Futboll Kategoria Superiore Sport

“DIELLI S’MBULOHET ME SHOSHË”/ Musta i kundërpërgjigjet Gegës: Më kishte 2 metra afër dhe bërtiste, s’kam thyer…

Emiljano Musta i përgjigjet Skënder Gegës për përplasjen që vulosi largimin e elbasanasit nga Kukësi. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, lojtari 28- vjeçar ka treguar atë që sipas tij është e vërteta e vetme e debatit me trajnerin. “Kërkon të mbulojë diellin me shoshë, por kam dëshmitarë drejtorin Nexhipi dhe djalin e presidentit për atë që ndodhi në miqësoren ndaj Vllaznisë”, tregon ndër të tjera Musta, teksa flet edhe për transferimin surprizë te Laçi.
Musta
Nga rinovimi i kontratës me Kukësin dhe më pas një largim i befasishëm. Si ka mundësi që gjërat rrodhën kështu?
Është e vërtetë që rinovova me Kukësin për dy vite dhe me kushte shumë të mira. Me klubin jam shumë i kënaqur për çdo gjë, duke filluar nga vlerësimi që më bënë dhe gjithçka tjetër. Mirëpo, ndodhi ajo që ndodhi, dhe me sinqeritet nuk ndihesha më rehat, prandaj dhe kërkova largimin. Pas miqësores që bëmë me Vllazninë të shtunën e kaluar, vendosa të prish kontratën dhe drejtuesit më mirëkuptuan për këtë.
Skender Gega
Atëherë, çfarë ndodhi në miqësoren ku ju luajtët vetëm pesë minuta dhe më pas trajneri Gega deklaroi se thyet disiplinën…?
Unë nuk kam qejf të bëj polemika me trajnerët, i kam respektuar gjithmonë. Sa i përket pjesës së disiplinës, ku sipas trajnerit unë e kam thyer, mund të them se ndoshta kërkon të mbulojë diellin me shoshë. Për këtë mund të pyetet fare mirë se çfarë ka ndodhur drejtori Nexhipi dhe gjithë stafi që ka qenë aty.

Më konkretisht për çfarë keni debatuar me trajnerin?
Më largoi nga loja në minutën e 5-të ndaj Vllaznisë dhe me bindje mund të them se nuk kam thyer disiplinën. Thjesht i kam kërkuar trajnerit të jetë më i qetë. Ishim vetëm dy metra larg njëri-tjetrit dhe ai po bërtiste! Jemi burra nga 30 vjeç dhe kështu nuk shkon. Ndoshta ai është mësuar të stërvisë fëmijë në akademi, por ne jemi ekip burrash, prandaj dhe nuk shkojnë sjellje të tilla. Me shumë mirësjellje i kam kërkuar që të jetë më i qetë, ndërsa përgjigjja e tij ishte: “Dil jashtë!”. Kjo ishte e gjitha. Pastaj largimin e kam kërkuar vetë.

Po drejtuesit çfarë të thanë?
Ju kam thënë drejtuesve se nuk ndihem rehat me këtë trajner dhe kërkova mirëkuptimin e tyre. Gega ka thënë edhe se klubi qenka treguar zemërgjerë me mua. Për këtë dua t’i them se klubi nuk ka pasur asnjë shkak, prandaj dhe nuk më ka vënë gjobë. E kam ndërgjegjen e pastër dhe kam dëshmitar për ngjarjen drejtorin sportiv, Nexhipi, si dhe djalin e presidentit Gjici, të cilët kanë qenë të pranishëm aty përfshi edhe gjithë lojtarët e stolit. Megjithatë, tani është e kotë të diskutohet kjo. Unë kam shumë respekt për Kukësin dhe personalisht jam sqaruar me presidentin Gjici. Do ta tregojë koha nëse kam gabuar unë që u largova apo gabuan ata që më lanë të lirë.

Related posts

ZYRTARE/ PSG i habit të gjithë, merr një mister “X” nga liga e dytë

Delo.autor

Morata: Nuk do të doja që fëmijët e mi të shikonin atë që kam bërë…

Sadik.Autor

Befason Leonardo/ Drejtori sportiv i MILANIT takim në Londër me menaxherët e talentit brazilian

Isa.Autor

Leave a Comment