është shumë i zoti në transmetimin e filozofisë së tij të lojës te lojtarët që stërvit, por gjatë një ndeshjeje është shumë emotiv, shumë i nxehtë, tepër agresiv… ndonjëherë, të qenit i ftohtë ndihmon në analizimin më të mirë të lojës. Do të përmirësonte sjelljen e tij anës fushës, ndonëse edhe mua më ndodhte shpesh që të tërbohesha siç i ndodh Kontes.

Pirlo merr drejtimin e Juves, menjëherë, me zero eksperiencë…
Pirlo si futbollist ishte absolutisht më i miri në rolin e tij, por nuk e di se si do të jetë si trajner. Historia ka treguar se ka pak futbollistë fenomenë si Andrea që më pas janë bërë trajnerë të mëdhenj. Kjo është një karakteristikë sidomos e vendeve latine, kultura e të cilave fatkeqësisht nuk e njeh shumë shpirtin e sakrificës. Një trajner nuk duhet të mendojë për veten, por për të mirën e përbashkët. Dhe një cilësi të tillë, pak lojtarë të fortë si Pirlo e kanë në vena. Kam pasur shumë pak lojtarë në karrierën time që dinin të sakrifikonin për ekipin, por jo më kot këta ishin gjithmonë kapitenët e skuadrave të mia. Këta nuk ishin ndoshta emblema e skuadrës, por ishin ata që dinin se si të përfaqësonin filozofinë time te pjesa tjetër e grupit, në fushën e lojës. Dhe kjo më mjaftonte.

Luis Suarez është një objektiv i Juves. Mendoni se do të ishte një blerje pozitive?
Barcelona, me Suarezin dhe Mesin, është një skuadër që luan 11 kundër 9 kur i duhet të mbrojë. Individualisht Suarez është “The Best”, por nuk mjafton. Prandaj, për një lojtar si Suarez i takon trajnerit që t’i qepë atij rolin e duhur në fushë dhe nëse zbarkon në Torino, do zeronte ideologjinë që ka fituar te Barça. Pastaj të mos e harrojmë edhe faktin që është 33 vjeç…

Një lojtar si De Ligti do kishte qenë pjesë e Ajaksit të kohëve të arta që drejtohej nga ju?
Matajs është shumë i zoti dhe përkrah Bonuçit e Kielinit do të rritet edhe më shumë. Gjithsesi, për mua, holandezi më i fortë është De Jong. Te Barcelona vjet luajti jashtë roli, por do mendojë Kuman që ta rifusë në shina.

Sipas jush, kjo Juve është më e fortë se ajo që ju mundi në finalen e vitit 1996, në finalen e Champions-it?
Unë di të them vetëm që Juvja e Vialit dhe Ravanelit e fitoi Ligën e Kampioneve. Dhe kaq mjafton që të them se ajo ishte më e fortë sesa kjo.

Ibrahimoviç, ende në fushë në moshën 39-vjeçare, ju surprizon?
Po! Është e pabesueshme! Por nuk është gjithsesi një garanci për të dhuruar trofe.

Ju keni fituar shumë trofe, por 10 vite më parë, nën drejtimin e Bajernit iu përulët Interit të Murinjos. Si e kujtoni atë finale?
Ne e dominuam atë ndeshje. Interi e kaloi 5 herë gjysmën e fushës së vet, por fitoi falë Militos. Atë natë isha shumë i nervozuar, sepse Murinjo kishte qenë ndihmësi im dhe kjo më digjte edhe më shumë. Gjithsesi, atë natë mësova shumë gjëra, madje ndryshova edhe mënyrën e të stërviturit, pasi kuptova se ndonjëherë edhe mund ta presësh kundërshtarin dhe ta menaxhosh ndryshe lojën. Ndaj fitova sërish në vazhdim.

Na thoni një trajner italian që ju mahnit?
Gasperini. Nuk e njoh, por ka qenë shumë i zoti në shpjegimin se si bëhet mirë presingu me skemën 3-5-2. Ndërsa mendoj se trajneri italian që më ngjason më shumë është Kapelo.

Çfarë mendoni për çështjen “Mesi” te Barcelona?
Kur një lojtar zgjedh, duhet ta ketë gjithashtu shumë të qartë se çfarë shkruan dhe firmos në kontratë. Kaq mjafton!

Realisht, nuk ju tundon më ideja për t’u kthyer në pankinë?
Bashkëshortja ime hoqi dorë nga puna për të më ndjekur jashtë kufijve dhe tani mendoj se është e drejtë që t’ia shpërblej në të njëjtën mënyrë. Karriera ime më ka dhuruar shumë satisfaksione, kam pasur një jetë të mbushur plot. Ndonjëherë, tundimi më shpërqendron, por gjej gjithmonë diçka që më bën ta kaloj. Tani është bashkëshortja ime prioriteti im.

Related posts

Kush e mban mend Nderim Nexhipin me flokë? Ja foto dhe dedikim special për ish-skuadrën e tij

Q.Autor

PËRFUNDON MBLEDHJA E UEFA-S/ Ja çfarë u vendos për 12 klubet “rebele” që tentuan të krijonin Super League…

Delo.autor

SHKËLQEN NË KAMPIONATIN ITALIAN/ Tjetër gol në Serinë A, Nedim Bajrami nderon Empolin (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment