Futboll Seria A Sport

VAZHDON TË JETË I PËRPIKTË/ Nuhatja e “magjistarit” Paolo Maldini, tashmë lider edhe në merkato

Pak muaj më parë roli i tij ishte në dyshim, por tashmë Paolo Maldini është një nga siguritë e Milanit. Takime të shpejta, fjalët e duhura dhe firma e radhës. Edhe pse kanë kaluar vitet, ai vazhdon të jetë i përpiktë në ndërhyrje, madje ndonjëherë i paraprinë të gjithë siç bëri në rastin “Tonali” me Interin.

Gazidis Maldini Piolui

Nëse ndërhyrjet e tij në fushë linin gojëhapur, të tilla vazhdojnë të jenë edhe ato larg tapeteve të blera. Maldini drejtues nuk është fort i ndryshëm nga Maldini mbrojtës. Nëse duhet blerë një lojtar, 52-vjeçari nuk humbet kohë. E vëzhgon, përgatit buxhetin dhe ulet në bisedime pa teknika të çuditshme.

Një vit më parë Milani i duhej një mbrojtës i majtë dhe drejtori teknik, pas një pune bindëse në Ibiza, solli në ekip Teo Hernandezin i cili në pak muaj u bë ndër më të lakmuarit në merkato. Këtë e dëshmon tregu ku tashmë francezi vlen 50 milionë euro, plot 30 milionë më shume nga se sa u ble te Reali i Madridit.

MALDINI

NUHATJA E MALDINIT – Paolo Maldini është pranë një tjetër ndërhyrjeje të saktë. Rasti i Sandro Tonalit vlen më tepër se një shembull. Lojtari prej javës komunikonte me Interin, klub me të cilin thuhej se kishte edhe një akord verbal. Teksa zikaltrit humbin kohë, drejtori i Milanit nis të lëvizë. Fillimisht një telefonatë me presidentin e Breshas e më pas me vetë djaloshin i cili është një tifoz i deklaruar milanist.

Ca nga dëshira e 20-vjeçarit e pak nga ndikimi i Maldinit, e ardhmja nis të marrë nuanca kuqezi. Të rinjtë e shumtë që po afrojnë drejtuesi kuqezi janë bazë për të ardhmen, teksa akordet po arrihen edhe për shkak të “besës” së kapitenit i cili ka dalë garant për aspektin ekonomik të Milanit.

Ky aspekt ndikon jo pak, aq më tepër që në vitet e fundit klubi nuk është shquar për qëndrueshmëri në bordin drejtues. Për këtë mjafton të përmendim ndryshimet e pronarëve apo largimet vit pas viti të Leonardos në fillim e Bobanit më pas. Përveç lojtarëve, Maldini ka bërë edhe zgjedhjet teknike siç ishte shkarkimi i Xhampalos dhe zëvendësimi me Piolin.

Rinovimi i trajnerit aktual ishte një tjetër sinjal i nuhatjes së 52-vjeçarit i cili jo më pak se disa muaj më parë skarconte, me të drejtë, Ralf Rangnikun duke e përkufizuar si “trajner jo për Milanin”. Tashmë, pas Ibrës dhe Tonalit, në rrjetën e Maldinit mund të përfundojnë së shpejti dhe Bakajoko e Brahim Diaz. Drejtori kuqezi po drejton me saktësi merkaton, pak a shumë siç bënte vite më parë me prapavijën e skuadrës ku fitoi gjithçka.

Related posts

NDARJA NGA JETA E RAMAZAN RRAGAMIT/ Presidenti i FIFA-s letër ngushëllimi Armand Dukës

Delo.autor

ELEMINIMI NGA CHAMPIONS/ Tifozët e Interit tallen me Spallettin. E bëjnë të duket si… (VIDEO)

Isa.Autor

Barcelona apo Inter, Rafinha zgjedh klubin për sezonin e ri

Sadik.Autor

Leave a Comment